Mberrin artitektura e banesave-anije

Mbërrin artitektura e banesave-anije

Është një “anije e bardhë “që s’ka ardhur nëpërmjet detit dhe duket se po pushon në një “det” tjetër me ngjyrë të gjelbër, ngjyra karakteristike e peizazheve të Myzeqesë. Punëtorët që punojnë në këtë “anije” duken si dokerët e brigadave të ngarkim-shkarkimit në portin e Durrësit. Anija duket sikur rri në spirancë pranë bankinës së rrugës automobilistike. E vetme në lundrimin e saj, mes ujrave ëndërruese të një fantazisti ekzibicionist. ”Anija misterioze” i ka të gjitha tiparet e një anije të madhe lundruese metalike, por realisht është një ndërtesë 5 katëshe që me sa duket, do të shërbejë si qënder biznesi pas përfundimit të plotë të punimeve në të. Ajo ka “bashin” drejtuar drejt fshatit Velmisht dhe kushdo që i njeh konstruksionet e anijeve dallon qartë disa dritare të konstruksionit të ndërtesës të ngjashme me “obllat” e anijeve që parkojnë me dritaret metalike të tyre mbi sipërfaqet e ujit. Me këto dritare metalike janë të paisur dhomat e marinarëve ose kubrikët, siç i quajnë ata dhomëzat poshtë guvertës ose palmetës.

Me sy të lirë shquhet dhe “ura e komandimit”që përkon me katin e 5 të kësaj banese të çuditshme, ku në një anije reale është e instaluar kapiteneria me paisjet navale dhe timonin. Nga pjesa e bashit ose “sipërfaqja e kuvertës” mund të përftohet ndoshta një lokal i veçantë veror ku udhëtarët mund të shijojnë diçka më shumë për të përfituar ndjesinë e anijes se sa shijen e pijeve të momentit që mund t’i gjesh në çdo lokal. Realisht pije mund të të shërbejnë në çdo local, por lokal të tillë me konstruk të plotë anijeje është vetëm një. Dhe ai ndodhet vetëm në fshatin Velmisht. Ndërtesë unikale në Shqipëri.

Kjo banesë është një anije me bash të rregullt, por me kiç që përfundon me një prerje vertikale. Kiçi është pjesa e pasme e anijeve. Po në këtë rast intrigues është bashi. Bashi simbolizon ardhjen, ndërsa kiçi ikjen. Anija banesë, kjo risi arkitekturore ka ardhur tashmë në këtë cep të Myzeqesë për të mos ikur. Pronari është një Beratas që punon në emigracion në Greqi. Prej andej ose mbase të ideuar nga ndonjë turist anglez, ai ka sjellë projektin e habitshëm që ka shkaktuar mjaft pandehma në fshat e më gjërë. Një projekt i tillë është i kushtueshëm. Një arkitekt mund të kërkojë mbi 50 mijë euro vetëm për ta skicuar. Për fat të keq nuk arritëm të kontaktojmë me pronarin për ta pyetur rreth projektit dhe idesë së çuditëshme që i ka lindur për tu bërë “kapiten” në zemër të Myzeqesë. Punëtoret i u tremben targave të Tiranës dhe apratit fotografik. Po dhe vetë bukuria e kësaj banese- anije është e mjaftueshme për të dhënë idenë e kësaj pamjeje që mund ta ndeshësh vëtëm në Angli a gjetkë.

Vila-anije edhe në Sauk

Një projekt tjetër i sjellë prej një arkitekti po ngrihet edhe në lagjen periferike të qendrës së Saukut, pranë kryeqytetit. Ka përfunduar ngritja e saj pesë katëshe dhe aktualisht po punohet në interieret e brendshme për mbylljen e punimeve . Kjo godinë e re private ka për të qenë një mjedis argëtimi dhe pushimi me një rrjet lokalesh dhe mjedisesh shërbimi. Godina ka imazhin e plotë të një anijeje dhe arkitektura e brendshme e saj respekton këtë përngjasim.

Mark Brunga : Gazeta Albania
 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama