Udhëzimi i MASH. Katër kategoritë që do testohen në vjeshtë. Për herë të parë formulari A3 do plotësohet edhe nga mbetësit.
Të paktën 4000 maturantë janë rrëzuar këtë vit në provimet e Maturës Shtetërore. Rreth 1000 të tjerë nuk janë futur fare në testim, pasi nuk mundën të marrin nota kaluese në një nga lëndët vjetore të maturës. Ndonëse priten rezultatet për lëndët me zgjedhje, për të marrë shifrën e saktë, AKPja jep këtë si shifër paraprake për nxënësit, të cilët nuk do të mund të jenë pjesë e garës universitare. Më parë, ata duhet të shlyejnë detyrimet për provimet që nuk kanë marrë. Ministria e Arsimit ka publikuar dje udhëzimin, ku përcaktohen datat e sezonit të provimeve në vjeshtë. Janë 4 kategori maturantësh, të cilët kanë të drejtë t’u nënshtrohen atyre.
Sipas udhëzimit, sezoni nis më 17 shtator dhe përfundon më 21 shtator. Ndryshe nga sa ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, këtë vit plotësimi i formularit A 3 do të lejohet edhe për maturantët mbetës në një nga provimet e maturës, por me kushtin që këta maturantë në datat e përcaktuara nga Ministria e Arsimit për sezonin e vjeshtës do të duhet të vlerësohen me nota kaluese. Vetëm më pas do të përfshihen në garën e përzgjedhjes së degëve që do të përmbajë ky formular A 3.
“Në sezonin e vjeshtës, provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen në orën 09:00. Testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 kërkesa, nga të cilat 13 kërkesa janë me alternativa dhe vlerësohen me 13 pikë, kurse 12 kërkesat e tjera do jenë me përgjigje zhvilluese, që do të vlerësohen me 37 pikë. Provimet e lëndëve të detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta secila. Ndërsa për provimet me zgjedhje, maturantët do t’u përgjigjen 20 pyetjeve, të cilat vlerësohen në total me 40 pikë”, thuhet në udhëzim. Do të japin provimet me zgjedhje maturantët që rezultuan mbetës në një ose më shumë provime të Maturës Shtetërore gjatë sezonit të parë të provimeve që u zhvillua në muajin qershor.
“Do të shlyejnë detyrimet maturantët që rezultuan mbetës në vitin e fundit të shkollës së mesme, në një nga lëndët mësimore, të cilën duhet ta fitojnë në datat 4 dhe 6 shtator, për të dhënë më pas provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të maturës në datat e përcaktuara 17, 19 dhe 21 shtator”, thuhet në udhëzim. Po kështu do t’u nënshtrohen provimeve në vjeshtë edhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2013, por nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore dhe që për arsye të ndryshme nuk kanë plotësuar as formularin A1Z. “Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë njehsuar dokumentet shkollore në Komisionin e posaçëm të ngritur në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës”, thuhet në udhëzim.