Profesori dhe albanologu, njohës i mirë i letërsisë dhe shpirtit arbëresh, vjen në një rrëfim për De Radën në 200-vjetorin e lindjes
“I domosdoshëm rishikimi tekstor i korpusit të veprave të De Radës”
Letërsia arbëreshe iu nënshtrua censurës së regjimit duke paguar kështu edhe ajo një çmim të lartë për t’u bërë e njohur. Sikurse e ka vënë në dukje miku dhe kolegu Shaban Sinani ajo pësoi “shtrembërime dhe shmangie të papërfytyrueshme”. Vepra e De Radës ndoshta u dëmtua më pak se të tjerat, edhe pse mbetet i domosdoshëm rishikimi tekstor i korpusit të tij letrar.
Në Napolin e vitit 1834, Jeronim De Rada, një i ri rreth të 20-tave që studionte drejtësi, e ndiente nga larg Shqipërinë. Që në mësimet e para që mori në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitër Koronës, apo leximet e para shqip, ai e ndiente veten më shumë të lidhur me të shkuarën. Shqipëria nuk ishte e largët në librat që i riu shfletonte mbrëmjeve teksa dritat shuheshin ngadalë mbi Napoli. Fytyra e imët, nuk ia fshihte romantizmin që ndihej në vargjet e shkrimet e tij, teksa me forcë përpiqej t’i jepte jetë një çështjeje që vinte përtej detit. Leximet rritën ndjenjën e protestës te De Rada, i cili do të kthehej në nismëtar të çështjes shqiptare, duke u bërë frymëzim për bashkëkohësit. Në vitin 1848 ai nxori gazetën e parë shqiptare “L’albanese d’Italia”, ku shprehu pikëpamjet e veta për ngjarjet e kohës, e më pas zhgënjimit që sjell shpesh ngritja e një medie ai ngriti përmes penës së tij çështjen shqiptare duke u bërë nga figurat më në zë të Rilindjes Kombëtare. De Rada është nga të parët studiues të strukturës gramatikore të shqipes. Në të dyja veprat gramatikore që hartoi (1870, 1894) vuri në dukje aspekte të patheksuara më parë nga dijetarë shqiptarë dhe albanologë dhe dukuri gjuhësore të pastudiuara ose të panjohura. Në veprat e tij gjuhësore jepen të dhëna me interes për të folmet arbëreshe. Bëri përpjekje të vijueshme për një alfabet të përbashkët të shqipes që të jepte një sistem sa më të plotë dhe të përshtatshëm për shqipen me karaktere latine, të plotësuara me shenja diakritike. Në veprimtarinë gjuhësore të De Radës duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari (1895) në Koriliano Kalabro, i dyti (1897) në Lungro (Kongreset gjuhësore arbëreshe). Dha me vetëmohim mësimin e shqipes në kolegjin arbëresh të Shën Mitër Koronës për dhjetëvjeçarë të tërë gjersa vdiq. Hapësira De Radiane është tepër e gjerë. Studiues dhe pasionues të poemave të tij janë përpjekur të zbërthejnë kodin dhe gjuhën e këtij poeti, që romantikën e lidhte jo vetëm me dashurinë, por edhe me atdheun. Ky i fundit ishte romantika e tij. Ky vit shënon 200-vjetorin e lindjes së De Radës. Një vit i cili do të shoqërohet me një sërë aktivitetesh dhe me botimin e kolanës së plotë të veprës së tij në shqip, iniciativë e Ministrisë së Kulturës. Në seminarin e Albanologjisë që po mbahet në Prishtinë, letërsia e De Radës është temë e veçantë. Por çfarë ka sjellë De Rada në letrat shqipe, dhe sa e njohim ne letërsinë e tij dhe korpusin e letërsisë arbëreshe, një letërsi që duhet thënë që nuk u mohua dhe gjatë sistemit komunist. Prof. Matteo Mandala, profesor i letërsisë shqipe dhe drejtues i njësisë shkencore të albanologjisë në Universitetin e Palermos, Itali, albanolog, autor i disa librave dhe studimeve themelore për historinë, kulturën dhe letërsinë arbëreshe në veçanti dhe atë shqiptare në përgjithësi, është njohës i mirë dhe i letërsisë së De Radës. Për të “De Rada ishte një idhull për të rinjtë e kohës”. “Rreth tij u rrit një aradhë intelektualësh që shkroi faqet më të bukura të historisë së letërsisë arbëreshe. Nismëtar dhe organizues tubimesh shkencore dhe kulturore, nxitës botimesh që përndryshe do të kishin humbur, mbledhës i palodhur dhe studiues i këngëve popullore. Sikurse thotë miku i shtrenjtë, Francesco Altimari, De Rada ishte një vizionar i madh që arriti të parashikonte historinë e aspiratat e Shqipërisë si askush tjetër”, shprehet prof Mandala, i cili vetëm pak kohë më parë promovoi në Tiranë librin “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”, nga botimet “Naimi”. Më poshtë në një intervistë prof. Mandala vjen në një rrëfim për “De Radën” me rastin e 200-vjetorit të lindjes.
Profesor, ky vit shënon 200-vjetorin e lindjes së Jeronim De Radës. Si e shihni rrugëtimin e figurës së De Radës në këtë përvjetor?
Figura e Jeronim De Radës është poliedrike e, sidomos, komplekse prandaj është e natyrshme që ky kompleksitet të pasqyrohet edhe me rastin e këtij jubileu të lindjes së poetit. Kam vënë re një interes të madh sidomos në brezat e rinj të studiuesve, të cilët i qasen veprës dhe figurës së De Radës me synimin për të shkuar përtej klisheve të zakonshme, përtej aspektit “konsumist” të imazhit romantik që është ndërtuar gjatë këtyre dy shekujve rreth De Radës e natyrisht përtej trajtimeve shkollore të veprës së tij. Do ta krahasoja këtë vit jubilar me një periudhë të ngjashme që dikur përfshiu studiues të kalibrit të Ernest Koliqit, Francesco Solano-s, Martin Camajt e Antonino Guzzetta-s, të cilët jo vetëm që analizuan dhe vlerësuan rolin historik, kulturor dhe politik që zhvilloi De Rada, por përmes studimeve të tyre zbuluan aspekte dhe cilësi të veprës artistike që nuk ishin vënë re më parë. Në konferencat shkencore që do të mbahen në Gjirokastër e Tiranë po vihet re i njëjti entuziazëm për të rizbuluar kënaqësinë e leximit të De Radës që hasëm te konferencat që u organizuan në Shkodër e Elbasan. Jam i bindur që studiuesit e sotëm do të dinë ta analizojnë poetikën e De Radës me metodologji të reja e do të arrijnë rezultate të kënaqshme. Falë këtyre rezultateve, vepra poetike e De Radës do të fitojë një dritë të re e do të krijojë ithtarë të rinj.
Si njohës i mirë i letërsisë së De Radës dhe asaj arbëreshe, cilën prej karakteristikave të De Radës do të veçoje, atë të publicistit tek L’Albanese d’Italia, apo romantikut te Këngët e Milosaos?
