Matura 2012 kontrolli i provimeve ne menyre dixhitale

Matura 2012, kontrolli i provimeve ne menyre dixhitale
Provimet e maturës 2012 do të kontrollohen në mënyrë dixhitale. Gjithçka e bën me dije Agjencia Kombëtare e Provimeve. Kjo masë merret në funksion të përmirësimit të procesit të Maturës Shtetërore dhe shkurtimit të kohës për daljen e rezultateve. “Sa i përket teknologjisë që do të përdoret për të vlerësuar provimet e maturës, vitin që vjen do të ketë ndryshime cilësore mjaft të mëdha. Tani po përfundojmë një projekt me një kompani austriake që do të vendosë një sistem informacioni për të mbledhur të dhënat për nxënësit”, thonë specialistët e AKP. Po kështu, vitin që vjen pritet të shtohen edhe dy provime të detyrueshme.

Një nga këto provime që do të futen për herë të parë në testimet e maturës është gjuha e huaj e parë që maturantët kanë mësuar në gjimnaz, ndërsa tjetri ka të bëjë me maturantët e shkollave profesionale. Këta të fundit, ndryshe nga më parë, kur i nënshtroheshin një testimi shkollor profesional para se të futeshin në provimet e maturës, këtë vit do të ketë edhe provime mature shtetërore profesionale. Këto ndryshime janë parashikuar edhe në projektligjin e ri “Për arsimin parauniversitar”, në të cilin përcaktohet se “në provimet e Maturës Shtetërore nxënësit japin një numër lëndësh të përbashkëta dhe një numër lëndësh me zgjedhje vetjake. Lëndët e përbashkëta për të gjithë nxënësit janë: Gjuha shqipe dhe Letërsia bërthamë, Matematika bërthamë dhe gjuha e huaj e parë. Lista e lëndëve me zgjedhje vendoset me udhëzim të ministrit”.

Kjo metodë do të shkurtojë edhe kohën e daljes së rezultateve. Sesioni i provimeve të maturës do të jetë nga data 23 maj – 30 qershor 2012.  Matura e 2012-s do të përmbajë një sërë ndryshimesh sa u takon testimeve që do të zhvillojnë maturantët. Sipas udhëzimit të shpallur nga MASH, konfirmohet se 22 do të jetë numri i lëndëve me zgjedhje dhe 16 të kurrikulës bërthamë, krahas provimeve të Matematikës, si dhe Gjuhës shqipe e Letërsisë. Gjithashtu janë përcaktuar edhe kreditet me të cilat maturantët do të hyjnë në testime qoftë për lëndët e kurrikulës bërthamë dhe asaj me zgjedhje.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama