Masterat MASH Si te zgjidhni programin e duhur ne publik e privat

Masterat, MASH: Si te zgjidhni programin e duhur ne publik e privat
Programet e studimit të ciklit të dytë përfundojnë me diplomë “Master”. Ky program studimi përgatit studentët për tregun e punës si dhe për studime të mëtejshme. Por në mjaft raste, për shkak të zgjedhjes së gabuar, të rinjtë kanë mbetur me diploma masteri në xhep që nuk u kanë siguruar dot një vend pune. Arsyeja, zgjedhja e gabuar e programit të studimit, pse jo edhe universiteti jo ai i duhuri. Në prag të nisjes së aplikimeve për studimet e ciklit të dytë, ku bëjnë pjesë edhe masterat profesionalë dhe shkencorë, specialistë të Ministrisë së Arsimit kanë përgatitur një paketë këshillash për studentët që i kanë përfunduar studimet “Bachelor” dhe tashmë janë përfshirë nga dilemat se çfarë duhet të bëjnë më tej me formimin e tyre pasuniversitar.

Një vendim i vështirë nëse nuk ke informacionet e duhura për programin e studimit që duhet të zgjedhësh dhe institucionin ku duhet të studiosh. Ndaj, specialistët e arsimit të lartë në MASH shpjegojnë se çfarë duhet të dini përpara zgjedhjes së programit master për shkollat e larta publike dhe private. Së pari, duhet të keni informacione mbi programin e studimit.  “Kriteret e pranimit vendosen nga shkolla e lartë, ndërsa kuotat e pranimit për shkollat publike vendosen nga MASH. Për studimet e ciklit të dytë nuk ka kufizime të moshës apo të kohës që nga diplomimi në ciklin e parë (Bachelor).

Duke plotësuar kriteret, ju mund të studioni edhe degë të përafërta ose të ndryshme nga ajo e ciklit të parë të studimeve. Profesionet e rregulluara si mjekësia, stomatologjia, farmacia, mësuesia, arkitektura, veterinaria, mami, infermieria, fizioterapia dhe inxhinieria kërkojnë përfundimin e një programi të ciklit të dytë, përpara dhënies së provimit të shtetit. Përpara zgjedhjes: bazuar në interesat tuaja për të ardhmen sigurohuni mbi domosdoshmërinë e studimit të një programi master dhe pyesni sa studentë diplomohen në këtë program dhe sa prej tyre janë punësuar; informohuni mbi bashkëpunimin ndërkombëtar të shkollës, si dhe për mundësinë e transferimit të studimeve apo krediteve tuaja në shkolla të tjera brenda apo jashtë vendit; informohuni mirë mbi llojin e programit të studimit për të cilin keni nevojë”, – thuhet në paketën informuese të MASH për programet master.

Në përzgjedhjen e universitetit se ku duhet të ndiqni masterin rëndësi ka edhe profesorati i shkollës. “Shkolla e lartë duhet të ketë pedagogë të kualifikuar, me tituj akademikë si “Doktor”, “Profesor i asociuar” dhe “Profesor”. Interesohuni për pedagogët e lëndëve të profesionit, si dhe botimet e tyre. A japin mësim pedagogë të huaj? Pyesni studentët aktualë nëse janë të kënaqur me pedagogët.

Pyesni për tekstet mësimore që përdorin pedagogët, dhe për çmimet e tyre”, – këshillojnë specialistët e arsimit të lartë. Sipas tyre, është e rëndësishme të merrni informacione edhe për kujdesin që ofrohet ndaj studentëve. Për këtë, specialistët këshillojnë që të informoheni nga shkolla, si dhe të pyesni studentët aktualë: se si funksionojnë programet e udhëheqjes, mbrojta e temës dhe zyra e këshillimit të karrierës. Po kështu vizitoni sallat, laboratorët dhe bibliotekën, mjediset e praktikave mësimore dhe lidhjen me internet për të gjithë shkollën. Këshilla e fundit, por jo më pak e rëndësishme është edhe të informoheni mbi tarifat e studimeve.

Informacione të veçanta për shkollat e larta private

1. Mbi statusin ligjor të shkollës së lartë dhe të programit të studimit

Shkollat e larta dhe programet e studimit duhet të jenë të licencuara me vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Pas licencimit, shkollat e larta dhe programet akreditohen nga Këshilli i Akreditimit, me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Prandaj, përpara zgjedhjes:

Kërkoni nga shkolla e lartë: vendimin për licencimin e programit të studimit, si dhe urdhrin e ministrit për akreditimin e programit.

Sigurohuni që programi i studimit të jetë i akredituar përpara lëshimit të diplomës.

Klikoni gjithmonë faqen e internetit të APAAL www.aaal.edu.al dhe/ose (www.mash.gov.al), për të parë statusin ligjor të institucionit.

Pyesni nëse kreditet (ECTS) që fitoni aty janë të transferueshme në shkolla të tjera të larta brenda ose jashtë vendit.

2. Mbi lidhjen e kontratës

Nëse ju vendosni të studioni në një shkollë të lartë private, kontrata që lidhet mes jush dhe shkollës duhet të jetë në favorin tuaj. Mos filloni studimet pa kontratë!

Sigurohuni që kontrata të lidhet përpara fillimit të studimeve, në prani të noterit, të ketë terma të qartë për shërbimin që do të merrni, si dhe për format e pagesës së tarifës së shkollimit.

Sapo të regjistroheni kërkoni numrin e matrikullimit. Ky numër del edhe në diplomën tuaj.

Tarifa e shkollimit vendoset sipas cilësisë së diplomës që ofrojnë dhe nuk paguhet përpara marrjes së shërbimit. Kërkoni që në kontratë të vendosen kushtet për të drejtën e çregjistrimit tuaj, nëse shkolla e lartë nuk përmbush detyrat e përcaktuara në të.

Interesohuni për detyrimet që ka shkolla e lartë ndaj jush, nëse ajo, për shkaqe të ndryshme, ndërpret veprimtarinë e saj.

Nëse konstaton që shkolla e lartë nuk ofron cilësinë e premtuar të studimeve dhe kushtet e parashkruara në kontratë, kërkoni menjëherë të çregjistroheni.

Aplikimet në privat deri më 15 nëntor, dokumentet që duhen

Aplikimi dhe regjistrimi në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara  të studimeve  të ciklit të dytë, në institucionet  private të arsimit  të lartë privat do të kryhet deri në datën 15 nëntor 2012. Ky është afati i vendosur nga Ministria e Arsimit, e cila ka përcaktuar edhe dokumentet që duhet të dorëzojë kandidati pë aplikim, të cilat janë si më poshtë

a. Diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose Diplomën;

Dëftesën e shkollës së mesme të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme  me të në Shqipëri; Dëftesë Pjekurie të shkollës së mesme (kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2011); si edhe certifikatën përkatëse, të lëshuar nga Agjencia  Kombëtare e Provimeve, që vërteton se ka fituar provimet me zgjedhje.

b. Dokument identifikimi (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë). Në dosje mbahet

vetëm fotokopja  e dokumentit të identifikimit.

c. Dy fotografi.

d. Shtetasit e huaj duhet të paraqesin edhe:

lejen e qëndrimit në Shqipëri (kopje e noterizuar); dokumentin që vërteton njohjen e gjuhës shqipe, fituar në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit  të Tiranës (për rastet  kur regjistrohet në një program studimi që zhvillohet në gjuhën shqipe); dokumentin që vërteton njohjen  e gjuhës së huaj (njohur ndërkombëtarisht) në të cilën zhvillohet programi i studimit ku regjistrohet kandidati (me përjashtim të rastit kur gjuha e huaj është gjuha zyrtare e shtetit nga vjen kandidati).

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama