Udhëzimi: Sa pyetje do përmbajnë testet dhe skema e vlerësimit.
Përcaktohen datat e provimeve të Mat-urës Shtetërore. Ministria e Arsimit publikoi dje udhëzimin me të gjitha masat për mbarëvajtjen e provimeve. Në të sqarohet numri i pyetjeve që do të përmbajnë testet dhe kohëzgjatja e tyre. Provimi i Letërsisë dhe Gjuhës shqipe është i pari që do të japin rreth 34 mijë maturantë. Në të gjithë vendin është caktuar data 2 qershor për të marrë pjesë në testim. I dyti me detyrim është Matematika. MASH ka vendosur që këtë vit ky provim të jepet më datë 16 qershor. Lëndët me zgjedhje do të jepen më 30 qershor. Sa u përket shkollave profesionale, provimet do të jepen në të njëjtat data si vitin e kaluar. “Provimet e Maturës Shtetërore 2012, të detyruara dhe me zgjedhje, të fillojnë në orën 10:00”, thuhet në udhëzimin e MASH-it.
Sipas tij, testi për secilin nga provimet e detyruara përmban 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative. Ato vlerësohen me nga një pikë secila. Pyetje me zhvillim do të jenë 12, të cilat vlerësohen në total me 37 pikë. ”Testi për secilin nga provimet me zgjedhje të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje janë me përgjigje alternative dhe vlerësohen me nga një pikë secila dhe 10 pyetje janë me zhvillim, të cilat vlerësohen në total me 30 pikë”, thuhet në udhëzim. Të dyja provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë 30 minuta secila. Provimet me zgjedhje zgjasin 3 orë. Maturantët do të kenë në dispozicion nga 1 ore e 30 minuta për të zgjidhur pyetjet për secilën lëndë.
Mbartja e notave
“Kandidatët që do të japin provim të Maturës Shtetërore vetëm një lëndë, do ta fillojnë provimin në orën 11:00 dhe do ta përfundojnë në orën 13:00”, thuhet në udhëzim. Në këtë grup bëjnë pjesë të gjithë ata kandidatë që kanë mbaruar vjet apo më herët gjimnazin dhe kanë dhënë lëndët me zgjedhje. Nëse kërkojnë të mbartin rezultatin e njërës lëndë dhe të rijapin një tjetër, rregullorja e Maturës Shtetërore ua jep këtë të drejtë. Sipas udhëzimit, provimi do të zhvillohet në mjedise të veçanta. Maturantët mbetës në provimet e Maturës Shtetërore kanë të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë.
Çdo pyetje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë, të pavarur nga njëri-tjetri. Nëse maturantët kanë mbartur vetëm një lëndë me zgjedhje nga Matura Shtetërore e para vitit 2012 dhe në tjetrën kanë marrë më pak se sa 4.50, atëherë në listën e lëndëve me zgjedhje duhet të qarkojnë një lëndë, në përputhje me kriterin e plotësimit të 8 krediteve. Nëse lënda që keni mbartur është gjuhë e huaj, lënda që do të qarkoni në listën e lëndëve me zgjedhje mund të jetë edhe gjuhë e huaj e dytë, por e ndryshme nga ajo që do të mbartni. Vlerësuesit, pasi marrin në dorëzim testet, konfirmojnë saktësinë e tyre dhe bëjnë kodifikimin me numra arabë, pavarësisht nga barkodi dhe pa e dëmtuar atë. Vlerësuesit mund të bëjnë shënime në test, por vlerësimet për çdo pyetje i pasqyrojnë në formularët përkatës.
Formula e re
Matura Shtetërore e këtij viti do të aplikohet me rregulla tërësisht të reja. Ministria e Arsimit ka vendosur të ristrukturojë skemën e pranimeve, për shkak të kurrikulës që aplikohet për herë të parë në gjimnaze. Në të përfshihet veç kurrikulës bërthamë, edhe kurrikula me zgjedhje. Mbi bazën e tyre është bërë hartimi i listës së lëndëve të provimeve me zgjedhje, e cila ndryshe nga më parë, tani ka 27 alternativa. Atyre u shtohet edhe blloku i gjuhëve të huaja me 5 lëndë. Për herë të parë, atyre u jepet mundësia që në këtë grup provimesh të japin edhe një lëndë të 3-të me zgjedhje. Sistemi i krediteve është kushti kryesor. MASH ka përcaktuar numrin minimal të krediteve që duhet të kenë dy ose tri lëndët që do të jepen si provime me zgjedhje nga maturantët. Veç tyre, ata do të japin provimet e detyruara. Për secilën nga lëndët me zgjedhje të listuar nga MASH, është vendosur edhe numri përkatës i krediteve.
Plotësimi i Formularit A1
Maturantët do të kenë afat deri më 10 mars për ta dorëzuar të plotësuar. MASH u ka bërë thirrje të konsultohen edhe me tabelat e koeficienteve të lëndëve që kanë caktuar universitetet përpara se t’i zgjedhin ato. Janë publikuar gjithashtu rregullat për mënyrën si duhet të plotësohet. Formulari A1 plotësohet me stilolaps (me një ngjyrë, blu ose të zezë) dhe me shkronja të mëdha të shtypit, thuhet në udhëzim. Formulari konsiderohet i vlefshëm vetëm nëse është plotësuar në mënyrë të saktë dhe të kuptueshme. Në rast të kundërt, ai do të konsiderohet i pavlefshëm dhe maturanti humbet të drejtën e regjistrimit.
Mbart notat, kush ka dhënë lëndët me zgjedhje
“Të gjithë personat që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008 dhe 2008-2009, 2009-2010, 2010-2011 kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë shpallur fitues ose nuk janë regjistruar në asnjë nga programet e studimit të shkollave të larta, për këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje”. Këtë përcakton rregullorja e maturës. Ata do t’u nënshtrohen provimeve vetëm në rastin kur e kërkojnë vetë. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë, për këtë lëndë merret koeficienti që ka këtë vit. “Për të gjithë personat që kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga programet e studimit të IALP, rezultatet e arritura nga personi në provimet me zgjedhje në një vit shkollor ruhen (konsiderohen të vlefshme) edhe vitet në vazhdim, edhe në rastin kur kandidati ka marrë vlerësim kalues vetëm në njërin nga provimet me zgjedhje (përveç rasteve kur personi kërkon ta rijapë lëndën)”, thotë rregullorja. Në rast se personi e ka dhënë më shumë se një herë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje dhe kërkon t’i njihet rezultati i saj, do t’i njihet rezultati i arritur në vitin e fundit, kur e ka dhënë lëndën.
Datat dhe testet
Provimet:
Letërsia 2 qershor
Matematika 16 qershor
Lëndët me zgjedhje 30 qershor
Testi:
Provimet e detyruara:
25 pyetje nga të cilat 13 kërkesa me alternativa
Vlerësimi: 1 pikë secila
Pyetje me zhvillim do të jenë 12
Vlerësimi: 3 pikë secila
Lëndët me zgjedhje, 20 pyetje
10 pyetje me alternativa, 1 pikë secila
10 pyetje janë me zhvillim, 2 pikë secila