Mashtrim më sasinë e karburantit që blejnë drejtuesit e automjeteve. Në të gjithë vendin janë gjetur 14 subjekte, të cilat duke ndërhyrë në instrumentin matës që përdoret gjatë shitjes, kishin gjetur këtë mënyrë për të vjedhur qytetarët. Ndaj tyre është marrë masa e bllokimit të pikave të karburantit si dhe janë vendosur gjoba.
Gjithçka e bën me dije drejtoresha e Metrologjisë, Kozeta Mesiti, e cila gjatë një konference për shtyp bëri me dije dje bilancin e kontrolleve në të gjithë vendin. Sipas saj, në total vlera e gjobave ka qenë 10.5 milionë lekë. Kontrollet do të vijojnë dhe nuk do të lejohet që të abuzohet në kurriz të konsumatorëve, ndërkohë që ftoi të gjithë qytetarët që të denoncojnë nëse hasin shkelje”, tha Mesiti. Sipas saj, subjektet e gjobitura kanë ndërhyrë në instrumentet matës duke prishur plumbosjen e vendosur nga inspektorët metrologë.
“Në përputhje me legjislacionin për metrologjinë u mbajt akt-kontrolli përkatës, u bë plumbosja e pistoletave dhe u morën masa me gjobë me një vlerë totale 10 500 000 lekë për 14 subjekte, nga të cilat 5 në Tiranë, 4 në Kavajë, 2 në Shkodër, 1 në Elbasan, 1 në Përrenjas, 1 në Bilisht, 1 në Fier”, tha drejtoresha e Përgjithshme në Drejtorinë e Metrologjisë. Ajo nuk bëri publikë emrat e subjekteve, pasi siç sqaron drejtoresha Mesiti, informimi bëhet brenda kufijve të ligjit për mbrojtjen e të dhënave për veprimtarinë tregtare të subjektit. “Dëshiroj të theksoj se në punën tonë qëllimi nuk mund të jetë dëmtimi i biznesit, por nga ana tjetër nuk mund të mos mbrojmë në mënyrë të vendosur të drejtat e qytetarit përballë çdo abuzimi të mundshëm”, tha Mesiti.
Pas kontrollit të 801 instrumenteve dhënëse karburanti, 93 prej tyre rezultuan jashtë afateve ligjore të kontrollit metrologjik, raste për të cilat u mor masa e bllokimit, duke lënë afat kohor për realizimin e verifikimit të detyruar. Drejtoresha e Metrologjisë ndër të tjera ka kërkuar angazhim në aksione të tilla edhe të strukturave shtetërore përkatëse, me shoqatat, grupet e biznesit e sidomos me qytetarët. Tregu i shitjes së gazit dhe karburanteve në vendin tonë përcaktohet si një prej sektorëve më të parregulluar dhe ku abuzohet shpesh.