Në veprimtarinë e gjatë të De Radës, të këtij kalorësi të artit dhe të politikës, mund të përmendim disa primate, secili syresh me një rëndësi të posaçme në historinë e kulturës mbarëshqiptare. Sikurse e dimë, ai ishte nismëtari i letërsisë moderne shqiptare: botimi i Këngëve të Milosaos në vitin 1836 jo vetëm që shënoi fillimin e një faze të re në letërsinë shqipe, por i hapi shtegun europianizmit që do të karakterizojë veprat e autorëve të mëvonshëm. De Rada ishte edhe ati i gazetarisë shqiptare: e përkohshmja L’Albanese d’Italia, koleksionin e së cilës katedra albanologjike e Universitetit të Kalabrisë që drejtohet nga prof. Francesco Altimari, po e përgatit për botim, ishte gazeta e parë shqiptare që u ndoq më vonë nga Flamuri i Arbrit. Këto dy të përkohshme që botoi De Rada shënojnë fillimin e gazetarisë shqiptare. De Rada ishte hallka lidhëse mes dy epokave të mëdha të kulturës arbëreshe: mes epokës së tij që u zhvillua gjatë shekullit të romantizmit dhe të nacionalizmave dhe epokës pararendëse që u zhvillua gjatë shek. XVIII e që prodhoi një numër të konsiderueshëm veprash me natyrë dhe tema të ndryshme që i lidhte së bashku kërkimi i një identiteti kulturor shqiptar. Falë kësaj trashëgimie të pasur që De Rada e njohu dhe e studioi, ai u bë i pari intelektual arbëresh që mori guximin të imagjinojë të ardhmen e Shqipërisë në një nga çastet më të errëta historike, kur Shqipëria as që mendohej se mund të ekzistonte si shtet i pavarur. Sikurse e ka vënë në dukje Ismail Kadare, De Rada ishte i pari që ndezi “ëndrrën shqiptare të lirisë dhe ëndrrën e rikthimit të Shqipërisë në kontinentin nënë, në Europë”. Kësaj përndritjeje largpamëse të tij i detyrohet lindja e lëvizjes ideologjike që do të afirmohet më pas edhe në Shqipëri e që rikthehet edhe sot e gjithë ditën me një mesazh shprese për të ardhmen. E kam të vështirë të them se cilin nga primatet e De Radës do të zgjidhja të parin.
Duke u ndalur te Këngët e Milosaos, çfarë e bën këtë poemë të dashur sot?
Me rastin e njëqindvjetorit të vdekjes së De Radës u ndala në një nga aspektet që sipas meje i veçon Këngët e Milosaos si një vepër moderne. E vura theksin në strukturën binare të kësaj vepre që duhet lexuar dhe interpretuar e lidhur pazgjidhmërisht me poemën binjake Këngët e Serafina Topias. Këto dy poema përbënin projektin letrar deradian të “romanit lirik të dyfishtë”. Sot do t’i shtoja të tjera elemente atij interpretimi. Për shembull, më bën përshtypje mënyra vërtet origjinale sesi De Rada ka shtënë në punë, pa i njohur teorikisht, disa kategori si ato që Foucault quan heterotopi dhe heterokroni: vende që nuk janë reale dhe përmasa kohore që përmbysin rrjedhën kohore. Është folur shumë për “Shkodrën” e De Radës, nëse ishte apo jo Shkodra e sotme apo ndonjë qytet tjetër në Jug të Shqipërisë, duke harruar faktin se De Rada nuk kishte qenë kurrë në Shqipëri. De Rada krijoi një botë narrative duke e “emërtuar” atë me emra vendesh gjeografike reale që përshkroi sipas imazhit të fshatit të tij të lindjes dhe të viseve arbëreshe përreth. Mjafton të vizitojmë fshatin arbëresh Maqi në Kalabri për të kuptuar se vendet që përshkruan De Rada në veprat e veta janë në fakt ato ku ai u rrit. Po ashtu edhe për konceptimin e kohës: ka një përmbysje të jashtëzakonshme mes përmasës mitike të historisë që evokon “Motin e Madh” dhe asaj të kohës reale kur jetoi vetë poeti (Duhet pasur gjithmonë parasysh se Këngët e Milosaos e marrin shkasin nga ngjarje autobiografike). Mund të shtojmë edhe elemente të tjera strukturore të veprave të De Radës që ende presin të studiohen nga kritika e sotme.
Çfarë sjell romantika e De Radës, subjektet e tij të lidhura me patriotizmin në letërsinë e Rilindjes Kombëtare?
Para së gjithash duhet saktësuar, edhe në hullinë e vërejtjeve metodologjike të Eqrem Çabejt, se De Rada i përket një rryme të romantizmit italian që kishte tipare të veta, të ndryshme nga ato të romantizmit të Europës Veriore, por edhe nga të romantizmit lombard që përfaqësohet denjësisht nga Alessandro Manzoni. De Rada, bashkë me intelektualë të tjerë arbëreshë, si Gavril Dara, Zef Skiroi etj., bënte pjesë ndër ata poetë që nuk donin të hiqnin dorë nga tradita klasike, e grekëve dhe latinëve, që kishin qenë baza e formimit të tyre. Nga kjo pikëpamje mund ta përfshijmë në frontin e atyre që në Itali i rezistuan romantizmit “francez”, e madje mund ta afrojmë me pozicionin estetik që mbronte Giacomo Leopardi. Në fakt, edhe ky interpretim është i pjesshëm, sepse De Rada shfaqi në romantizmin e tij, edhe në aspektet politiko-ideologjike të tij, atë anë të veçantë dhe origjinale që dallonte kulturën letrare të Jugut të Italisë e që u përqafua nga të gjithë intelektualët arbëreshë. I pari që e kuptoi këtë ishte Francesco De Sanctis, i cili në historinë e tij të letërsisë italiane vlerësoi rolin e Domenico Mauros, arbëresh nga Shën Mitri dhe mik i De Radës. Kësaj rryme romantike të pamolepsur me nacionalizëm, që karakterizohej nga ekzaltimi i vlerave të veçanta të popujve e të kulturave dhe afirmonte të drejtën e tyre për vetëvendosje me një frymë josektare, por demokratike, kësaj rryme pra i përket formimi kulturor, politik dhe letrar i De Radës. Për sa u përket ideve të tij dhe ndikimit që ato patën te pasardhësit, kjo është e vështirë për t’u përshkruar në këtë intervistë. Po kufizohem vetëm të them se nuk kanë bazë teoritë që e shohin Rilindjen shqiptare dhe krijimin e identitetit kombëtar shqiptar si meritë të kulturave fetare që nuk kanë pasur asnjë lidhje me kulturën perëndimore.
Nëse do të bënit një përshkrim të De Radës, si do ta përshkruanit atë?
Më vjen ndër mend imazhi i poetit plak, që me të dalë nga shtëpia në fshatin Maqi, hipte mbi gomar duke vënë këmbët mbi një gur që spikat edhe sot nga themelet e shtëpisë. Një imazh të tillë kishte edhe Ernest Koliqi. De Rada ishte një ithtar i pasionuar i ëndrrës romantike, të idealit të ndërtimit të një kombi mbi baza kulturore dhe të mbrojtjes të së drejtave të popujve. Ishte një idhull për të rinjtë e kohës: rreth tij u rrit një aradhë intelektualësh që shkroi faqet më të bukura të historisë së letërsisë arbëreshe. Nismëtar dhe organizues tubimesh shkencore dhe kulturore, nxitës botimesh që përndryshe do të kishin humbur, mbledhës i palodhur dhe studiues i këngëve popullore. Sikurse thotë miku i shtrenjtë, Francesco Altimari, De Rada ishte një vizionar i madh që arriti të parashikonte historinë e aspiratat e Shqipërisë si askush tjetër. Një njëri i jashtëzakonshëm që gjithë jetën e tij, e vuri në shërbim të mbështetjes së çështjes shqiptare.
De Rada dhe autorë të tjerë të Rilindjes kanë qenë autorë të studiuar gjatë komunizmit në shkollat tona. Si studiues a ka qenë e plotë vepra e De Radës në shqip, a ka pësuar ajo censurime dhe ku?
Ka dy aspekte që duhen veçuar këtu për të shmangur keqkuptimet. Nga njëra anë ka një fakt të pakundërshtueshëm: gjatë regjimit komunist letërsia arbëreshe u përfshi në programet shkollore dhe veprat e poetëve tanë të mëdhenj u studiuan dhe u vlerësuan. Kjo është doemos një meritë, sepse jo vetëm që u vijua një traditë që zuri fill qysh në gjysmën e parë të shek. XX, por u bë e mundur njohja e letërsisë arbëreshe ndër shqiptarët e Ballkanit dhe trajtimi i saj si pjesë e pandarë e letërsisë mbarëshqiptare. Nga ana tjetër, edhe letërsia arbëreshe iu nënshtrua censurës së regjimit duke paguar kështu edhe ajo një çmim të lartë për t’u bërë e njohur. Sikurse e ka vënë në dukje miku dhe kolegu Shaban Sinani ajo pësoi “shtrembërime dhe shmangie të papërfytyrueshme”. Vepra e De Radës ndoshta u dëmtua më pak se të tjerat, edhe pse mbetet i domosdoshëm rishikimi tekstor i korpusit të tij letrar.
Çfarë i mungon korpusit letrar të De Radës në këtë përvjetor?
Korpusit letrar të De Radës i mungon autenticiteti tekstor. Për të mbushur këtë zbrazëti një grup studiuesish arbëreshë nën drejtimin e prof. Altimarit po përgatit për publikun shqiptar një botim kritik të veprës së plotë poetike të De Radës. Në Itali janë botuar tashmë 10 vëllime që përfshijnë jo vetëm veprën poetike, por edhe atë gjuhësore, politiko-filozofike, letërkëmbimin etj. Ideja lindi në vitin 2003, me rastin e njëqindvjetorit të vdekjes së De Radës, dhe u realizua gjatë këtij dhjetëvjeçari. I njëjti projekt editorial do të përsëritet në Shqipëri me botimin vetëm të veprës poetike në gjashtë vëllime. Botimi shqiptar, për të cilin po punon një ekip specialistësh të koordinuar nga Gëzim Gurga, do të jetë gati për shtyp nga mesi i shtatorit dhe mendojmë ta promovojmë në nëntor. Kështu më në fund studiuesit, studentët dhe lexuesit e thjeshtë do të kenë në dispozicion një botim të plotë dhe mbi të gjitha filologjikisht të besueshëm të veprës poetike të De Radës. Propozimi, që bënë nga dy katedrat albanologjike të Kozencës dhe Palermos, u mirëprit dhe u mbështet nga dy Ministritë e Kulturës të Shqipërisë dhe Kosovës. Përfitoj nga rasti për të falënderuar, edhe emër të dy katedrave të lartpërmendura, dy ministrat, veçanërisht profesoreshën Mirela Kumbaro për gatishmërinë dhe mirëkuptimin që i rezervoi kërkesës sonë për ta shpallur 2014 si vit të Jeronim De Radës: i jemi shumë mirënjohës. Nismat që znj. ministre do të mbështesë dhe realizojë për të nderuar kujtimin e këtij arbëreshi të madh do të përbëjnë njëherazi edhe një kthesë rrënjësore më marrëdhëniet shqiptaro-arbëreshe.
Cila nga veprat e tij është më e dashura për ju dhe pse?
I mbetem asaj çka thashë më lart: për mua më të dashurat janë dy poemat binjake Milosao dhe Serafina, dhe arsyet i shpjegova; gjithsesi, duke e njohur mirë prodhimin letrar të De Radës, mund të them se të gjitha veprat e tij janë të një cilësie sipërore.
Një nga veprat më të mira të De Radës konsiderohet “Skanderbeku i pafan”, megjithatë nga lexuesi në Shqipëri, vepra njihet shumë pak…
Kjo është vepra më komplekse dhe më e vështirë si strukturë dhe organizim poetik. Këtë e konfirmon edhe studimi i Vincenzo Belmonte-s, që është përgatitësi i botimit kritik të kësaj vepre që konsiderohet si “më e pakuptueshmja” për shkak të fragmentarizmit të tepërt. Është një tekst që kërkon vëmendje dhe përqendrim, por sidomos pasion të madh për poezinë autentike.
Si profesor dhe studiues i letërsisë shqipe dhe drejtues shkencor i albanologjisë në Universitetin e Palermos e ndiqni shkencën albanologjike në Shqipëri. Si e gjykoni punën e saj sot?
Nuk jam në gjendje të jap gjykime kaq të prera, madje edhe sikur të isha, nuk do ta bëja. Njoh personalisht shumë kolegë, studiues, të rinj e të vjetër, të gjithë të motivuar nga i njëjti pasion për kërkimin shkencor dhe albanologjinë. Sot jetojmë në një fazë historike të vështirë, një fazë tranzicioni të gjatë e të mundimshëm që prek edhe sektorë delikatë të jetës publike, siç është ai i arsimit në përgjithësi dhe atij të lartë në veçanti. E ndjek me interes debatin që po zhvillohet mbi reformën e sistemit arsimor universitar dhe, natyrisht, kam mendimet e mia mbi këtë çështje. Disa nga propozimet më duken largpamëse, disa të tjera nuk më bindin, sepse nuk marrin parasysh kushtet aktuale ekonomiko-sociale të vendit e ndoshta theksojnë së tepërmi aspektet optimiste të një reforme që pretendon të jetë rrënjësore. Sikurse të gjithë sektorët nevralgjikë, edhe albanologjia po jeton çaste të vështira dhe perspektivat e zhvillimit varen kryesisht nga politikat që do të zbatohen në të ardhmen. Për mua kanë rëndësi aspektet organizative, por edhe më të rëndësishme janë drejtimet që do të marrë albanologjia në të ardhmen: kolegjialitet dhe karakter ndërdisiplinor, hapje maksimale dhe bashkëpunim me studiuesit e huaj, një politikë rigoroze ndërkombëtarizimi të sistemit kërkimor dhe didaktik. Përgjithësisht jam i bindur se kohë më të mira na presin. Jam optimist edhe sepse vë re shumë entuziazëm te brezat e rinj të studiuesve.
Res Albanicae quhet revista albanologjike që ju drejtoni… si është realiteti albanologjik që përcjell kjo revistë? A ka lidhje ajo me traditën e shtypit që krijoi De Rada apo paraqitet si një thyerje ndaj asaj tradite?
Res Albanicae është padyshim bijë e denjë e mësimeve të De Radës. Gjithmonë në çastet më të vështira ngre krye shpirti i ringjalljes. Këtë bëri De Rada e këtë rrekemi të bëjmë edhe ne sot. Kjo është një revistë shkencore e botuar nga fondacioni universitar që mban emrin e Francesco Solanos, mësuesit tonë të paharruar, dhe synon të mbushë zbrazëtinë e krijuar prej vitesh në botimin e periodikëve shkencorë në lëmin e albanologjisë. Pas shumë diskutimesh vendosëm të krijojmë disa mekanizma kontrolli dhe administrimi, si edhe një komitet shkencor që përfshin albanologët më të shquar të Europës. Kemi vënë re një interes të madh dhe shumë studiues të rinj na dërgojnë studimet e tyre për botim. Shumë syresh i pranojmë, të tjera detyrohemi t’i refuzojmë. Redaksia jonë zbaton rregullat e peer review, pra çdo studim i nënshtrohet gjykimit të një grupi ekspertësh që vendosin për botimin a mosbotimin e tyre. Ekspertët janë anonimë ndërsa vendimet e tyre janë të formës së prerë, as redaksia nuk mund t’i ndryshojë ato. Nuk e teproj po të them se edhe me Res Albanicae, që synon të mbushë zbrazëtinë e krijuar në Europë për revista albanologjike, arbëreshët i japin një kontribut të rëndësishëm zhvillimit të albanologjisë.