Mathieu Aref albanologu qe verteton lidhjen e shqiptareve me pellazget

Mathieu Aref, albanologu që vërteton lidhjen e shqiptarëve me pellazgët
Debati konsistonte në faktin që studimi kishte si tezë bazë teorinë që pellazgët janë banorët e parë të zonës ballkano-danubiane dhe të Egjeut, më vonë semito-egjiptianët pushtuan disa territore pellazge dhe duke u përzier me pellazgët krijuan frytin, që do të merrte emrin helen ose grekë. Eshtë lidhja që ai zbulon mes pellazgëve dhe shqiptarëve të sotëm, ajo që ka çuar në debate me albanologët shqiptarë apo edhe me linguistët. Ja se si shprehet vetë autori në prononcimin për studimin e tij. Për sa i përket tezës sime mbi pellazgët, u desh që të vija në Shqipëri, ku studimet mbi pellazgët kanë qenë të pakta e më pak të rëndësishme sesa në vendet e tjera, për të kuptuar mosbesimin e deri urrejtjen (pa argumente e pa prova bindëse) të një pakice kokëngjeshur të universitarëve shqiptarë. Megjithatë, kam takuar një numër të caktuar universitarësh të ndershëm, objektivë, të përgatitur e me një këndvështrim të gjerë, që e kanë përqafuar plotësisht tezën time.

Po ashtu, kur doli libri im i përkthyer në shqip “Shqipëria, Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen”, pritja e publikut shqiptar dhe atij shqipfolës ka qenë e nxehtë dhe entuziaste”, shton albanologu, autor i shumë vëllimeve të tjerë për Shqipërinë. Deri më sot, veçanërisht në Francë dhe përgjithësisht në Perëndim, për veprën e fundit nuk ka pasur as më të voglën kundërthënie apo kundërshtim zyrtar. “Në fakt, këtu në perëndim, nuk jemi mësuar të kundërshtojmë një tezë pa dhënë “provën e të kundërtës”. Në Tiranë pata përshtypjen se isha kthyer në kohën e Galileut, kur ai pohonte se toka ishte e rrumbullakët, me gjithë kundërshtimet dhe kërcënimet e bëra ndaj tij”, shton Aref. Por sa e vështirë ka qenë për të puna kërkimore për vërtetimin e tezës?! Ai vijon se, nuk duhet që të neglizhohen pasojat kulturore dhe gjuhësore të lëna nga pushtimet e një pjese të Azisë nga ushtria e Aleksandërit të Madh, ku pjesa më madhe e ushtrisë ishte e origjinës pellazge (Pernianët, Ilirë, Arianët, Maqedonas, Trakas etj.) “Eshtë këtu hileja e ndërmarrjeve të gabuara deri tani.

Nqs ne gjejmë fjalë pellazge ose shqipe në sanskritisht, nuk janë transmetuar nga kjo e fundit, por e kundërta. Akoma edhe sot ekziston një popullsi që gjendet midis Afganistanit dhe Pakistanit (Burrushi) që flasin shqip. Ata kanë mbetur ndoshta nga ushtarët e Aleksandërit të Madh (shk. IV pk) që kanë qëndruar në atë vend dhe atje lanë dhe pasardhësit e tyre. Ky popull i humbur mes maleve të Azisë, ka lënë gjurmët e gjuhës dhe kulturës së tij, ashtu siç ndoshta e kanë lënë paraardhësit e tyre para pesë mijë vjetësh”, shprehet ai duke theksuar se, greqishtja nuk është shkruar veçse rreth fundit të shekullit të VII dhe fillimit të shekullit të VI p.k. “Sanskritishtja nuk është shkruar veçse në atë epokë gjithashtu. Kemi të bëjmë me dy gjuhë bashkëkohore dhe pak a shumë të reja. Latinishtja nuk është shkruar, veçse në shekullin e III p.k. Janë këto gjuhë që janë studiuar në shekullin e XIX. Pellazgët antikë ekzistonin dhe ekzistojnë edhe sot nëpërmjet shqiptarëve, fosil i gjallë i asaj që ishte gjuha e parë evropiane. Për fat të keq, askush nuk dyshonte që shqipja qenkësh kaq e vjetër.

Me gjithë studimet që kanë vënë në pah vijueshmërinë pellazge, të shqiptarëve gjatë shk. XIX, XX dhe XXI, edhe sot ajo nuk pasqyrohet në Historiografinë dhe Gjuhësinë Botërore. Gjithashtu nuk është bërë ndonjë përpjekje nga institucionet shqiptare përkatëse në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi, për një debat kombëtar apo ndërkombëtar për këtë temë. Ku qëndron ky “ngërç” i studiuesve të historisë dhe gjuhësisë?”, thotë ai.
 
Gazeta Panorama

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama