Matura Shteterore Aplikantet nese gabojne korrigjimet ne dy ditet e fundit

Matura Shteterore: Aplikantet nese gabojne, korrigjimet ne dy ditet e fundit

Prej ditës së djeshme, ka nisur aplikimi i formularit A1Z nga të gjithë aplikantët që e kanë përfunduar shkollën e mesme, para vitit 2014. Më herët, kanë qenë maturantët aktualë, ata që kanë bërë aplikimin e formularit A1 në portalin qeveritar, “e-albania”. Sipas të dhënave, rezulton se janë rreth 45 mijë maturantë që aspirojnë për një vend në një nga universitet publike të vendit. Sipas Arben Fagut, specialist i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, pritet që të regjistrohen edhe 12 mijë të tjerë, të cilët do të kenë shansin për t’u bërë pjesë e garës, në Maturën Shtetërore. Në intervistë për “Shekullin” ai tregon se është viti i dytë që konkurrimi nis nga portali online, “e-albania”, dhe këtë herë është punuar me anën teknike të tyre, duke dyfishuar kapacitetet për të mos pasur probleme    në regjistrimin dhe ruajtjen e të dhënave.

 Z. Fagu, sapo ka nisur aplikimi i maturantëve që kanë përfunduar shkollën e mesme para 2014- ës, pas mbylljes së aplikimeve të formularit A1 nga maturantët aktualë. Si po shkon procesi i regjistrimit?

Më duhet t’ju them se janë dy formularë aplikimi. Është formulari A1 për maturantët që përfundojnë shkollën këtë vit, dhe formulari A1Z për të gjithë ata që e kanë përfunduar më herët shkollën e mesme. Aplikimi në portalin “e-albania” ka filluar para dy javësh. Në fillim bëhet aplikimi në portalin qeveritar “e-albania” dhe pas kësaj kalohet në portalin e Maturës Shtetërore. Që nga data 17 mars, kur ka filluar aplikimi në portal dhe deri dje (pardje), që ishte dita e fundit e aplikimit për formularin A1, kryen aplikimin rreth 45 000 maturantë.    Sot (dje) ka filluar aplikimi për maturantët e viteve të kaluara. Këta maturantë kanë të drejtë për të bërë aplikimin brenda datës 29 mars. Në datat 30-31 mars, portali do të hapet sërish, sipas një plani kalendar të mirëkoncentruar, për të bërë korrigjimet që mund të jenë bërë gjatë aplikimit të këtyre ditëve.  

Edhe këtë vit aplikimi do të bëhet online për Maturën Shtetërore...Por çfarë ndryshimesh janë bërë për këtë proces?

Dihet se nuk është viti i parë që bëhet aplikimi online i formularit, por është viti i dytë. Aplikimi i formularëve A1 dhe A1Z është  bërë edhe në vitin e kaluar. Sivjet, natyrisht është më i konsoliduar, pasi janë bërë disa ndryshime në programin përkatës, që reflektonin ndryshimet që kërkon rregullorja e Maturës Shtetërore në udhëzimit përkatëse. Aplikimi po shkon shumë mirë.

Sa ish-maturantë pritet që të aplikojnë këtë vit?

Duke parë edhe numrin e aplikantëve, nga vitet e kaluara, shohim se në Maturën Shtetërore garojnë 7000 deri në 8000 mijë ishmaturantë. Sivjet, besoj se kjo shifër do të kapërcehet për shkak të një lloj liberalizimi që është bërë në rregulloren e Maturës Shtetërore. Deri në vitin e kaluar ne lejonim të aplikonin edhe ata që nuk ishin regjistruar në degë të ndryshme, por që ishin studentë të vitit të parë dhe që kishin bërë specializimin para datës 15 shkurt. Sivjet, për të mos u hequr maturantëve të vitit të dytë, që e shohin se në atë program studimi ku janë vendosur nuk kanë shanse, nuk kanë prirjen e duhur dhe nuk ecin, iu kemi dhënë mundësi, sipas rregullores të bëjnë aplikimin. Pritshmëritë janë për një shifër që shkon diku te 11 000 apo 12 000 aplikues. Në fund do të dalë edhe numri. Në këto momente që po flasim (dita e parë) kanë aplikuar për formularin A1Z, 1543, kurse deri në ditën e djeshme (pardje), aplikuan në portalin “e-albania”, rreth 45 mijë maturantë.

Nëse formulari elektronik nuk plotësohet nga maturantët apo dhe ish-maturantët, do të ketë një shans të dytë për ta apo do të ketë skualifikime?

Ky është një proces që ka afatet e veta. Aplikimi për formularin A1Z do të vijojë deri në datën 29 mars dhe dy ditët në vijim do të bëhen korrigjimet e mundshme dhe nëse ka ndonjë të vonuar mund të vendosë emrin.

Si është gjendja e serverëve kompjuterikë që kontrollojnë dhe regjistrojnë këtë proces?

Ne kemi gjithçka në kontroll, edhe për këtë pjesë. Tani për t’ju demonstruar se çfarë kontrolli po bëjmë, po ju them se shifra e aplikimeve nuk është më 1543 por është 1544 aplikantë. Ne kemi kontroll online në çdo moment. Gjithashtu, kemi fuqizuar serverët. Serverët janë në Agjencinë Kombëtare të shoqërisë së këtij institucioni dhe ne kemi dyfishuar kapacitetet për përmirësimin e këtij procesi.  

Si plotësohen A1 dhe A1Z  

Procedurat e aplikimit: 1. Pasi maturantët të kenë hapur këtë portal duhet të zgjedhin gjuhën “shqip” (djathtas lart). 2. Më pas klikohet te butoni “regjistrohu” ku duhet të hidhen të gjitha të dhënat personale .

3. Plotësimi i “kodit të përdoruesit” është faza tjetër ku maturantët duhet të vendosin numrin personal të kartës së tyre të identitetit. 4. Pas plotësimit vendoset fjalëkalimi dhe gjithashtu plotësohet dhe adresa e-mailit. Në këtë adresë maturantëve do t’ju vijnë informacionet e nevojshme që duhet të kenë për aplikimin e Maturës Shtetërore.

5. Pas e-mailit vendoset dhe numri i celularit.

6. Pasi kalohen të gjitha këto faza maturantët nën mbikëqyrjen e një mësuesi duhet të plotësojnë të dhënat personale, të cilat janë të rëndësishme.

7. Nëse të dhënat janë plotësuar me saktësi, atëherë duhet të klikohet mbi butonin “vazhdo”. 8. Në këtë moment kërkohet kodi i aktivizimit, i cili vjen në celularin tuaj si mesazh. Vendoseni kodin katërshifror dhe përfundoni regjistrimin duke klikuar më pas butonin “përfundo”. Pasi të keni ndjekur gjithë procedurat e lartë përmendura në fund do ju dalë konfirmimi se jeni regjistruar me sukses në portalin “ e-Albania”. 

A1Z, udhëzimet për maturantët para 2014-ës

Ministria e Arsimit dhe Sportit: Në formular të ruhet ID e maturës së fundit

Në këtë kategorinë e kandidatëve që do të plotësojnë formularin A1Z, nuk bëjnë pjesë vetëm kandidatët që nuk kanë aplikuar më herët në provimet e maturës, por edhe ata që kanë marrë pjesë edhe gjatë viteve të mëparshme në garën e pranimeve në universitete, por që nuk janë shpallur fitues, ose nuk kanë fituar degën që preferonin. Ministria e Arsimit sqaron në një udhëzim të veçantë rregullat që duhet të kenë parasysh këta kandidatë gjatë plotësimit të formularit A1Z për të bërë atë të vlefshëm. Kështu, për përcaktimin e degës së shkollës, këta kandidatë duhet t’i referohen tabelës së ekuivalentimit të profileve të shkollës për të gjitha vitet. Ministria ka detajuar profilet e shkollave të mesme para vitit 2014, përkrah drejtimeve aktuale.

Ministria sqaron se, meqë këta kandidatë nuk do t’i nënshtrohen gjuhës së huaj si provim i detyruar, gjatë plotësimit të formularit A1Z në fushën “Lënda D3” duhet të zgjidhet opsioni “Nuk zgjedh A1Z”. Një tjetër rregull që duhet të kenë parasysh   gjatë plotësimit të formularit online maturantët e vjetër, që i janë nënshtruar edhe më parë provimeve të Maturës është ruajtja e kodit personal. “Për aplikantët A1Z, të cilët kanë marrë pjesë në Maturën Shtetërore të viteve 2006-2013 dhe kanë një ose disa ID të maturës, në kutinë ‘ID e vjetër’ e maturës do të shënohet ID-ja e fundit që ka marrë ky nxënës.

Për shembull, nëse nxënësi ka marrë pjesë në maturën 2007 e maturën 2013 dhe nëse në 2007-ën kishte ID 23564, ndërsa në maturën 2013 kishte ID 13292310017 6, atëherë gjatë aplikimit me A1Z, në kutinë ‘ID e vjetër’ e maturës duhet të vendoset ID 13292310017 6, shpjegohet në udhëzimin e MAS. Ndërsa kandidatët që nuk kanë marrë pjesë ndonjëherë në provimet e maturës, kutinë, “ID e vjetër” duhet ta lenë bosh. Maturantët do të kenë pesë ditë kohë në dispozicion për plotësimin e formularit A1Z, që është kushti i domosdoshëm, që ata të regjistrohen për të marrë pjesë në garën e pranimeve në universitet publike të vendit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama