Reformimi i procesit të Maturës Shtetërore nuk ka përfunduar ende. Masat e forta të sigurisë, të ndërmarra nga Ministria e Arsimit, për rritjen e standardit të procesit të këtij viti, do të shoqërohen me të tjera ndryshime thelbësore, që do të zbatohen vitin e ardhshëm shkollor. Burime në Ministrinë e Arsimit bëjnë me dije për gazetën “Shqip”, se matura e vitit 2014-2015, do të vijë ndryshe, me të reja, që do të nisin me strukturimin e këtij procesi, që për herë të parë do të zhvillohet në mënyrë elektronike për të përfunduar te heqja e sezonit të vjeshtës. Kështu, maturantët e ardhshëm nuk do të kenë më asnjë lloj tolerance për sa i takon një mundësie të dytë, për të fituar të drejtën për të ndjekur studimet e larta. Me përjashtimin e sezonit të dytë, vjeshtës, maturantët ngelës do të duhet të presin një vit të plotë shkollor, për t’u testuar në provimet e maturës. Mësohet se shkak për marrjen e këtij vendimi janë rezultatet tejet të dobëta të arritura gjatë procesit të maturës së këtij viti, ku rreth 35% e maturantëve u shpallën ngelës, në një apo më shumë provime. Burime në MAS shpjegojnë për “Shqip” se ky vendim synon: “Të stimulojë nxënësit për të mësuar më shumë dhe për të qenë të ndërgjegjshëm se e drejta për të shkuar në universitet duhet merituar, Ministria e Arsimit ka vendosur të përjashtojë nga rregullorja e maturës, sezonin e vjeshtës, i cili deri më tani është përdorur qëllimshëm, për të kaluar sidomos nxënësit më të dobët.
Dixhitalizimi
Provimet online të Maturës Shtetërore kërkojnë një infrastrukturë të posaçme, në shkolla, por sidomos në ato që do të përzgjidhen si qendra për zhvillimin e provimeve. Në çdo klasë, në varësi të numrit të nxënësve do të vendosen kompjuterë për secilin prej tyre. “Përvoja e deritanishme me provimet e shtetit, që sollën për herë të parë në Shqipëri praktikën e zhvillimit të testimit online, ka treguar vit pas viti, se është mënyra më e mirë, për të arritur në rezultate, që nuk kontestohen, pasi përgjigjja del në ekranin e kompjuterit të gjithsecilit”, sqarojnë burime në Ministrinë e Arsimit. Sipas tyre, edhe testet e maturës për vitin 2014-2015 do të zhvillohen në mënyrë elektronike, online, njësoj si Provimet e Shtetit, pavarësisht sesa do të jetë numri i tyre, një ose më shumë. Specialistët tregojnë se provimet do zhvillohen në kohë reale, formë që vlen edhe për marrjen e rezultatit, vlerësimit që parashikon nëse je ose jo kalues. Mësohet se zhvillimi online i provimeve të maturës, do të ketë disa ndryshime në raport me ato të shtetit, pasi po mendohet ideja e paraqitjes së notës në ekranin e kompjuterit, dhe jo: “Suksese”, siç shkruhet kur je kalues në provimin e shtetit. Mirëpo, kjo sipas burimeve nga MAS kërkon investim të konsiderueshëm pasi fillimisht do të implementohet projekti, më pas do të hartohen pyetjet, që kërkon një numër të caktuar ekspertësh.
Profesionalet
Referuar deklaratave të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, dhe Kryeministrit të vendit, Edi Rama, por edhe burimeve në MAS, disa kohë më parë, thuhet se numri i provimeve të maturës do të reduktohet, ndërsa pjesë e Maturës Shtetërore do të bëhet edhe “Matura plus 2”, e cila do të orientojë maturantët drejt shkollave profesionale, jo drejt degëve të mbingopura, si: Ekonomik, Stomatologji, Drejtësi, Farmaci apo Mjekësi.
“Matura plus 2 ka të bëjë me arsimimin profesional. Pra, një pjesë, ata më të zotët, ata që kanë punuar më shumë dhe ata që kanë më shumë ambicie do të shkojnë dhe do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre akademik. Pjesa tjetër do të vazhdojë rrugëtimin e tyre për të marrë një zanat”, tha Kryeministri i vendit, kohë më parë. Sipas tij, reforma do të jetë e gjithanshme në mënyrë që secili të marrë atë çka ka dhënë gjatë viteve të shkollimit.
Reagimi
Barisha në Facebook: “Reforma në arsim, mashtrim i Ramës”
Raporti final i reformës për arsimin e lartë, që do të gjejë zbatim vitin e ardhshëm akademik është diskutuar gjerë e gjatë nga akademikë, profesorë, së fundmi edhe nga politikanët, kryesisht nga të djathtët. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, ish-kryeministri Sali Berisha shkruan: “Projekti i ri i reformës arsimore është thjesht mashtrimi i ri i Edvin Kristaq Ramës, ndëshkimi i studentëve shqiptarë. Të dashur miq, reforma e sistemit të arsimit të lartë është një reformë jetike për garën dhe Shqipërinë e dijes. Projekti i parë i kësaj reforme u hodh poshtë, së pari nga studentët e universiteteve, por në tërësi edhe nga akademikët dhe pedagogët e tyre”. Sipas Berishës, projekti i dytë, që Edvini paraqiti dy ditë më parë, në thelbin e tij është një xhaketë e kthyer mbrapsht e projektit të parë, është mashtrimi i ri i tij i radhës. “Projekti skajon dhe përjashton studentët nga çdolloj vendimmarrjeje domethënëse në jetën universitare. Projekti kufizon veprimtarinë pedagogjike të pedagogëve në jo më shumë se dy universitete, por nuk parashikon asnjë qindarkë për rritjen e rrogave të tyre”, shton Berisha.