Mbetes ne klase ne Itali studente ne Shqiperi

Mbetes ne klase ne Itali, studente ne Shqiperi

Gazeta e madhe italiane boton historinë e çuditshme të qindra studentëve të vendit fqinj, të cilët vijnë për të studiuar në vendin tonë. Arsyet që i kanë shtyrë ata t'i drejtohen tregut tonë arsimor

“Gjithçka e prisja në jetë, por që do e çoja vajzën me studime në Shqipëri, këtë jo”. Rruga Dritan Hoxha, në periferi të Tiranës. Në mes të një grumbulli të madh pallatesh dhe e mbytur nga një trafik i çmendur, ja ku na del përpara aspirata e ardhshme e mjekëve italianë: universiteti privat shqiptar me emrin “Zonja e Këshillit të Mirë”. Pikërisht këtu, në këtë bashkësi godinash të reja apo në ristrukturim, 596 djem e vajza të vendit tonë (Italisë, shën. i përkth), janë paraqitur dje për testin e pranimit në fakultetin e Mjekësisë dhe Stomatologjisë. Gjashtëdhjetë kërkesa të natyrës shkencore, një orë kohë për t’i përgatitur. Asnjë kriter i kulturës së përgjithshme. Dhe nota e diplomës vlen, madje shumë: 30 pikë nga 90 të mundshme. Javën e ardhshme rradhën e ka fizioterapia dhe kursi i infermierisë.
Jashtë, duke pritur për  fëmijët e tyre, ndodhen prindërit. Në ankth ndoshta më shumë vetë bijtë e tyre dhe të ndoshur përballë një realiteti që për shumëkënd do të dukej “i vështirë për t’u tretur, por që duhet duruar, pasi është shansi i fundit”. Daniela vjen nga Napoli, bashkë me djalin që do të donte ta bënte dentist, e cila nuk gjen dot paqe me veten. “Ky është turp, shteti i detyron fëmijët tanë të ikin”. Më pas kërkon nëpër korridore: Cilin duhet të paguaj, që të kalojë im bir?! Pasi kanë dështuar për t’u pranuar në universitetet italiane, qindra të rinj i janë drejtuar anës tjetër të Adriatikut për t’u regjistruar tek Zonja e Këshillit të Mirë, i vetmi institucion vendas që lëshon diploma të homologuara me disa universitete italiane, më së pari me atë të Tor Vergatas.


Sistemi funksionon kështu: regjistrohesh në Tiranë, kalon provimet në gjuhën italiane dhe në fund ke në dorë një copë letër – thotë rektori Paolo Ruatti – “që është në fakt edhe një diplomë italiane, pra nuk ka nevojë të rivlerësohet në Itali”. Natyrisht më parë duhet kaluar testi. Rreth të cilit, megjithatë, nuk ka ndonjë njoftim për numrin e vendeve të disponueshme. Shifra që jepet, në rrugë jozyrtare, është 150-160 studentë. Qendra akademike, e frekuentuar vitin e shkuar nga 1700 studentë shqiptarë dhe 300 italianë, menaxhohet nga një fondacion, një institut religjioz i të drejtës fetare. Pagesat vjetore shkojnë nga 7 deri në 8 mijë euro, të cilave duhet t’u shtosh shpenzimet për strehimin dhe ushqimin. “Të paktën kostoja e jetesës është e ulët”, thotë Luigi Lizzi, njëzetvjeçar nga Terlizzi dhe Tomaso Cassano, 22 vjeç nga Frosinone, të regjistruar në vitin 2012. Edhe ata, si të tjerë italianë, kanë dështuar në testin e pranimit për mjekësi në Itali. Në vijim, në sajë të fjalëve të përhapura që kanë dëgjuar, janë gjendur papritur në Shqipëri. “Këtë javë agjencia jonë e udhëtimit ka sistemuar në hotelet e Tiranës të paktën 800 italianë që kanë ardhur posaçërisht për testin e pranimit në universitet”, shprehet Armela Memaj e Europa Travel&Tours.

Ashtu si Luka Spagnolo, 19 vjeç nga Leçe, i cili mori tragetin pasi në testin e mjekësisë në Kieti, mori notën 36.8. “U diplomova me notën 100, ankohet ai, nëse s’do të më kishin hequr bonusin e maturës, nuk do të isha këtu”. Dhe “këtu”, për 24 vjeçarin Adriano nga Latina, do të thotë të thotë “aftësi përshtatjeje me situatën”. Ai në fakt e ka tashmë një punë: është higjenist dentar. “Por me atë që fitoja, nuk e mbaj dot familjen”. Po nëse e zbulojnë se ndodhesh këtu? “Atëhere do më pushojnë nga puna, por unë dua të bëhem patjetër dentist”. Shumë nga prindërit nuk i fshehin shqetësimet që lidhen me vendin. Rocco Lauletta, i jati i Federicas nga Napoli, thotë se “impakti me Shqipërinë qe traumatik. Shpresojmë të shkojë më mirë në ditët e ardhshme”. Sara Carinci, 20 vjeç nga Roma, ka bërë dy teste në Itali, pa mundur të fitojë. Tani po provon kartën shqiptare. “Vitin që vjen do e provoj sërish në vendin tim: këtu nuk dua të qëndroj”, thotë ajo.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama