Matura Shteterore programi orientues i Gjuhes Shqipe dhe Letersise

Matura Shteterore, programi orientues i Gjuhes Shqipe dhe Letersise

Ditën e premte, rreth 45 000 maturantë në të gjitha shkollat e vendit do të zhvillojnë provimin e dytë të detyruar, atë të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Ndërkohë vetëm 2 javë më parë, nxënësit e shkollave të mesme kanë përfunduar provimin e parë të detyruar, atë të Gjuhës së Huaj dhe pasi janë njohur me rezultatet, tashmë janë duke bërë përgatitjet përfundimtare të këtij provimi. Guida e Maturës Shtetërore e publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit përmban datat, kohëzgjatjen e provimeve si dhe rregullat që duhet të zbatojnë gjatë kohës së provimit rreth 45 mijë maturantët, të cilët tashmë e kanë përfunduar ciklin shkollor dhe aplikojnë drejt rrugës për në universitet.

Për herë të parë koha e vënë në dispozicion të tyre për provimet me zgjedhje do të jetë 4 orë, e cila në ndryshim nga vitet paraardhëse ka qenë 1 orë më pak. Këtë vit maturanti nuk do të quhet kalues nëse do të marrë më pak se 20 për qind të pikëve të testit. Ndërsa pesha e mesatares së shkollës së mesme është vlerësuar me 26 për qind, nga 20 për qind që ishte një vit më parë. Po ashtu, risia e këtij viti është plotësimi online i formularit A2, në të cilin nxënësit do të kenë mundësinë të zgjedhin 10 degët ku dëshirojnë të ndjekin studimet universitare. Provimet i jep maturanti i vitit shkollor 2013-14, që ka përfunduar me sukses vitin e fundit shkollor dhe ka plotësuar Formularin A1, si dhe të gjithë ata ish-maturantë që kanë plotësuar formularin A1Z në javën e fundit të marsit.

Si është hartuar testi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë

Në 30 maj në orën 10:00 në ambientet e paracaktuara nga drejtoritë arsimore të rretheve, do të nisë provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ndërsa 10 ditë më vonë do të zhvillohet provimi i Matematikës, që do të pasohet nga provimi i fundit, ai me zgjedhje në datën 16 qershor. Këto të fundit për herë të parë do të zgjasin 4 orë, duke u dhënë kandidatëve më shumë kohë në dispozicion, për t’iu përgjigjur pyetjeve të provimeve që vetë ata kanë zgjedhur. Programi orientues i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe është mbështetur në kurrikulën bërthamë të kësaj lënde, në udhëzuesin për zhvillimin e kurrikulës së re të gjimnazit, në standardet e fushës së gjuhës shqipe dhe letërsisë, si dhe në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Në hartimin dhe zhvillimin e këtij provimi është përcaktuar që programi i shkollës së mesme të mos paraqitet me tema mësimore, por me objektiva, duke e vënë theksin te rezultatet e maturantëve. Objektivat e programit të lëndës së gjuhës shqipe dhe letërsisë realizohen nëpërmjet teksteve (tekst tregimtar, tekst poetik, tekst dramatik, tekst bindës/argumentues, tekst përshkrues, tekst shpjegues, tekst informativ, tekst eseistik, tekst kulturologjik). Kësisoj, testi i Maturës Shtetërore do të ketë në përbërje fragmente nga tekste të ndryshme (tekst tregimtar, tekst poetik, tekst dramatik, tekst bindës/argumentues, tekst përshkrues, tekst shpjegues, tekst informativ, tekst eseistik, tekst kulturologjik), jo domosdoshmërisht të punuara në klasë.

Maturanti testohet për aftësitë intelektuale të vëzhgueshme dhe të matshme, të synuara nga programi dhe të zhvilluara në lëndën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë, të tilla si: Aftësia për të identifikuar dhe për të kuptuar (nivel bazë i aftësive intelektuale), aftësia për të analizuar dhe zbatuar (nivel mesatar i aftësive intelektuale) dhe aftësia për të vlerësuar, për të gjykuar, për të marrë dhe për të mbrojtur qëndrime të caktuara (nivel i lartë i aftësive intelektuale). Ndërsa, struktura e testit do të përbëhet në masën 45 për qind nga teksti letrar dhe në pjesën e dytë është hartuar teksti jo letrar në masën 55 për qind. Kjo do të thotë që në përgatitjen e maturantëve për provimin e Maturës Shtetërore, do të punohet për përvetësimin e aftësive dhe teknikave zbuluese, shpjeguese, zbatuese, analizuese, sintetizuese dhe vlerësuese.

Këto aftësi dhe teknika, nxënësit do t’i demonstrojnë dhe do t’i zbatojnë në tekste tregimtare, poetike, dramatike, bindëse/argumentuese, përshkruese, shpjeguese, informative, eseistike, kulturologjike, të punuara apo jo më parë në klasë. Pra, nxënësit duhet të aftësohen për objektivat e programit orientues. Ata duhet të jenë të aftë të demonstrojnë arritjet e tyre në të gjitha llojet e teksteve. Përqindja e pikëve për secilin nivel në matjen e aftësive intelektuale të maturantëve do të jetë në masë të njëjtë te niveli bazë dhe ai mesatar me 40 për qind, ndërsa niveli i lartë do të llogarisë 20 për qind të aftësimit. 

 

Përmbajtja e testit, pikët që të bëjnë kalues 

Para se të futen në provime, maturantët e dinë që nëse nuk marrin 20 për qind të pikëve të testit, konsiderohen jo kalues. Përcaktimi i pikëve dysheme është një nga risitë e maturës së këtij viti, e cila sipas specialistëve dhe monitorueseve të Maturës Shtetërore pritet të sjellë rritjen e cilësisë së nxënësve që do të fitojnë të drejtën e studimit në universitet. Testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 do të jenë me alternativa, që vlerësohen me nga 1 pikë secila, dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen së bashku me 37 pikë. Në total, numri maksimal i pikëve që mund të arrijë të marrë një maturant, nëse përgjigjet saktë do të jetë 50. Që maturanti të quhet kalues në provimet me detyrim, duhet të marrë jo më pak se dhjetë pikë në secilin prej tyre.

Ndërsa testi për secilin nga provimet me zgjedhje, do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me 1 pikë secila dhe 10 pyetje me zhvillim që vlerësohen me 30 pikë në total. Testi vlerësohet maksimalisht me 40 pikë dhe me kriteret e vendosur (një maturant është kalues me 20 për qind të pikëve të testit), në provimet me zgjedhje ai duhet të marrë minimalisht 8 pikë, pra notën 4.5, që të quhet kalues. Maturantët mbetës në këto provime kanë të drejtën e provimit në sezonin e dytë.

Formulari A2

Për të fituar të drejtën e studimit në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik të Shqipërisë, çdo kandidat që aspiron për të vazhduar studimet e larta, duhet të plotësojë formularin A2 online, sipas kalendarit dhe udhëzimeve përkatëse që do të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Çdo maturant/ kandidat ka të drejtë të përzgjedhë jo më shumë se 10 programe studimi. 

 

Formula e pikëve

Këtë vit është rritur pesha e notës mesatare të viteve shkollore me 6 për qind dhe kjo ka bërë të mundur uljen me 3 për qind për provimet me zgjedhje. Por si do të procedojnë maturantët për llogaritjen e pikëve që do të mbledhin në provime? M, D1,D2, Z1 dhe Z2, janë përkatësisht pikët mesatare të shkollës së mesme, vlerësimet në lëndët e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje. K, F1 dhe F2 janë simbole për koeficientin e shkollës dhe koeficientet e lëndëve me zgjedhje të propozuar nga Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (IALP). Llogaritja e shumës “S”, të pikëve, të kandidatëve që rezultojnë kalues në provimet me detyrim dhe zgjedhje bëhet me formulën: S = [26*M + 20 (D1 +D2) ]*K +17*(Z1*F1 + Z2*F2)]*5. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama