Matematika nxenesit qe kapen me celular do te perjashtohen

Matematika, nxenesit qe kapen me celular do te perjashtohen

Ditën e sotme, 45.032 maturantë të shkollave të mesme të vendit, për të gjitha profilet do t’i nënshtrohen provimit të tretë të detyruar të Maturës Shtetërore, atij të Matematikës. Provimi do të zhvillohet në 212 qendra. Zv/ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj ka deklaruar dje se MAS-i ka marrë të gjitha masat për të realizuar një proces me standard të unifikuar dhe me shanse të barabarta për të gjithë nxënësit. Pasi sipas saj, “vetëm kështu do të mundësohet një vlerësim objektiv dhe do të sigurohet një cilësi të lartë. “Provimi i Matematikës, si një provim i shkencave të sakta, në të vërtetë kërkon një menaxhim shumë të mirë dhe për specifikën e tij.

 

Testi i matematikës është hartuar nga mësues ekspertë në fushën e matematikës, duke pasur për bazë programet orientuese të hartuara nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit dhe të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, si edhe lëndën e zhvilluar në 3 vitet e shkollës së mesme”- tha ajo. Sipas saj, MAS-i dhe Drejtoritë Arsimore Rajonale kanë siguruar që gjendja fizike e qendrave të provimit dhe higjiena e tyre të jetë konform rregullores së Maturës Shtetërore 2014. “Është kryer inspektimi i mjediseve nga përfaqësuesit e DAR/ZA-ve dhe përfaqësuesit e MAS”,- tha Malaj. 

 

Korrigjimi i provimit të lëndës së “Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë” do të përfundojë ditën e mërkurë dhe rezultatet do të publikohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, ditën e enjte. Duket se provimi i Letërsisë ka sjellë edhe disa probleme, të cilët u shfaqën gjatë orëve kur u zhvillua testimi. Nora Malaj kujton të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit për të evituar problemet që u shfaqën dhe këshillon ata, në mënyrë që nga ky proces të mos ketë pezullime apo përjashtime. Ajo u bën thirrje prindërve që të shmangin qëndrimin përreth qendrave të provimit, pasi kjo jo vetëm nuk përmirëson imazhin e procesit, por edhe e vështirëson atë.  “Në provimin e letërsisë, për shfaqje joserioze në disa qendra u kërkua ndërhyrja e punonjësve të rendit, për të vijuar procesi normalisht”, tha zv/ministrja e Arsimit dhe Sportit Nora Malaj.

Rregullat

• Të merrni masat e duhura për paraqitjen e fëmijëve në kohë në qendrën e provimit dhe pajisjen e tyre me mjete identifikimi. Në mungesë të mjetit të identifikimit nxënësi duhet të jetë i pajisur me vërtetimet e firmosura nga drejtuesit e shkollave.

• Mos lejoni fëmijët të futen në provime me mjete identifikimi të personave të tjerë, pasi do pezullohen dhe ndëshkohen sipas rregullores së MSH 2014.

• Mos lejoni fëmijët dhe nxënësit të marrin dhe të përdorin celular ditën e provimit, pasi do pezullohen konform rregullores.

• Mësuesit administratorë dhe përgjegjës administrimi nuk do të përdorin celular ditën e provimit.

• Të shmangen nga provimi mësuesit administratorë që kanë konflikt interesi.

• Për nxënësit dhe administratorët që do të thyejnë rregulloren e MSH gjatë procesit të provimit do të merren masat e duhura në zbatim të akteve nënligjore në fuqi.

• Nxënësit duhet të marrin 10 pikë (20 për qind) për të qenë kalues.

Provimet

Provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë nuk ka qenë aq i lehtë sa provimi i Gjuhës së Huaj. Sipas të dhënave paraprake, maturantët kanë dalë përgjithësisht jo në nivelin që pritej dhe nota mesatare është midis 7-ës dhe 8-ës. Sipas Agjencisë Kombëtare të Provimeve deri tani janë korrigjuar më shumë se gjysma e testeve. Numri i jokaluesve mendohet se është mbi 250 maturantë. Notën maksimale 10 e kanë marrë më pak se 1 për qind e maturantëve. Testi i Matematikës do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me 1 pikë secila dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Pra, testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë. Matematika është mbajtur si një ndër provimet më të vështirë të Maturës, ku kandidatët kanë dalë përgjithësisht nën nivelin mesatar.

Reforma, dështim financiar dhe akademik i universiteteve

Çështja e financimit të Arsimit të Lartë dhe kërkimit shkencor është me të drejtë ajo me ndjeshmërinë më të madhe në reformën e propozuar (të gjithë bëhen befas më të vëmendshëm kur preket drejtpërdrejtë xhepi), por njëkohësisht më problematikja. Kështu deklaron pedagogu i fakultetit të Ekonomisë, Armando Memushi duke iu referuar reformës së Arsimit të Lartë, që Komisioni për Arsimin e Lartë ka propozuar në prill të këtij viti, dhe shton se projektit i mungon një analizë e mirëfilltë financiare e gjendjes së sotme dhe asaj të parashikuar për të ardhmen. “I gjithë arsyetimi mbështetet mbi një parim të shumëpërsëritur përgjatë gjithë pjesës që lidhet me financimin: “Premisa e parë: Pamundësia e shtetit/buxhetit për të financuar ... në nivelet që kërkojnë standardet dhe cilësia bashkëkohore... Një problem edhe i vendeve më të zhvilluara.”

 

Ky justifikim i pajustifikuar i vëmendjes së munguar të politikave ndaj investimeve me rezultate afatgjata në arsim përballë shpenzimeve afatshkurtra për “mbushje gropash” së pari bie në kundërshtim me shqetësimin e shprehur në draft për mbështetjen publike në nivele alarmante të arsimit në tërësi e atij të lartë në veçanti, krahasuar edhe me vende të tjera të ngjashme. Rruga e projektuar për ta zgjidhur këtë problem është ajo e diversifikimit të burimeve të financimit të sektorit, duke u hapur ndaj parave të ardhura  nga qeverisja vendore, bashkëpunimet me bizneset dhe dhurimet e tyre, të cilat bashkë me pagesat e studentëve do të duhet të garantojnë mirëfunksionimin e IAL-ve dhe do të duhet të rrisin pavarësinë e tyre financiare. Arsyetimi shoqërohet edhe me shembuj në shifra për raportet në të cilat kjo barrë ndahet midis këtyre burimeve “të reja”, edhe një herë tjetër për vendet anglosaksone! Ç’është e vërteta, universitetet në vend kanë qenë gjithmonë të hapura për këto mënyra të sigurimit të fondeve.

 

Veçse, për fat të keq, realiteti këtu është shumë larg atij të botës anglosaksone. Të presësh mjaftueshëm par? për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor nga organet e pushtetit vendor që nga analizat rezultojnë të paafta të sigurojnë fonde të mjaftueshme për shpenzimet e veta operative, nga bizneset në një vend me shkallë të lartë të informalitetit (që sipas studimeve është jo më e vogël se 30%) dhe nga “filantropët” vendas që deri më sot kanë preferuar financimin e konkurseve të bukurisë a festivaleve të këngës ndaj mbështetjes për arsimin, përjashto rastet kur kjo është parë si mundësi e mirë fitimi a pastrimi parash në ndonjë kat pallati ku shtypen kartonë, është, në rastin më të mirë, shumë e bukur për të qenë e vërtetë dhe në rastin më të keq, një rrugë e sigurt për dështimin financiar dhe pastaj akademik të universiteteve”, - shprehet Memushi.  


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama