Gjykata e Tiranës ka vendosur ‘arrest me burg’ në mungesë për shtetasin Hajdin Zyberaj, administrator i shoqërisë së ndërtimit ‘Dini 2009’, pasi ka mashtruar më tepër se 30 persona të cilëve u kishte shitur të njëjtin apartament më shumë se 2 herë. Zyberaj do të gjykohet në mungesë pasi ai është larguar nga Shqipëria në tetor 2014.
Nga hetimi rezulton se Zyberaj ka mashtruar të paktën 36 persona të cilëve u ka shitur apartamente, zyra apo dyqane në ndërtimet e tij në zonën e Qesarakës, në Linzë më tepër se 2 herë. Hetimet ndaj tij nisën pas kallëzimeve të qytetarëve të ndryshëm që kishin rënë pre e mashtrimit të biznesmenit, nga ku rezultonte se të njëjtin apartament e posedonin me dokumente te rregullta noteriale dhe hipotekore më shumë se 2 persona. Dëmi nga kjo skemë mashtrimi arrin në disa miliona euro.