Matura dalin rregullat e reja per provimet e vjeshtes

Matura, dalin rregullat e reja per provimet e vjeshtes
Ministria e Arsimit përcakton rregullat e reja si dhe datat e mbajtjes së provimeve të vjeshtës, për më shumë se 6 mijë maturantë që rezultuan jokalues në katër testet e Maturës. Maturantët do të kenë në dispozicion tri data të ndryshme, për t’iu nënshtruar provimit të Gjuhë-Letërsisë, Matematikës, dhe dy provimeve me zgjedhje që do të zhvillohen përsëri në të njëjtën ditë. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka firmosur së fundi udhëzimin “Për masat për zhvillimin e provimeve të sesionit të dytë

të Maturës Shtetërore 2011, sipas të cilit, tri datat e zhvillimit të provimeve të vjeshtës për Maturën do të jenë: 9, 13 dhe 17 shtator. Krahasuar me sesionin e parë të Maturës, distanca kohore që maturantët do të kenë nga një provim në tjetrin është disa herë më e vogël, vetëm katër ditë. Ndërsa për provimet e sesionit të parë që u mbajtën brenda harkut kohor 1-30 qershor, maturantët kishin gati 2 javë pushim për secilin prej tyre. Sipas autoriteteve të arsimit ka një numër të konsiderueshëm maturantësh, të cilët kanë më shumë se një provim për të dhënë në sezonin e vjeshtës. Sakaq, provimet në këtë sezon do t’i japin ata që kanë mbetur në lëndët e detyruara, apo me zgjedhje, ata që për shumë arsye nuk e ka dhënë një apo më shumë provime, si dhe maturantët neglizhentë që nuk kanë plotësuar Formularin A1.

Sipas vendimit të MASH, kjo kategori nxënësish do të ritestohet në sezonin e vjeshtës, gjë që do t’u japë mundësinë për të vijuar shkollën e lartë në universitetet private, ose të ndjekin studimet me kohë të pjesshme, pasi ata nuk mund të bëhen pjesë e garës së sivjetshme për pranimet në universitetet publike. Secili prej maturantëve që dëshiron të futet në sezonin e vjeshtës, duhet të regjistrohet në shkollën ku ka përfunduar arsimin e mesëm, nga data 28 deri në 31gusht 2011. Lidhur me Formularin A2, specialistë të arsimit parauniversitar shprehen se maturantët nuk duhet të shqetësohen, pasi mund të ketë edhe spostim të preferencave, duke siguruar se do të marrin pozicionin e merituar në bazë të pikëve që ata disponojnë. Për maturantët, kjo është faza kur ata vendosin për degët që duan të vazhdojnë studimet e larta. Në këtë rast, ata nuk duhet të nxitojnë për të bërë përzgjedhjet, pasi ka ende mjaftueshëm kohë për të vendosur preferencat e tyre. Datat e fundit të dorëzimit të Formularit A2 është 29 korriku.

Sipas të dhënave nga MASH, në provimin e Matematikës me notën 4 janë vlerësuar 4.93% e maturantëve, ndërsa në provimin e Letërsisë kanë rezultuar mbetës rreth 2.8% . Në dy provimet me zgjedhje, numri i maturantëve mbetës ka qenë edhe më i lartë, 9%.

PROVIMET E SESIONIT TË DYTË TË MATURËS SHTETËRORE

Datat e provimeve

Provimet e sesionit të dytë të Maturës Shtetërore 2011, do të zhvillohen në datat si më poshtë:

Gjuha shqipe dhe Letërsia 9 shtator 2011

Matematika 13 shtator 2011

Provimet me zgjedhje 17 shtator 2011

Kohëzgjatja dhe pyetjet

Në sesionin e dytë provimet e Maturës Shtetërore të fillojnë në orën 10:00.

Për maturantët/kandidatët që do të japin provim njërën nga lëndët me zgjedhje, provimi të fillojë në orën 12.00 dhe të zhvillohet në mjedise të veçanta.

Testi për secilin nga provimet e detyruara të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje të jenë me përgjigje alternative dhe të vlerësohen me 13 pikë, kurse 12 pyetje të jenë me zhvillim dhe të vlerësohen me 37 pikë.

Provimet e lëndëve të detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta secila.

Provimet e lëndëve me zgjedhje të zgjasin 2 orë për secilën lëndë.

Testi për secilin nga provimet me zgjedhje të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje të jenë me përgjigje alternative dhe të vlerësohen me 10 pikë, kurse 10 pyetje të jenë me zhvillim dhe të vlerësohen me 30 pikë.

Hartimi i testeve

Përzgjedhja e testit për secilin nga provimet e sesionit të dytë Maturës Shtetërore 2011 do të kryhet nga specialistë të caktuar prej ministrit të Arsimit, të cilët emërohen përzgjedhës të testit përfundimtar (PTP) në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit, brenda ambienteve të izoluara të AKP-së. Pas përzgjedhjes së testit, të kryhet shumëfishimi dhe paketimi i testbroshurave nga AKP-ja. Periudhat kohore të ekspozimit potencial të sekretit (KOEPS-eve) për sesionin e dytë të Maturës Shtetërore 2011 do të jenë:

6 shtator-9 shtator 2011, për lëndën “Gjuhë shqipe dhe letërsi”

10 shtator-13 shtator 2011, për lëndën “Matematikë”

14 shtator-17 shtator 2011, për lëndët me zgjedhje.

Maturantët që do të marrin pjesë në sesionin e dytë

Në provimet e sesionit të dytë të Maturës Shtetërore 2011 kanë të drejtë të marrin pjesë:

Maturantët/kandidatët që rezultuan mbetës në një ose më shumë provime në sesionin e parë të Maturës Shtetërore 2011.

Maturantë që rezultuan mbetës në vitin shkollor 2010-2011 dhe i shlyejnë provimet shkollore në datat 25 gusht dhe 27 gusht 2011.

Maturantët e mësipërm duhet të regjistrohen në shkollën ku kanë përfunduar arsimin e mesëm, nga data 28 deri në 31gusht 2011. Për këtë kategori është i vlershëm Formulari A1/A1Z, të plotësuar në muajin mars 2011.

Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2011, por nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore dhe, për arsye të ndryshme, nuk kanë plotësuar formularin A1Z.

Këta kandidatë duhet të plotësojnë Formularin A1Z nga data 28 deri më 31gusht 2011 në shkollën ku kanë përfunduar arsimin e mesëm.

Shtetasit që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit.

Këta kandidatë duhet t’i nënshtrohen provimit të zotërimit të gjuhës shqipe, ose provimeve të detyrueshme dhe me zgjedhje, në rast se nuk kanë dhënë provimet ekuivalente me Maturën Shtetërore.

Drejtori i shkollës duhet të dërgojë zyrtarisht në DAR/ZA listën e maturantëve/kandidatëve që do të marrin pjesë në provimet e sesionit të dytë të Maturës Shtetërore 2011, në datën 30 gusht 2011. Drejtori i DAR/ZA-së do ta dërgojë këtë listë në AKP në datën 1 shtator 2011, së bashku me tabelën T për kandidatët që do të plotësojnë Formularin A1Z.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama