Mban lopen ne pallat ankohen komshinjte

Mban lopën në pallat, ankohen komshinjtë
Gazetarët e "Fiks Fare" folën me banorët e pallatit. Ata u shprehën se, kemi një komshi aty në shkallë që ka lopë prej disa vitesh, ndërkohë që ai, përveç lopës, ka mbajtur dhe lepuj, dhi, viça. Çfarë nuk ka mbajtur. Banorët thonë se kanë folur me Avdiun (komshiun e tyre), madje kanë shkuar deri te kryeplaku i lagjes.

Pasi jemi ankuar, kryeplaku na ka kthyer këtë përgjigje: Për Avdi Gjonin është ankuar edhe vëllai i vet dhe kur ka ardhur fundi e ka tërhequr denoncimin, se e ka marr vesh që personi në fjalë që mbante bagëti në katin e parë të pallatit, ka qenë i vëllai. Një banore shprehet se "unë jam aty në katin e parë dhe nuk e duroj dot erën e lopës". Banorja e shqetësuar thotë se "përveçse vjen një erë e tmerrshme nga lopa, bajgat bllokojnë edhe pusetën. Kanë ardhur ata të ujërave të zeza, e zhbllokojnë një ditë, dy ditë dhe të tretën ajo bllokohet sërish.

Fakti që jetojmë në një pallat, dihet që ka disa gjëra të përbashkëta dhe është detyrim i çdo banori t‘u përgjigjet këtyre gjërave. Banorëve iu ka sosur durimi dhe nuk po e durojmë dot më këtë gjë". Gazetarët e "Fiks Fare", përveçse fiksuan "stallën" dhe bagëtitë me kamera, arritën të flasin edhe me të zotin e lopës, Avdi Gjoni. Kur Gjoni u pyet nga "Fiks"-i se banorët ankohen jo vetëm për ujërat e zeza, por edhe për lopën e tij, ai u përgjigj se banorët le të ankohen, njeri pa ankesa nuk ka, edhe në shtëpinë e tyre njerëzit ankohen.

Avdiu iu tregon gazetarëve të "Fiks"-it se ka 16 vjet që mban lopë tek ajo hyrje, aty janë krejt pa asnjë lloj pengese. Përveç lopës, Avdiu ka në stallën e katit të parë edhe një viç. Kanë qenë nevojat dhe problemet ekonomike që e kanë detyruar të mbajë bagëti. Avdiu thotë se ka dashur ta heqë lopën nga dita në ditë, pastaj lopa ishte barsë dhe ai s‘donte ta dëmtonte. "Nga fundi i vitit do ta heq, thotë Avdiu, madje edhe më shpejt ndoshta, po kësaj si ndihet zëri, një herë ‘mu‘ s‘ka bërë, imagjino asnjë se ka ditur që kam pasur lopë këtu".


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama