Mbeti jashte Europes Tirana do 150 mije euro nga UEFA

Mbeti jashtë Europës, Tirana do 150 mijë euro nga UEFA

Tirana nuk do të dorëzohet sa i takon mospjesëmarrjes në Europa Ligë pas vendimit të marrë nga UEFA që e çon Partizanin në Champions League. Rreth një muaj më parë, bardheblutë morën një lajmërim nga FSHF, e cila ishte sinjalizuar nga UEFA, se mund të merrnin pjesë në kompeticionin europian pas dënimit të skuadrës së Skënderbeut. Por, një gjë e tillë nuk u bë realitet në asnjë moment.

Tirana stervitje

Në kohë rekord, presidenti Halili rikonfirmoi trajnerin Daja në krye të stolit, si dhe premtoi merkato cilësore, por shpresat me kalimin e ditëve filluan duke u shuar. Fakti që Skënderbeu arriti të ishte në shortin e Championsit, bëri që Tirana të mos kishte më shans të merrte pjesë në Europë, pavarësisht shpenzimeve që bëri në këtë drejtim.

Por, tani që UEFA dha një rast të paprecedentë në historinë e saj, pasi lejoi Partizanin të luante në Champions edhe pse kishte zhvilluar një takim në Europa Ligë, bardheblutë nuk kanë ndër mend të rrinë në heshtje, por do të kërkojnë të drejtën e tyre.

Tirana stervitje daja

Kërkesa

Fakti që klubi kryeqytetas nisi përgatitjet për ndeshjet e Europa Ligës, madje iu lejua nga UEFA që të niste procesin e federimeve të lojtarëve, zyrtarizon në njëfarë mënyre kërkesën që drejtuesit bardheblu do të bëjnë në UEFA. Natyrisht që kryeqytetasit nuk do të kërkojnë pjesëmarrje, pasi një gjë e tillë është e pamundur, por ata do të kërkojnë një dëmshpërblim të majmë nga institucioni i futbollit europian, që mund të shkojë deri në 150 mijë euro.

Në letrën që do t'i dërgohet UEFA-s klubi do të paraqesë të gjitha përgatitjet që kishte bërë deri në momentin që u lajmërua se nuk do të merrte pjesë dhe natyrisht humbjet që pëson nga një fakt i tillë. Do të mbetet për t'u parë nëse UEFA do ta marrë parasysh kërkesën e Tiranës.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama