Njësoj si në provimin e Letërsisë, edhe për Matematikën do të jenë disa lloje testesh, të cilat do të diferencohen ndërmjet tyre sipas llojit të shkollë së mesme, ku përfshihen: gjimnazi 2013, maturat artistike, koreografike, sportive me kohë të shkurtuar, gjimnazi me drejtim natyror e shoqëror, pedagogjikja, seksioni dygjuhësh, si dhe shkollat e tjera profesionale. Kështu, nxënësit që kanë mbaruar shkollat e mesme profesionale, qoftë të natyrave artistike apo sportive, nuk do të kenë të njëjtën shkallë vështirësie të pyetjeve si ata që kanë mbaruar shkollën e mesme te profilizuar me drejtim natyror apo shoqëror etj.
Duke iu referuar këtyre përcaktimeve maturantët duhet të jenë të kujdesshëm në përgatitjet finale që duhet të bëjnë për këtë provim, në mënyrë që të mos rrezikojnë humbjen e pikëve gjatë plotësimit të testit. Në programet orientuese të matematikës, është përcaktuar rëndësia që do të ketë secila nga 7 linjat bazë të temave që maturantët duhet të përvetësojnë për këtë testim. Funksioni, gjeometria, njehsimi diferencial e integral, si dhe statistika e probabiliteti do të zënë dhe pjesën më të madhe të pyetjeve që do të ketë testi i matematikës.
Në mënyrë më të detajuar gjeometria, funksioni e njehsimi diferencial do të kenë 60 për qind të pyetjeve në provimin e matematikës. Kërkesat e provimeve do të jenë dy llojesh, me zgjedhje të shumëfishtë dhe me shtjellim të argumentuar. Zgjidhja e problemave do të zërë një pjesë të rëndësishme të pyetjeve që duhet të plotësojë nxënësi. Testi do të përmbajë pyetje për të tre nivelet e vështirësisë në raportet 40 për qind të pyetjeve në nivelin nën mesatar, 40 për qind për nivelin mestar dhe 20 për qind për nxënësit me rezultatet të larta. Pas provimit të Matematikës, maturantëve u mbeten vetëm provimet me zgjedhje, të cilave do t’u nënshtrohen më 30 qershor. Në këtë mënyrë ata mbyllin një cikël të rëndësishëm në jetën e tyre, për të nisur më pas garën universitare.