Matura 16 mije pyetje per te zgjedhur tezen finale

Matura, 16 mije pyetje per te zgjedhur tezen finale
Më 22 maj mbyllet shkolla. Si do bëhet përzgjedhja nga fondi i pyetjeve.
Ndarja e tezave të provimeve sipas tri kategorive, pyetje më të vështura për ata që duan notën më të lartë.

Kanë mbetur dhe dy ditë shkollë për maturantët. Më 22 maj ata i japin fund me gjimnazin, për të nisur një tjetër rrugë. Ethet e ankthi i provimeve i kanë përfshirë thuajse të gjithë. Provimin e parë, atë të Letërsisë, e japin rreth 30 mijë nxënës, bashkë me të vjetrit më 2 qershor. Burime nga Agjencia Kombëtare e Provimeve pohuan se është drejt përfundimit fondi i pyetjeve, nga i cili më pas do të zgjidhet testi final me 25 të tilla. Ai do të jetë i hartuar në mënyrë të tillë që të përmbajë pyetje për të gjitha nivelet e nxënësve. Sa i përket fondit të pyetjeve, janë rreth 16.000 të tilla që do të përgatisin hartuesit e testeve për pesë provimet e Maturës (këtë vit mund të ketë 3 lëndë me zgjedhje), nga të cilat do të nxirren kërkesat përfundimtare që do të ketë secili prej tyre. Sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Arsimit, çdo grup lëndor harton fondin e kërkesave të testeve, bazuar në matricën e specifikimeve, të hartuar nga specialisti lëndor. Ky fond është sa 20-fishi i kërkesave që do të përmbajë testi. Ata të cilët hyjnë në kategorinë e nxënësve të dobët, që përgjithësisht marrin notën 5 ose 6, do të kenë pyetje në masën 40%. Hartuesit e testeve do të përgatisin pyetje pikërisht për këtë nivel, i cili korrespondon me nivelin e tretë, sipas kategorizimit që u është bërë nxënësve për nivelin e tyre arsimor.

Në këtë mënyrë, këta maturantë do të mund të marrin pikët e nevojshme në provim, sa për të mos rezultuar mbetës. Niveli i dytë i pyetjeve, ku hyjnë nxënësit mesatarë të notave 7 dhe 8, do të zërë në çdonjërin prej testeve po 40% të totalit të pyetjeve. Në këtë grup pyetjesh do të ketë testim të dijeve të maturantëve jo thjesht për njohuritë bazë, por për njohuri më të thella, për të cilat mund të përgjigjen ata maturantë që përpiqen të mësojnë, ose kanë qenë sistematikë. Niveli i parë, ose i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë, do të ketë 20% hapësirë në test. Në këtë grup pyetjesh, maturantët do të testohen jo më vetëm për njohuritë që kanë marrë gjatë shkollës së mesme, por edhe për kreativitetin e tyre individual. Për të marrë pikët maksimale, duhen 100 pikë. Rreth 4000 maturantë, që kanë plotësuar formularin A1, kanë zgjedhur 3 lëndë me zgjedhje. Mundësinë që u jepet për herë të parë gjimnazistëve, sipas Agjencisë Kombëtare të Provimeve, e kanë shfrytëzuar rreth 1/6 e tyre në të gjitha shkollat e mesme të vendit.

Pjesa e mbetur, rreth 20 mijë maturantë, do t’i nënshtrohen testimit vetëm për 2 lëndë. Këtij grupi i shtohen edhe ata të cilët kanë përfunduar vitet e shkuara shkollën e mesme dhe duan të rihapin këto provime. Në vartësi të tyre dhe komponentëve të tjerë, do të llogariten pikët me të cilat një kandidat do të garojë për në universitet.

Mbyllja e shkollës

Mbyllja e shkollës 22 maj

Gjuha dhe Letërsia 2 qershor

Matematika 16 qershor

Lëndët me zgjedhje 2 qershor

Formulat e pikëve sipas lëndëve

Ndryshimi i kurrikulave ka bërë që ky brez të mos ketë në dispozicion formulën standarde të përdorur 6 vitet e shkuara për llogaritjen e pikëve. Do të jenë dy të tilla. Matura e këtij viti përfundon shkollën e mesme me një grup lëndësh që përfshin kurrikulën bërthamë dhe atë me zgjedhje. Pasi të japin të gjithë provimet, ata do të plotësojnë formularin A2, me anë të së cilit do të zgjedhin 10 degët e preferuara të universitetit. Sipas MASH, përpara se ta plotësojnë, duhet të llogarisin pikët që kanë grumbulluar. Pak muaj më parë janë bërë publike edhe koeficientët, që do t’u vijnë në ndihmë kandidatëve për të bërë llogaritë. Për t’u vlerësuar maksimalisht në provimet e Maturës Shtetërore, një maturant duhet të grumbullojë 180 pikë në total. Prej tyre, 100 duhet t’i marrë në provimet me detyrim dhe 80 ose 120 pikë, në varësi të numrit të lëndëve që ka zgjedhur maturanti.

Provimet, lëndët me zgjedhje më 30 qershor

Provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, që është një provim i detyruar, do të zhvillohet në datën 2 qershor 2012. Matematika, një provim tjetër i detyruar, do të zhvillohet në datën 16 qershor 2012, ndërkohë që provimet e lëndëve me zgjedhje, si çdo vit, do të zhvillohen të gjitha në një ditë, dhe për këtë vit shkollor është caktuar data 30 qershor 2012. Viti shkollor për maturën përfundon 3 javë para klasave të tjera të shkollave të mesme, përkatësisht në datën 22 maj. Sipas MASH, çdo drejtori arsimore rajonale apo zyrë arsimore, brenda datës 24 maj 2012 duhet të dërgojë pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve emrat e të gjithë maturantëve mbetës, me qëllim që të hiqen nga listat e provimeve të Maturës Shtetërore. Për sa i përket Shkollës së Mesme Pedagogjike për minoritetin grek, në lidhje me provimin e Gjuhës dhe Letërsisë Greke do të përgatitet një tezë e veçantë nga DAR Gjirokastër. Në Shkollat e Mesme Pedagogjike për minoritetin, ky provim do të zhvillohet në datën 28 maj 2011.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama