Pas publikimit nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve të notave të provimit të Matematikës ku kanë rezultuar 10 mijë nxënës mbetës në këtë lëndë, ka reaguar deputetja e PS-së, Ledi Shamku, e cila e ka quajtur gjendjen të mjerueshme të sistemit aktual shkollor, duke theksuar edhe një herë nevojën urgjente për një reformë të thellë arsimore për përgatitjen jo vetëm të nxënësve por edhe të mësuesve cilësorë
Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka publikuar dje listën me notat e testit Matematikës për Maturën Shtetërore. Nga të dhënat rezulton se 10 mijë nxënës janë mbetës në këtë provim, duke shënuar kështu një të katërtën e numrit total të maturantëve që kanë hyrë në provim, rreth 45 mijë. Këto të dhëna të publikuara në faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve janë zyrtarisht të konfirmuara.
Deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shamku ka reaguar në faqen e saj të Facebook-ut, duke shkruar se është krenare për transparencën e bërë nga MAS për gjendjen aktuale të shkollave, që sipas saj duket e hidhur.
“Jam shume krenare për qeverinë time, e cila nuk fshihet pas gishtit e as luan ndytas me nivelin e kalueshmërisë siç bëhej rëndom, por dëfton hapur e me kurajë gjendjen, të cilën është pak ta quash e frikshme! Jam krenare për këtë kurajë në transparencë”, – ka shkruar ajo duke bërë edhe një analizë të rezultatit.
“Ky rezultat është pak a shume i njëjtë me rezultatin e testeve ndërkombëtare të PISA-s dhe kjo përputhje vjen si rezultat i administrimit të shkëlqyer të sivjetshëm të Maturës Shtetërore, ku teza as s’u shit, e as u la të livadhisej me kopje vetëgënjyese”.
Ajo ka shtuar se të dhënat kombëtare përputhen me ato ndërkombëtare, duke u bërë një lexim të dhënave, ku një e katërtave e totalit të maturantëve janë mbetës, me 10 pikë, ndërsa vetëm 250 maturantë gjithsej në të gjithë vendin kanë kapur pikët maksimale.
“E thënë troç, gjendja e shkollës sonë del të jetë ajo që kemi thënë në të gjitha vitet e opozitës: Këtu, nxënësit o dinë, o s’dinë fare!” – shton Shamku duke thënë se nxënësit e shkëlqyer duken sikur më shumë kanë qenë fryt i talentit të tyre sesa për meritë të sistemit shkollor, pasi shifrat e mbetësve që shkojnë në 10 mijë, sipas saj dëshmon dështimin e sistemit të kaluar.
Ajo e ka lidhur mungesën e mësuesve të mirë në lëndën e Matematikës edhe me mungesën e nxitjes dhe politikave të tërheqjes së studentëve në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Gjithashtu, Shamku ka fajësuar edhe tekstet shkollore, që sipas saj janë të shëmtuara, të pakuptueshme, të pasakta dhe ajo ka shkuar më tej duke i quajtur edhe të pavlera.
“Pasojat? Ja, këto që shohim. Çereku i nxënësve mbetës dhe vetëm një grusht nxënësish që falë përpjekjeve të tyre dhe talentit, ia dalin ashtu vetiu”.
Shamku ka theksuar faktin e nevojës urgjente të reformës së thellë arsimore, duke e vënë gishtin te lëndët ekzakte që duken edhe si ‘thembra e Akilit’ për nxënësit e shkollave të mesme.
“Lypet ndërmarrë sot dhe fort kjo reformë, edhe sa i takon formimit të mësuesve edhe sa i takon teksteve shkollore, Sot dhe fort dhe me zemër!” e ka përfunduar Shamku mesazhin e saj
MAS publikon online notat e Matematikës
Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka publikuar listat e notave të provimit të Matematikës për 45 mijë e 65 maturantët që u janë nënshtruar provimeve të Maturës për vitin 2014 në të gjithë vendin dhe për të gjitha profilet, gjimnazet dhe shkollat profesionale. Megjithatë, nga numri total i maturantëve që u janë nënshtruar provimeve, 50 ka qenë numri i atyre që janë përjashtuar nga provimi i Matematikës.
Notat janë publikuar në bazë të qyteteve dhe mbajnë kodin e sekretimit për secilin nga maturantët që kanë hyrë në provim.
Më herët, zv/ministrja Nora Malaj është shprehur se Matura Shtetërore 2014 shënon edhe një standard të lartë, pas vitesh abuzimi me shitje të tezave, menaxhim i keq dhe mungesë korrektësie sipas saj. Malaj është shprehur se MAS do të marrë në shqyrtim dhe do të verifikojë çdo rast të denoncuar për shkelje dhe do të ofrojë sqarim të mëtejshëm për këdo që ka nevojë. Vlerësimi i testeve ka filluar më 12 qershor në Qendrat e Vlerësimit Tiranë, Elbasan, Shkodër, Korçë dhe Fier. Tani priten edhe rezultatet e provimeve me zgjedhje, që janë dhënë pak ditë më parë.