Jeni një prej autorëve më të spikatur dhe më te shquar të teksteve të këngëve, por para se të shkojmë të Jorgo si autor tekstesh do të doja të udhëtonim pak në jetën dhe pikërisht në fëmijërinë tuaj. Si ka qenë ajo?
Fëmijëria ime ishte me të gjitha gjërat që ka një fëmijëri, por sidoqoftë rezultati ka qen i bukur. Kujtime nga fëmijëria ka shumë, por gjërat më pikante që unë nuk i harrojë kurrë është fakti se në lagjen ku unë banoja në Vlorë kisha disa shokë, një ditë vendosëm duke parë një film sovjetik “Timuri dhe skuadra e tij” me fëmijë dhe thamë se pse mos të bëjmë dhe ne një skuadër të tillë. Dhe kishim një haur në shtëpinë e gjyshes dhe si të vegjël që ishim na arrinte koka në dërrasat e tavanit. Atje ndërtuam një dhomë tonën, gjyshen e kisha të mrekullueshme, çfarë kërkonim na e jepte dhe aty thamë se do të bënim një teatër kukullash. Dhe dashur padashur unë kur dëgjoj historitë e teatrove, të spektakleve qesh me veten time dhe them çfarë thonë këta që e kemi filluar ne të parët. Pra të parët e kemi filluar ne teatrin e kukullave. Me një dritare atje secili binte nga një dhuratë që i kishin dhënë njëri majmunin, tjetri makinën, tjetri dordolecin e kështu me radhë e ndërtonim spektakle ose me libra fëmijësh që ishin atëherë, të shkruara enkas për fëmijë ose e shpiknim dhe vet. Nuk kishte rolë majmuni, ose qeni dhe atë e sajonim dhe e bënim si të thuash dhe skenar edhe shfaqe. Dhe kjo ishte gjëja më e bukur dhe më e bukura fare ishte kur filluan të na e kërkonin shfaqen shokët e lagjes. Ne hynim me bileta me dy lekë atëherë dhe ishte biznesi i parë që kemi bërë, por shumë i suksesshëm.
Pas teatrit të parë ka ardhur dhe bashkëpunimi juaj i parë si autor tekstesh. Cili ka qenë ky?
Unë kam shkruar poezi që në moshë të vogël. Poezitë ishin të tipit bejte që ngacmonim ndonjë shok ose ndonjë shoqe, ose gradualisht erdhën ato shënimet nëpër fletore e kujtimeve. Në klasën e shtatë ishte fletorja përfundimtare e kujtimeve dhe për fat tani kemi bërë takime për përvjetorët e shkollës dhe kur jemi mbledhur ne, të cilët e kemi ruajtur gjatë shoqërinë ka ndodhur që një shoqja jonë Albina të na sjelli fletoren e kujtimeve, të cilën e ruan akoma. Dhe nuk ka gjë më të bukur të lexosh vetën tënde, të kuptosh se si ke qenë atëherë. Ato ishin të tipit “po e lë një kujtim që mbaron me emrin tim”, por dashurinë për poezinë unë aty e bëra timen. Unë mbarova për fizikë, por nuk m’u nda gjithë jetën dashuria për poezinë. Dashuria për tekstin e këngës dua të them sepse unë nuk e quaj veten poetin e këngës dhe ai që më dëgjon dua të them se nuk është asnjëherë njësoj të shkruash poezi dhe të shkruash tekste këngësh, është shumë larg.
Ku dallon poezia nga teksti i këngës?
Në qoftë se në poezi nuk të dalin katër strofa për të thënë mendimin, e zgjatë deri në katër ose pesë strofa, e zgjat sa të duash e bënë poemë. Kurse në këngë gjithçka duhet thënë në dy strofa dhe në një refren. Që do të thotë ta fillosh, ta zhvillosh, ta mbarosh dhe ti japësh konkluzionin në dy strofa dhe në një refren. Ka autorë, të cilët merren me poezinë, por që në tekste këngësh e ka më të vështirë sepse ka fjalë që në poezi mund të rrinë shumë bukur, të cilat unë kam dashur t’i them në këngë, por për hir të muzikalitetit, për hir të diksionit të këngëtarit, për hir të zanoreve që atij i rrinë më mirë ose më keq unë nuk kam mundur t’i shkruaj ashtu si e mendoja. Unë disa herë kam dashur të shkruaj “më tremb, më dhemb” po në të kënduar del më tr... më dhë.... nuk del mb... . Megjithëse është shumë e bukur të thuash “më tremb kjo gjë, ose më tremb vizioni yt”, ose ke të bësh me një këngëtarë, të cilit nuk i rri mirë i-ja, por o-ja atëherë do, s’do, do ta prishësh bukurinë e poezisë tënde që të gjesh një fjalë që nuk mbaron me “i” po mbaron me “o” sepse ai që ta paraqet këngën është këngëtari. Ka shumë gjëra për të thënë për tekstin, por unë nuk dua të them shumë vështirësia se na tremben autorët. Ne kemi kohë që vuajmë për të pasur autor tekstesh dhe janë gjithmonë të pakët. Dhe shpesh na thonë pse bënë dy ose tre këngë, i bëj për arsye sepse nuk gjejmë një njeri të bëjë të katërtën. Teksti i këngës është më e bukur se poezia, sepse është lakonizmi me të cilën do të shprehësh një mendim dhe e dyta është, ajo që do të shkruash në një këngë, nuk është si poezia që mund të jetë dhe vetjake. Ajo do të bëhet këngë dhe atë do ta marrin të gjithë, do ta këndojnë të gjithë. Në poezinë e këngës të pëlqen kur të thonë “ sikur e ke shkruar për mua” dhe nga kjo ti e ke marrë testimin e këngës dhe nuk ka nevojë për juri.
A mund të na thoni diçka nga historia e bashkëpunimeve me kompozitorët?
Historia e bashkëpunimeve të mia fillon me Aleksandër Lalën, të cilin unë e përshëndes dhe ai e njeh mirë muzikën, dhe aq më tepër muzikën për fëmijë e njeh në mënyrë të shkëlqyer. Ajo që më bëri të mendoj se unë “bëj diçka”, ka qenë një bashkëpunim në festival ku kemi bërë këngën “ Kur jemi Bashkë të dy” me Aleksandër Lalën, Liljana Kondakçi, dhe Luan Zhegu dhe e këndonin në dy variante dhe atëherë fituan çmim të tretë. Debutimi i parë në festival, me çmim të tretë, me emra të njohur, ishte një që të thoshte “dale ndalo këtu se paske një dritare”, deri atëherë mua më dukej e pa mundur. Unë mendoja a do marrë pjesë në një festival? A do të bëhet ndonjëherë këngë me rreshtat e mi? Dhe këtë e bëra realitet dhe që nga ajo ditë nuk jam ndarë nga festivalet, nuk jam ndarë nga krijimtaria. S’di emër kompozitorësh dhe nga këngëtarësh më të njohur, që të mos kem bashkëpunuar.
Fizika është motra e matematikës dhe mund të bëjmë pak matematikë duke marrë parasysh një numër kompozitorësh që keni bashkëpunuar, një numër këngësh, që ju keni bërë tekstet, një numër këngëtarësh që i kanë kënduar këto këngë. A ju ka vajtur në mendje të bëni një bilanc të gjithë krijimtarisë tuaj?
Unë nuk i kam shumë qejf citimet e statistikave, sepse ndonjëherë mund të thoi dhe tjetri “po dale more se sikur e teprove”. Unë të them numrin e këngëve që e kanë kaluar shifrën 4 000, e cila është një shifër që dhe unë po të ulem tani në tavolinë do të them “po mirë si ka qenë e shpërndarë kjo, ku në çfarë vendesh?”. Duhet kuptuar se ka qenë një kohë para ’90-ës që bëheshin festivale në të gjitha qytetet, festivale të rriturish, festivale fëmijësh. Janë mbi 500 tekste këngësh që janë të muzikës popullore. Ndonjë herë më thonë “po si ka mundësi që ti ke bërë këngën “Jam tirans, tirans i vjetër”, dhe ti ke bërë “Kur jemi bashkë të dy”“. Po kështu kamë bërë dhe këngët e fëmijëve, të cilat dhe ato janë po ashtu mbi 560 këngë nëpër festivale të ndryshme të fëmijëve ku jam një pjesëmarrës i rregullt në të gjitha këto festivale. Unë do të thosha se jam më i riu i të vjetërve dhe më i vjetri i të rinjve. Ajo kënaqësia që më mbanë është fakti që nuk jam shkëputur asnjë ditë nga kënga, nuk jam shkëputur asnjë ditë nga këngëtari. Më vjen mirë që përzgjidhem nga ata krijuesit. Dhe ky është një fat, se të bashkëpunosh është njëra gjë dhe të bashkëpunosh me vlerat është një gjë tjetër. Dhe unë ndjehem shumë i kërkuar dhe i dashur për këngëtarët dhe kompozitorët. Dhe kështu bëjmë një kuartet shumë simpatik që duam njëri-tjetrin dhe kërkojmë njëri-tjetrin.
Sa i pasur është bërë Jorgo Papingji nga e gjithë kjo krijimtari e tij?
Unë mendoj se shumë pak artistë kanë marrë nga jeta dhe nga shoqëria atë që kanë dhënë. Flasim për artistë që hynë në numërimin e artistëve sepse është e vështirë që të hysh në radhën e artistëve. Jo ta quash ti veten, po të të quaj radha e artistëve si të tillë. Po të jetë për shpërblim nuk e kam marrë asnjëherë shpërblimin. Shpërblim moral kam marrë dhe nga kjo jam i kënaqur dhe këtë ka të mirë ai që shkruan tekste këngësh, sepse mua më pyesin ndonjëherë “pse nuk bënë dy, tre libra?”. Dhe unë ju them, libra bëj se kënga është libër. Një CD e lexojnë tre mijë veta përnjëherësh. Dhe një libër për fatin tonë të keq duhet t’ua dhurosh dhe me autograf që të mund të lexohet. Pastaj është fatkeqësi, kur ti kalon në një librari dhe shikon se libri jot nuk shitet, nuk blihet, pa e ditur fare se çfarë ke shkruar ti. Për fat të keq lexuesi ka rënë dhe kjo është dëshpëruese për atë që krijon.
A keni ndonjë krijim me të cilën po merreni kohët e fundit?
Aktualisht unë po merrem me materialet e fëmijëve, pasi janë në rrugë një festival fëmijësh këtu në Tiranë që po përgatit Zana Çela, jam duke punuar ne lidhje me materialet që do të paraqiten për festivalin e Shkodrës. Me pakë fjalë do të thoja se është sezoni i fëmijëve, të cilët unë i kam shumë përzemër dhe dua të them se më obligon gjithë vitin. Pse e them këtë? Sepse fabula që kërkon kënga e fëmijëve është shumë herë më e vështirë, se fabula që kërkon kënga e të rriturve, aq më tepër kur zhvillimi i fëmijëve sot ka bërë një lloj kalimi, nga kalama bëhet përnjëherë i rritur. Pra nuk ka një kalim gradual p.sh kur mbaron klasën e katër dhe shkon në klasën e pestë ai menjëherë do të shkojë në disko do të ketë shoqe dhe nuk ka më kukulla, nuk ka më lodra, madje i vjen zor t’i thuash këndo një këngë me kukulla. Çdo njeri të mos e mendojë se dëgjova një këngë, por të mendojë se ka dëgjuar muaj pune kohë konsumimi. Po të më ketë ndjekur njeri mund të më ketë marrë dhe për budalla, se unë kam dashur të shkruaj një këngë për lodrat e fëmijëve, të cilët luajnë me peta dhe unë kam ndenjur në vendin ku ata luajnë me orë të tëra dhe po të më ketë parë dikush do të thotë “çfarë bënë ky njeri këtu” këtë e bëja të dëgjoja se çfarë thonë ata në lojën e tyre. P.sh është loja “hapa dollapa kush është mbrapa” dhe po nuk e pe lojën, po nuk e ke luajtur nuk mund të shkruash për të. Kam shkruar pastaj për kompjuterin, për Facebook-un dhe shumë e shumë të tjera.
Një pjesë e krijimtarisë tuaj i përket dhe kohës së komunizmit. Sa e keni ndjerë veten të censuruar nga politikat që ndiqeshin në atë periudhe të krijimtarisë tuaj?
Për të qenë i sinqertë çdo kohë ka parametrat e veta. Pra nuk mund ta shikosh sot veten me sy kritik, ose ta shikosh veten duke shkruar atëherë. Më ka ndodhur njëherë kur më kanë pyetur në një intervistë televizive kur më thanë “ po lëre se këta nuk kanë bërë dashuri se kanë qenë në aksione”. I thashë: djalosh sa vjeç je ti? Mu përgjigj 25 vjeç dhe unë që i thashë: pyete mamanë tënde dhe babanë sepse ti mund të jesh “produkt aksioni”. Mos u çudit i thashë se ne bënim dhe dashurinë, por e bënim në fabrike dhe ju drejtova atij: ti ku e njeh shoqen? E njoh në disko në pabe mu përgjigj. Në atë kohë disko dhe pabe ishte shkolla, fabrika, uzina prandaj brenda vetes së saj, ishte vendi ku njihje miken, ose të dashurën shoqen e jetës. Njësoj do t’i këndoje si e takova në pab, në disko apo në fabrikë. Atëherë ka qenë kënga “ Në uzinë u njohëm bashkë ne të dy” kurse tani thuhet u njohëm në pab nuk është ndonjë problem. Problemi është se çdo produkt artistik ka rrethana të caktuara, kohë të caktuara dhe vlera të caktuara që shkon në përputhje me atë gjë, se sa censurë kishte apo se sa censurë nuk kishte kjo nuk ka rëndësi. Ishte një autocensurë e para që vinte fre shumë më tepër se censura.
Ne e dinim se për këtë nuk duhej të shkruash dhe përpiqeshe që të qëndroje brenda atyre kornizave që të lejoheshin. Ka një gjë se ai që është artist ose poet është poet në të gjitha rrethanat. Ai ka shpirt dhe zemër fluturake do të kërcejë, do të hipi sipër në qiell dhe e gjen mënyrën se si mund ta japi atë yrnekun e bukur edhe pse mund te ishte politik. Kur shkruaja këngën “Kur jemi bashkë të dy” pati një kërcitje dhe më vjen për të qeshur kur më thanë, “po vërë ndonjë gjë për punën” se ishte gjithë dashuri kënga. Unë mbaj mend që e rishkruaja “në uzinë, në aksion dhe në jetë, më e bukur puna del, më e bukur jeta rrjedh, kur jemi bashkë të dy” por dua të them se prapë nuk e dëmtoi këngën ky ndryshim dhe po të më thoshin që: çfarë do të korrigjosh nga ato që ke shkruar? Unë nuk do të korrigjoja asgjë, sepse ato janë bërë në vendin e duhur në kohën e duhur, me njerëz të duhur. Unë nuk e di a do të isha i zoti që ta korrigjoj sot një gjë si duhet, ashtu si ishte bërë atëherë.