Matura risite dhe detyrimet per vitin e ardhshem

Matura, risite dhe detyrimet per vitin e ardhshem
Mijëra maturantë kanë filluar përgatitjet për vitin e ardhshëm akademik. Por para se të fitojnë statusin e  studentit do të ndeshen me një sërë risish që nuk i ka kaluar kurrë më parë ndonjë brez tjetër. Madje për të marrë diplomën e shkollës së mesme maturantëve iu duhet të shlyejnë disa detyrime të cilat nuk kanë qenë më parë. Shërbimi në komunitet apo edhe një projekt- kurrikula i realizuar nga vetë nxënësi janë disa nga detyrimet e maturantit.

Kështu ky vit ka sjellë një sërë ndryshimesh me të cilat do të përballen maturantë, mësuesit dhe prindërit e tyre. Por si i shpjegojnë ekspertët këto ndryshime dhe si i komentojnë mësuesit dhe nxënësit. Drejtori i Arsimit Parauniversitar, në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu shpjegon detajet në lidhje këto risi. “Mësuesit mundohen të na shpjegojnë modelin e ri që do ndiqet këtë vit për maturën dhe procedurat e pranimit në universitete. Është një ngarkesë e madhe dhe risitë gjithmonë kërkojnë më shumë punë për tu kuptuar. Problemi është se tashmë janë edhe kreditet dhe zgjedhja e lëndëve duhet të bëhet me kujdes, sepse mund të skualifikohesh ende pa u futur në provime”, pohon Elena Myrto maturante në vitin e tretë. Në fakt nuk është e vetmja e cila ka nisur konsultimet për maturën dhe vështirësitë janë evidente.

Tashmë maturantët e çdo shkolle kanë mësuesit përkatës, të cilët u shpjegojnë hapat që duhet të ndjekin për të mbaruar gjimnazin dhe më pas për tu pranuar në universitetet.

Shpresa Bejo, mësuese në gjimnazin “Qemal Stafa” thotë se ndryshimi i parë është fakti se këtë vit për herë të parë është brezi 3-vjeçar që jep provimet e maturës shtetërore ndryshe nga vitet e kaluara që ka qenë brezi 4-vjeçar. Kështu që të mbarosh gjimnazin duhet të ndjekësh 3 blloqe lëndësh. Blloku i parë janë lëndët bërthamë, ose lëndët bazë pikërisht ato lëndë që janë bërë gjithmonë si fizikë letërsi, kimi biologji etj.

Blloku i dytë janë lëndë më zgjedhje të detyruara dhe blloku i tretë janë lëndë më zgjedhje të lirë. Kështu një nxënësi i duhet të fillojë të zgjedhe lëndët sapo të mbarojë vitin e parë. Sa i takon lëndëve me zgjedhje të lirë pavarësisht se do t’i zgjedhë nxënësi në fakt nuk ka shumë zgjedhje për të bërë, sepse në letra janë shumë, por nxënësit nuk mund të zgjedhin as muzikën, as vallëzimin, as teatër, as sportet apo gjera të tjera për shkak të mungesës së këtyre opsioneve në shkolla. Kështu që në këto zgjedhje të lira nxënësve nuk i’u mbeten shumë zgjedhje.

“Tek lëndët bërthamë nxënësit duhet të sigurojnë 73 kredite, te lëndët me zgjedhje të detyruar duhet të sigurojnë 10 deri në 12 kredite, ndërsa tek zgjedhjet e lira 5 deri në 7 kredite. Nëse nxënësit nuk mund të sigurojnë 90 kredite në total nuk mund të bëjnë futen në provimet për në universitete”, shpjegon drejtori i Arsimit Parauniversitar Fatmir Vejsiu.

90 kredite duhet të ketë çdo maturant që të pranohet për provimet në universitet

73 kredite kanë në total blloku i lëndëve bërthamë të detyrueshme për maturantët

18 orë të detyrueshme duhet të bëjë çdo maturant në shërbime komunitare

18 orë duhet të bëjë të detyrueshme çdo maturant me kurrikulat mësimore

Përzgjedhja e lëndëve të gabuara mund tiu skualifikojë

Degët në gjimnaz, prindi zgjedh për fëmijën

Një ndër pikat më të rëndësishme të maturës është përzgjedhja e lëndëve. Në fakt kjo përzgjedhje ndryshe nga sistemet e tjera të maturës tashmë duhet të nisë që në vitin e parë, kur nxënësi ende nuk ka arritur moshën e përgjegjshmërisë. “Kur vjen në gjimnaz  duhet që të bësh përzgjedhjen që në fillim se çfarë dege do të ndjekësh.

Në këtë moshë nxënësi është i papërgjegjshëm për të bërë zgjedhjen e degës ndaj kur bëhet kjo përzgjedhje e lëndëve duhet prania e prindërve, i cili duhet të firmosë për lëndët që zgjedh”, pohon njëri nga mësuesit e gjimnazit. Më tej shpjegohet se lëndët me zgjedhje për në universitet duhet t’i japësh jo më pak se 2 dhe jo më shumë se 3 lëndë. Dhe shuma e krediteve të lëndëve që do japësh do të jetë minimumi 8 kredite. Gjithashtu duhet të përcaktohet cilat janë lëndët bërthamë që ke të drejtë të kombinosh me lëndët me zgjedhje të detyruar dhe që quhen lëndë të thelluara. Në këtë kurrikulë të re gjithashtu të jepet mundësia edhe për një gjuhë të dytë të huaj.

“Është matura e parë me këtë strukturë e përshtatur me atë të Europës dhe të botës. Nxënësit dhe prindërit akoma nuk janë të qartë në lidhje me modelin e ri të maturës. Duhet një sqarim i detajuar, sepse mund të bëhet përzgjedhje e gabuar e lëndëve sepse mund të mos i plotësohen kreditet apo nuk mund të siguronte atë degë që dëshironte për shkak të zgjedhjeve të gabuara”, pohojnë mësuesit.

Kush nuk bën 18 orë punë nuk merr diplomën e shkollës

Shërbimi komunitar i detyrueshëm për maturantët

E kush do ta mendonte se shërbimi komunitar do të jetë më detyrim për çdo maturant dhe askush nuk do të mundet të marrë diplomën e shkollës së mesme dhe aq më tepër të pranohet në universitet nëse nuk ka kryer shërbimin komunitar. “Kjo është me detyrim për të gjithë nxënësit pa asnjë dallim. Edhe një fëmijë deputeti a ministri edhe fëmijët e punëtorëve të thjeshtë do të kryejnë me detyrim shërbim komunitar”, pohon drejtori i Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu duke shtuar se ky shërbim do të jetë plot 18 orë.

Më tej u shpjegua se shërbimi komkunitar i nxënësit është veprimtari konkrete e kryer nga nxënësit, jashtë orarit mësimor, pa shpërblim financiar, në dobi të njerëzve në nevojë (të sëmurëve, të droguarve, handikapëve, jetimëve, të varfërve, të papunëve, të moshuarve, fëmijëve etj.) apo në shërbim të komunitetit (si mbrojtja e mjedisit nga ndotja dhe organizimi i veprimtarive sociale e komunitare.

Sipas ekspertëve të arsimit synimi i shërbimit komunitar është të përforcojë përgjegjësitë e nxënësit si individ i një komuniteti dhe se objektivat e përgjithshme të shërbimit komunitar janë të formojë te nxënësit prirjen për vullnetarizëm si një qëndrim gjatë gjithë jetës, të formojë te nxënësit prirjen për t’u përkujdesur për njerëzit në nevojë si një qëndrim gjatë gjithë jetës; t’i ndërgjegjësojë nxënësit për nevojat e komunitetit, t’i informojë rreth përpjekjeve për kujdes social në komunitet dhe t’i bëjë nxënësit të ndihen të vlefshëm për komunitetin.

Shërbimi komunitar mund të kryhet pranë një organizate jofitimprurëse, në institucionet publike si spitalet, çerdhet, kopshtet, azilet etj. “Komisioni i shërbimit komunitar siguron për nxënësit informacion të mjaftueshëm për shërbimet e mundshme komunitare, shqyrton dhe miraton shërbimet komunitare të propozuar nga vetë nxënësit, harton një listë për shërbimet e ndryshme komunitare, pohojnë ekspertët e arsimit.

Projekti kurrikulare në nivel shkolle ose klasash

Secili nxënës është i detyruar që të marrë pjesë në një numër orësh mësimore për projektet në nivele shkolle ose klasash. Për 3 vite numri i orëve është gjithsej 18. “Kështu të 18 orët që një nxënës ka detyrim të punojë në projekte të tilla mund të realizohet brenda një viti shkollor ose të ndahet në më shumë se 1 vit shkollor.

Këto orë janë të planifikuara për tu zhvilluar në mjediset e shkollore nën drejtimin e mësuesit dhe shënohen në regjistër njësoj si lëndët e tjera“, pohojnë ekspertët e arsimit. Ekipi kurrikular i shkollës cakton ngarkesën në orë mësimore, të seicilit mësues të përfshirë në një projekt të tillë. Më tej shpjegohet se projekte të tilla mund të organizohen nga organizma jashtëshkollore si OJF-të, ambasadat etj. Në këto raste të dy palët që janë shkollat dhe organizmi që merr përsipër projektin nënshkruajnë një marrëveshje ku përcaktohen detyrimet e të dyja palëve.

Përforcimi

Përforcimi është ndihmesë për nxënësit me vështirësi në të nxënës. Ai planifikohet nga shkolla vetëm për lëndët bërthamë. Qëllimi i përforcimit është tu japë mundësi nxënësve që të arrijnë nivelin minimal të objektivave të arritjeve për një lëndë. Mësuesi e planifikon përforcimin duke u pikënisur nga programi i lëndës për klasë.

Orari mësimor

Është e këshillueshme që lëndët, me përjashtim të modulit të përforcimit, të mos zhvillohen me një orë në javë. Ato lëndë module të zhvillohen gjithsej në 36 orë dhe mund të grupohen në një simestër me nga dy orë në javë. Nxënësit e kanë më të vështirë ta përvetësojnë lëndën me 1 orë në javë.

Përsëritja

Përsëritja sistematike dhe periodike është e domosdoshme për përvetësimin e lëndës. Nëpërmjet përsëritjeve, mësuesi i ndihmon nxënësit të vendosin rregull në morinë e njohurive të sapomësuara që të nxjerrin në pah koncepte përshkuese të kapitullit dhe ato njohuri që duhet të nguliten fort në kujtesë.

Detyra me shkrim

Detyra me shkrim i përkasin edhe këto, fondi të përpunimit të njohurive të reja. Është fjala për provime përmbledhëse për një kapitull ose për disa kapituj. Provimet me shkrim zënë një pjesë specifike të notës mesatare të çdo lënde.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama