Në seancën e dytë të Kostandin Xhuvanit, ky i fundit pranoi fajësinë për vrasjen e katërfishtë, ndodhur më 4 nëntor në një lokal nate në kryeqytet. Mësohet se në gjyqin me dyer të mbyllura, 26-vjeçari foli për herë të parë lidhur me ngjarjen.
“Pranoj akuzën dhe kërkoj gjykim të shkurtuar”, bëhet me dije të ketë thënë Kostandin Xhuvani. Por pavarësisht kësaj, Prokuroria kërkoi para togave të zeza që gjyqi të shtyhet, pasi hetimet për ngjarjen vazhdojnë ende.
“Na duhet kohë të provojmë dinamikën e vrasjes së Arbër Demirajt. Nuk kemi mbaruar ende me hetimet”, mësohet të ketë thënë përfaqësuesi i organit të akuzës në Gjykatën e Tiranës. Për këtë arsye gjyqi u shty për vitin e ardhshëm, më 15 janar.
Ndërsa avokati mbrojtës i të pandehurit Xhuvani, Ardian Leka mungoi sërish në seancën e sotme gjyqësore. Në seancën e parë të mbajtur për të, vetë Kostandin Xhuvani mungoi duke u justifikuar përmes një letre, ku shkruante se ishte sëmurë. Ndërsa kërkoi që seanca të vazhdonte pa të, por nëpërmjet përfaqësisë së avokatit të tij mbrojtës, i cili gjithashtu nuk ishte ishte i pranishëm.
26-vjeçari akuzohet për vrasjen e katërfishtë në lokalin e natës “Ante grand” në kryeqytet, në orën 04:00 të mëngjesit të 4 nëntorit.
Djali i ish-deputetes socialiste, Luiza Xhuvani, ekzekutoi me armë mikun e tij 19-vjeçar Arbër Demiraj, djalin e ish-prokurorit Skënder Demiraj, italianin Giampaolo Azzolo, 55 vjeç, si dhe Edison Jahon e Enea Xhajan, me të cilët Xhuvani debatoi në ambientet e lokalit.
Xhuvani akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “mbajte të armëve pa leje” dhe “municioneve ushtarake”.