Mbeshteten artistet medioker refuzohen te rinjte

Mbeshteten artistet medioker, refuzohen te rinjte

Një grup artistësh të rinj, prej ditësh, kanë ngritur një shqetësim në rrjetet sociale për situatën në të cilën ndodhet arti pamor në vend. Artisti dhe kuratori Klod Dedja thotë se Galeria Kombëtare e Arteve është kthyer në një kub të izoluar në vetvete dhe “ajri” brenda saj i përket vetëm së kaluarës dhe aspak artit bashkëkohor

Mospromovimi i artistëve të rinj do të thotë mosangazhimi me kulturat e së ardhmes. Amorfizmi i institucionit të Galerisë Kombëtare të Arteve është tregues sesa përkushtim u bëhet pikturave të realizmit socialist (dhe disa ekspozitave personale të artistëve mediokër) ndër vite, duke lënë totalisht pas dore mbështetjen e artit emergjent dhe avangardë, duke refuzuar dhe duke sabotuar çdo kontekst apo projekt që vjen nga ana e të rinjve

Artistët e rinj në vend kanë qenë gjithnjë emergjentë. Të përballur gjithnjë me mungesën e një terreni mbështetës për të realizuar ambiciet, apo vetërealizimin si artist, zgjedhja për një pjesë të tyre ka qenë eksplorimi në hapësira jashtë Shqipërisë. Arti pamor ka qenë një nga fushat ku artistët shqiptarë kanë lënë gjurmë këto vite, jo vetëm në vendet fqinj, por edhe në Perëndim. Duke marrë shkas nga mbyllja e konkursit të përvitshëm të arteve pamore “Onufri”, një grup artistësh të rinj janë bashkuar prej disa ditësh nën një kauzë në rrjetet sociale, mbi një zgjedhje alternative mbi atë çfarë ofron skena artistike në vend. “Më vjen të ngre një shqetësim që është po aq personal sa edhe gjithëpërfshirës. Besoj se këto janë vitet tona më të rëndësishme për t’u konsoliduar si profesionist, megjithëse po e bëjmë punën që na takon, prapë po i humbasim vitet për shkak të paaftësive të institucioneve që nuk arrijnË të na përfaqësojnë si duhet dhe një nga këto është dhe Galeria Kombëtare e Arteve”, shkruan ish-fituesja e “Onufrit” 2012, Alketa Rama, një prej artisteve të reja më të mira. Shqetësimit të saj i janë bashkuar emra të njohur të artit pamor bashkëkohor, të cilët kërkojnë të ngrenë një debat mbi atë çfarë ofron ky terren artistik. Klod Dedja, kurator indipendent i arteve bashkëkohore, dhe bashkëthemelues i Fondacionit Bashkëkohor M.A.M flet më poshtë në një intervistë mbi situatën në artet pamore në vend, dhe si i sheh ai politikat mbi të cilat operon arti sot…

 

Disa artistë të rinj janë bashkuar nën një kauzë që ka të bëjë me mospërfaqësimin që i bën institucioni i Galerisë së Arteve atyre? Ju i bashkoheni kësaj kauze?

Unë i bashkohem çdo kauze që kundërshton diletantizmin, komprometimin, politikat e paafta dhe mosfunksionale në art. Artistët e rinj janë vonuar shumë për të arritur në këtë kauzë. Galeria e Arteve tashmë është kthyer në një klub i izoluar në vetvete dhe “ajri” brenda saj i përket vetëm së kaluarës dhe aspak artit bashkëkohor. Në fakt, ky vend ka qenë pikë referimi për artin eksperimental dhe avangardë që nga fillimi i viteve ’90, pas rënies së murit komunist. Çuditërisht sot, ky mur është ringritur në mënyrë patetike dhe qesharake, pasi nuk ka asnjë dëshirë të përfshihet në sisteme bashkëkohore, por tenton gjithnjë e më shumë të “pastrohet” në vetvete si një spital psikiatrik, ku nuk mungojnë dhe drejtues, staf i paaftë për politika krejt të hapura.

 

Si e shihni politikën për sa i përket artit pamor në vend?

Kam kohë që deklaroj hapur qëndrimin tim, ndaj politikave përcaktuese dhe amorfe. Si artist dhe kurator indipendent mendoj se arti në vendin tonë kaq të vogël, duhet urgjentisht të shkëputet nga politikat qendrore. Kjo emergjencë ka tejkaluar vetë emergjencën, pasi është arritur në një pikë absolutisht boshllëku, sidomos nga investime të munguara përkundrejt artistëve të rinj.

Mospromovimi i artistëve të rinj do të thotë mosangazhimi me kulturat e së ardhmes. Amorfizmi i institucionit të Galerisë Kombëtare të Arteve është tregues sesa përkushtim u bëhet pikturave të realizmit socialist (dhe disa ekspozitave personale të artistëve mediokër) ndër vite, duke lënë totalisht pas dore mbështetjen e artit emergjent dhe avangardë, duke refuzuar dhe duke sabotuar çdo kontekst apo projekt që vjen nga ana e të rinjve. Ky mosinvestim po kthehet në një cunami, që po ngrihet ngadalë në horizont dhe kërkon të rrafshojë atë që bllokon artin e ri.

Për aq kohë që institucionet harxhojnë më tepër energji për të kaluarën në artin pamor dhe lënë pas dore të ardhmen, për aq është e pashmangshme moskompromisi me drejtues të këtyre institucioneve që nuk dinë të reagojnë dhe nuk dinë (apo duan) të hapin dyert ndaj projekteve ambicioze për artistët e së ardhmes bashkëkohore.

 

Cili është terreni që, sipas jush, duhet të shtrihen këto politika për artin?

Terreni i vendit tonë është një terren i jashtëzakonshëm për të krijuar dhe për të eksperimentuar në artin bashkëkohor. Kjo vjen sepse këtu janë të përzier; ekzotikja me rafinimin, ashpërsia me humorin, moskokëçarja me ekzaltimin kolektiv, dëshpërimi me erotikën, politika me injorancën kolektive…

Brenda këtij show kolektiv dhe eksitues, politikat me artin bashkëkohor, nuk dinë ç’të bëjnë dhe reagimi i tyre anon për nga ekzotizmi i kulturës së kaluar, sikur të kishin “frikë” të rigjeneronin energji të reja dhe frymëzuese për artistët e rinj për t’i lançuar ata në një ambient floreal dhe laboratorik.

Urgjentisht duhen rihapur dyert përtej politikave dhe pikërisht politika duhet të rikrijojë një atmosferë fertiliteti ndaj organizatoreve të ndryshëm, fondacioneve të reja kombëtare dhe jo kombëtare, si promovim urgjent i studentëve të Akademisë së Arteve.

Galeria e Arteve duhet të shkëputet nga banaliteti politik, çmendurisë së festave shumëngjyrëshe që i ngjajnë një tallje kuptimplotë ndaj artit të ri. Buxhetet që po hidhen në festat politike arrijnë shifra të çuditshme ndërsa institucionet, thjesht reagojnë sipas axhendës qeveritare, pa asnjë kahje ndaj kulturave të reja. Këtij terren kaq të pasur i mungojnë pikërisht elemente drejtues që dinë të hedhin energjinë dhe largpamësinë përtej institucioneve.

 

Këtë vit nuk u zhvillua dhe konkursi i përvitshëm i arteve pamore “Onufri”. Si e gjykoni justifikimin për reflektim që do t’i bëhet këtij eventi?

Mungesa e hapësirave për artistët e rinj, bën që moshapja e “Onufrit”, të quhet ndryshe “një tjetër dhuratë” nga drejtues të paaftë të institucionit në fjalë. Mediokriteti dhe mosangazhimi për të dhënë mundësi ekspozuese arrin pikën e mostransparencës apo diskutimi të hapur dhe një ballafaqimi publik për këtë çështje. Ky institucion nuk është një institucion privat, por një Galeri Arti për artistët e rinj dhe jo Muze Arti.

Natyrisht vetë “Onufri” ka pasur ulje dhe ngritje të nivelit kuratorial dhe artistik, por heqja e kësaj mundësie i bën artistët e rinj të mos kenë ku të trokasin. “Onufri” u mbyll për arsyen e vetme:…paaftësia. Reflektimi këtu është i tepërt, reagimi është i pashmangshëm.

 

Duke u ndalur te reflektimi? Mendoni se ai është i mjaftueshëm mbi atë çfarë duhet të ndodhë me artin… mbi politikat e reja?

Ju fola për një cunami në horizont. Para një cunami nuk reflekton dot sepse koha rrëshqet siç rrëshqet dhe durimi i artistëve të papromovuar, të parespektuar, të braktisur….

Politikat e reja, energjitë e reja, janë pikërisht në horizont, dhe nuk e kanë aftësinë e mediokritetit, por kërkojnë të gjejnë hapësira eksperimentale për të bërë një art pa kompromise politike…

Galeria Kombëtare e Arteve t’u rikthehet të rinjve për të eksperimentuar dhe për të promovuar punën e tyre. Duke bërë këtë, kjo Galeri (dhe jo Muze i së kaluarës) do mund të rikthejë dinjitetin e humbur dhe të munguar të këtij institucioni, i cili ishte dhe simboli i ndryshimit në artin bashkëkohor në Shqipëri pas viteve ’90. Politikat qendrore gjithashtu duhet të promovojnë kuratorë të huaj apo vendas, të rikthejnë gjallërinë e kreativitetit eksperimental për të lançuar artistët e rinj drejt një tregu ndërkombëtar. Duke tentuar të reflektoj, por pa sukses, do të doja një Galeri të Arteve open door….open space…open people.



Në foto: “Untited”, 2001. Artisti Maurizio Cattelan, Courtesy Galerie Perrotin


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama