Matura Shteterore vleresimi nis nga nota zero

Matura Shteterore, vleresimi nis nga nota zero

Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Lindita Nikolla, ka deklaruar se do të bëhet një reformim në sistemin arsimor me rregulla të forta për të rikthyer meritokracinë në shkollat e larta. Ajo tha se këto nisma po ndërmerren për shkak se në shkollat e larta janë futur nxënës të cilët nuk e meritojnë të jenë aty.

“Ne kemi vendosur që të nisim ndërhyrjen pikërisht nga ky sistem. Vetëm duke rritur cilësinë e arsimit parauniversitar do të kemi prurje më të mira në shkollat e larta. Vitet e fundit testet e maturës, vlerësimi dhe administrimi i provimeve kanë ardhur duke u thjeshtëzuar. Në këtë mënyrë, në shkollat e larta janë futur nxënës të cilët nuk e meritojnë të jenë aty. Duhet të marrë njëherë e përgjithmonë fund koncepti se të gjithë nxënësit do bëhen me shkollë të lartë”, tha Nikolla.

Sipas saj, prioritet do t’i jepet arsimit profesional, në mënyrë që të ketë hapësira edhe për ata nxënës të cilët nuk kanë rezultate të mira në gjimnaz, por duan të investohen për një jetë më të mirë. “Dyert e universiteteve nuk mund të jenë të hapura për këdo, por, nga ana tjetër, shanset do t’i jepen çdo të riu. Kjo është arsyeja pse ne kemi vendosur të forcojmë Maturën Shtetërore. Sigurisht që nuk mund të rikthehen konkurset, pasi ka vite që është vënë në zbatim dhe maturantët tashmë e kanë asimiluar këtë formë pranimesh. Ajo që ne do bëjmë, është reformimi i Maturës Shtetërore”, tha Nikolla.

Nikolla tha se për të forcuar maturën shtetërore vlerësimi duhet të nisë që nga zero dhe sipas saj për të merituar notën 4 duhet t’u përgjigjesh saktë disa pyetjeve. “Për të shkuar te nota 4 nxënësi duhet t’u përgjigjet saktë disa pyetjeve në testim. Duke ulur këtë kufi ne arrijmë të mundësojmë një vlerësim më të saktë për nxënësit, duke i dhënë atë që i takon gjithsecilit. Pra ky prag do të ulet”, tha Nikolla.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama