Ditët e ardhshme, vendin tonë pritet ta vizitojë misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, në kuadër të zhvillimeve që pritet të ndodhin në paketën e masave buxhetore dhe të politikës fiskale. Sakaq, Ministria e Financave, me ardhjen e ministrit të ri, Shkëlqim Cani, i është “rikthyer” punës, pas mbledhjes së parë të zhvilluar dje paradite. Cani është prezantuar me stafin, pas pritjes së rezervuar nga sekretari i përgjithshëm, dhe më tej, direkt ka nisur takimet me drejtorët e borxhit, buxhetit dhe politikave fiskale.
Vizita e FMN pritej me kohë dhe ndodh në kuadër të ftesës që qeveria e re ka ndërmarrë pas shpalljes si fituese, ndërsa duhet sqaruar se ky mision nuk ka lidhje me projektin e vlerësimit financiar, të iniciuar nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, dhe ministri i mëparshëm i Financave, Ridvan Bode, ftesë e bërë në shkurt 2013.
Problemi kryesor i ministrisë është identifikimi i detyrimeve të prapambetura, të cilat mendohet se janë rreth 400 milionë dollarë, plus 200 milionë që vlerësohen vonesat nga mosrimbursimi në kohë i Tatimit të Vlerës së Shtuar (TVSH).
Sakaq, mësohet se në javën e ardhshme, në Kuvend pritet të diskutohet buxheti faktik i vitit 2012, një përballje e parë e ministrit Cani me debatin në publik dhe me kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Bujar Leskaj. Ky i fundit do të raportojë dosjen e kontrollove të zbatimit të buxhetit nga Financat dhe institucionet e tjera.
Tjetër detyrë jo pak e rëndësishme është hartimi i paketës fiskale. Udhëzimet janë dhënë, por nuk dihet me saktësi se te cilat taksa do të ndërhyhet konkretisht.
Sfida tjetër është rishikimi i buxhetit të shtetit të këtij viti, i cili nga të dhënat rezulton pothuajse i ezauruar, me pak fonde në dispozicion, por që ndërhyrjet me korrigjime janë të nevojshme. Deficiti buxhetor deri në korrik është rritur me dy herë në raport me vitin e kaluar, po ashtu edhe shpenzimet. Rrjedhojë e gjendjes së vështirë janë bërë rezultatet e dobëta me arkëtimet nga taksat, të cilat si 8-mujor janë rreth 15 miliardë lekë më pak se plani.
Për të gjithë vitin, Ministria e Financave, sipas vlerësimeve paraprake, parashikon një minus prej afro 30 miliardë lekësh në arkën e shtetit, si rrjedhojë e krizës, por nga ana tjetër, zhvillimi i fushatës elektorale, ndikoi për keq.