Huan Mata u bashkohet njerëzve që besojnë se futbolli është i superkomercializuar dhe ai do të pranonte që t'i ulej edhe rroga që ky sport të çlirohej sadopak nga kthetrat e biznesit.
Mesfushori i Mançester Junajtid pranon se ai nuk ndihet mirë me paratë e ekzagjeruara që fiton një futbollist dhe kjo po i shndërron disa lojtarë të rinj në arrogantë. "Ana e biznesit të futbollit bën të duket se pronarët sot janë më të rëndësishëm se tifozët", deklaroi Mata gjatë një interviste televizive në Spanjë.
"Çdo lojtar mendon se ai është Diego Maradona kur transferohet në një klub të madh. Kjo na ndodh të gjithëve, por një gjë të tillë e hasim më shpesh te lojtarët e rinj. Shohim fëmijë që mendojnë se janë yje rroku, veshin rroba ekstravagante dhe ngasin makina sportive. Ndonjëherë, detyrohesh t'i tërheqësh veçmasi dhe t'u thuash disa fjalë. Mua nuk më pëlqen pjesa e biznesit në futboll. E dashuroj këtë sport. Më pëlqen të stërvitem dhe luftoj. Por do pranoja që të më ulej rroga vetëm që të kishte më pak biznes të përfshirë në sport".
27-vjeçari pranon gjithashtu se futbollistët janë shkëputur nga tifozët vetëm për shkak të parave kolosale që fitojnë. Mata u transferua në "Old Trafford" nga Çelsi për 37 milionë paund në 2014-ën dhe fiton afro 150 mijë paund në javë. Dhe, për shkak të diferencave të rrogave të futbollistëve me ato të profesioneve të tjera, të cilat shkaktojnë edhe diferenca sociale në realitetin ku jetojmë, ai nuk ndihet aspak mirë.
"Futbolli është shumë mirë i shpërblyer në këtë nivel. Është sikur ne jetojmë në një flluskë. Krahasuar me pjesën tjetër të shoqërisë, ne fitojmë një shifër të çmendur. Kjo është e pakonceptueshme. Në krahasim me botën e futbollit, unë fitoj një rrogë normale, por krahasuar me 99.9% të Spanjës dhe pjesës tjetër të botës, unë fitoj një shifër të çmendur".