Mashtronin klientët duke i dhënë libreza falso, dhe paratë që qytetarët mendonin se i kishin depozituar në bankë për t’i siguruar, kalonin në xhepat e tyre. Hetimet disa mujore zbuluan skemën e mashtrimit përmes të cilës janë grabitur 2.8 milionë euro nga filial i “Raiffeisen Bank” në Bilisht të Korçës.
Pesë persona, mes tyre 4 bankierë të këtij filiali banke dhe një pronar lojrash fati, janë arrestuar mbrëmë në kuadër të operacionin “Bankieri” i nisur më 4 shtator 2013 me arrestimin e drejtorit të filialit në Bilisht të Korçës, Blendi Andrea Topalli.
Policia e Korçës thotë se operacioni i koduar “Bankieri” është realizuar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nga Strukturat e Drejtorise se Policisë Qarkut Korçë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korcë dhe Komisariatin e Policisë Devoll.
Të ndaluarit janë
1-Lorent Vladimir Ballco ,26 vjec banues ne qytetin e Korces me detyre Bankier personal prane nje filiali banke.
2-Kimet Selim Hoxha ,56 viec banues neCangonj Devoll me detyre arketar prane nje filiali Banke
3-Fjoralba Koco Andrea ,29 vjec banuese ne Korce ,me detyre arketare prane nje filiali Banke.
4-Julian Paskal Kosho, 39 vjec banues ne Korce, me detyre pergjegjes agjensie ne nje filial Banke
5-Ervin Osman Xhaci ,32 vjec banues ne Bilisht , I vetpunesuar ne nje subjekt lojrash fati “Bast Live”
“Ndalimi i tyre u bë për nevoja të procedimit penal nr.1415/1 të vitit 2013 pasi në vende dhe kohë të ndryshme në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përvetësuar duke shpërdoruar detyrën një sasi prej 2.8 milion euro duke konsumuar elementet e veprave penale “Pastrimi i produkteve te vepres penale” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga nenet 25 , 186/1, 287 dhe 135 te K. Penal.”- thuhet në njoftimin për shtyp të policisë së Korçës.
Hetimet e nisura me arrestimin e drejtorit të filialit të bankës zbuluan skemën e kësaj megavjedhjeje.
Fillimisht Topalli u arrestua për akuzën e vjedhjes me anë të shpërdorimit të detyrës të 13 milionë lekëve nga llogaria e një klienti banke, të cilat sipas policisë thuhej se i kishte përdorur për blerjen e një pasurie të paluajtshme. Të gjithë punonjësit e filialit të bankës u vunë në hetim dhe u zbulua se me anë të falsifikimit shuma e vjedhur është 2.8 milionë euro. Të arrestuarit e sotëm dyshohet se ishin bashkëpunëtorë me drejtorin për fshehjen e kësaj megavjedhjeje. Ata akuzohen për “Pastrimi i produkteve te vepres penale” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.
Burime nga policia bëjnë të ditur se Drejtori i bankës Blendi Topalli së bashku me një nga të arrestuarit ishte klient në subjektin e lojrave të fati “Bast Live”. Policia ka arrestuar dje dhe Ervin Osman Xhaci ,32 vjec banues ne Bilisht , pronar i këtij subjekti.