Matura nxenesit Testi i letersise mesatar

Matura, nxenesit: Testi i letersise, mesatar
Vlerësimi i tezave, i trefishtë. Më datë 12 qershor publikohen rezultatet

Rreth 45 mijë maturantë zhvilluan testin e parë të Maturës Shtetërore, atë të letërsisë dhe gjuhës shqipe. Të ulur në bankat e auditorëve në orën 10:00, nxënësit nisën plotësimin e tezës që përfshinte lëndën e gjuhës dhe letërsisë, ndonëse pyetjet ishin të ndara për secilën prej tyre. Bazuar në rregulloren e maturës, testi përmbante 25 pyetje dhe 1 ese, ku mes tyre 13 pyetje ishin me alternativa, ndërsa 12 me zhvillim. Ndërkohë të rinjtë kishin në dispozicion dy orë e gjysmë për plotësimin e testit, ndërsa nuk u lejua që maturantët që përfundonin provimin përpara këtij afati të dilnin jashtë fakultetit. Kështu administratorët e maturës kishin marrë të gjitha masat që maturantët, të cilët largoheshin nga provimi pa e plotësuar atë apo ata që i përgjigjeshin pyetjeve brenda harkut kohor të përcaktuar nga MASH, të grumbulloheshin në një sallë auditori për të mos penguar zhvillimin e procesit.

Zyrtarisht sqarohet se 26 mësuesit të cilët hartuan tezat dolën nga “izolimi” dy net më parë, kur në fakultete nisi shpërndarja e tezave. Transportimi i fletëve të provimit nisi dy net më parë, fillimisht me rrethet e largëta, për të vazhduar me qytetet e tjera.

Ndryshe nga viti i kaluar, kur maturantët ngritën shqetësimin për shkallën e vështirësisë së provimit, sivjet situata dukej më e qetë. Kjo për shkak se nxënës të ndryshëm të shkollës së mesme “Sami Frashri” pohuan se niveli i njohurive të testit ndahej në tri shkallë, i lehtë, mesatar dhe i vështirë. Kjo do të thotë se maturantët e gjenin veten në secilën prej tyre. Ata duken sa të qetë aq edhe në tension për të mësuar përgjigjet e sakta të pyetjeve, të cilat janë publikuar dje pasdite në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit.

Korrigjimi

Ankthi i maturantëve pritet të përfundojë pas dhjetë ditësh, katër ditë përpara zhvillimit të testit të dytë të detyruar të maturës, matematikës. Zyrtarisht thuhet se procesi i vlerësimit të tezës së letërsisë parashikohet që të mbyllet më datë 12 qershor. Afishimi i listimit të notave të maturantëve do të bëhet në shkollat përkatëse të tyre. Specialistët e përzgjedhur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të nisin korrigjimin e tezave javën e ardhshme. Bazuar në rregulloren e Maturës Shtetërore, afati final për mbylljen e korrigjimeve dhe afishimit të tyre është data 19 qershor, edhe pse pritet që përfundimi i tij të jetë para afatit të përcaktuar, më datë 12 qershor. Njësoj si vitin e kaluar, edhe sivjet, vlerësimi do të kalojë në tri “faza”. Kjo do të thotë që procesi i korrigjimit të testeve do të jetë i dyfishtë, ndonëse nuk përjashtohet edhe vlerësimi i trefishtë, në rastet kur ai do të jetë i nevojshëm. Faza e parë është ajo e korrigjimit nga një mësues i kualifikuar, i cili nuk ka të drejtë të vendosë notë, por vetëm të bëjë shënime për parregullsitë që konstaton. Ai do të përdorë një ngjyrë të caktuar për shënimet që bën, në mënyrë që kur teza të kalojë në fazën e dytë, te një specialist i kualifikuar i fushës, të mos ketë keqkuptime në vlerësim. Kështu i dyti do të përdorë një ngjyrë tjetër, të dallueshme nga e para tek të gjitha ato përgjigje që janë të gabuara, duke përfshirë edhe ato që janë të korrigjuara nga vlerësuesi i parë. Pas kësaj, sipas Ministrisë së Arsimit, do të vërehen me shumë kujdes të gjitha shënimet e bëra nga dy vlerësuesit. Nëse korrigjimet e tyre, rakordojnë me njëra-tjetrën, nuk do të kalohet në një vlerësim të tretë, në të kundërt çdo tezë që do të ketë probleme të këtij lloji, do t’i nënshtrohet edhe një vlerësimi të tretë, që do të vendosë përfundimisht notën përkatëse.

Berat, testohen 2 mijë maturantë

Rreth 2 mijë maturantë në Rrethin e Beratit iu nënshtruan dje testit të parë të Maturës Shtetërore, letërsisë dhe gjuhës shqipe. Ai u zhvillua në shtatë qendra testimi, të cilat ishin pozicionuar në qytet. Sivjet, Bashkia e Beratit dhe dhjetë komunat e saj vendosën që provimet e maturës të zhvillohen në shkollat e qytetit. Mësohet se organizimi ka nisur dy ditë më parë nga Drejtoria Rajonale e Arsimit, drejtoritë e shkollave të mesme dhe përfaqësuesit e ardhur nga Ministria e Arsimit. Shtatë ambientet ku u zhvillua provimi i parë i letërsisë u monitoruan nga përfaqësuesit e MASH-it dhe uniformat blu të policisë, të cilët qëndruan në derën e jashtme të shkollave. Zyrtarisht sqarohet se nxënësit u testuan në tre auditorë të një universiteti privat dhe në klasat e tri shkollave të mesme.

Shefja e Kurrikulës dhe Cilësisë në Drejtorisë Rajonale të Beratit, Liljana Bici, tha se provimi i parë u zhvillua normalisht, ndërkohë që baza materiale është grumbulluar dhe është gati për t’ju përcjellë Ministrisë së Arsimit. M.Si

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama