Të paktën 100 punonjës të Policisë së Shtetit rezultojnë debitorë “të thekur” ndaj OSSHEE-së. Shifra pritet të jetë më e lartë, por ky numër ka dalë paraprakisht, nga verifikimet paraprake, disajavore brenda strukturave të Policisë së Shtetit. Ndërkaq, lajmin për ndëshkimin e efektivëve të policisë e dhanë dje të parët Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, të cilët i konstatuan këto shkelje gjatë takimit antikorrupsion.
Policët debitorë
Në ditët në vijim pritet përfundimi i skanimit të plotë i librezave të energjisë të rreth 10 mijë policëve në të gjithë vendin. Prej javësh, ata i kanë dorëzuar librezat tek eprorët e tyre, ndërsa po kryhen verifikime të plota për disa pasaktësi dhe shifra apo vula që paraprakisht ngjajnë si të modifikuara. Deri më tani, rezulton se 100 efektivë të policisë, nuk i kanë shlyer shtetit, me miliona lekë, prej disa vitesh dhe ndaj tyre pritet të merren masa ekstreme, që do të miratohen në orët në vijim, ku më e pakta është përjashtimi nga Policia e Shtetit. Lajmi mësohet për gazetën “Shqip” nga burime brenda Policisë së Shtetit, të cilat shtuan se shifra e 100 policëve debitorë, nuk është përfundimtare, pasi pritet që ky numër të rritet, pas mbarimit të plotë të verifikimeve të librezave të energjisë dhe konsultimit me specialistët e OSSHE-së. Ndërkaq, një tjetër fakt interesant është se policët debitorë, mbajnë kryesisht grada të ulëta, ndërsa janë të pakta rastet e abuzimeve nga oficerë me poste drejtuese. Nga të dhënat e deritanishme, mësohet se ka rezultuar që abuzimet më të shumta në mospagesën e energjisë elektrike janë kryer nga efektivët e zonave veriore, ku Kukësi është një ndër zonat më problematike.
Gjithsesi, burimet e policisë theksojnë se në asnjë rast shifra prej 100 policësh debitorë, nuk mund të jetë përfundimtare, pasi nga mbarimi i verifikimit total, pritet të publikohet edhe numri i plotë, i cili mund të jetë dyfish më i lartë ose edhe më shumë. Një tjetër moment domethënës është ai i dhënies së një shansi tjetër çdo polici debitor. Me të dorëzuar librezat e energjisë elektrike dhe pas konsultimit me ekspertët e OSHEE-së, policët, të cilët janë gjetur debitorë, janë thirrur nga eprorët dhe u është lënë një afat kohor, deri në përfundimin total të verifikimeve të rreth 10 mijë librezave, që të shlyejnë detyrimet e prapambetura, në mënyrë që emri i tyre të mos rezultojë në listën e debitorëve. Ky moment ka shërbyer si një çast ndërgjegjësimi për dhjetëra efektivë, të cilët kanë nxituar të paguajnë detyrimet e tyre dhe që tashmë janë “pastruar”, ndërsa pjesa tjetër mësohet të jetë shprehur se kanë pasur probleme të mëdha financiare, për shkak të papunësisë së anëtarëve të tjerë të familjes. Sakaq, mbetet ende i paqartë momenti i verifikimit ose jo i librezave të energjisë të punonjësve të larguar nga Policia e Shtetit.
Rama dhe Tahiri
Në një pjesë të fjalës së tij, në takimin për të luftuar korrupsionin, Kryeministri Edi Rama tha se “në këtë orë po kryhet hetimi brenda Policisë së Shtetit dhe përsëri, shifra është alarmante e personave që punojnë në Policinë e Shtetit dhe që nuk paguajnë energjinë elektrike e që janë debitorë për vite të tëra”. Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, e vuri theksin te bashkëpunimi i efektivëve të policisë me debitorët, duke shfaqur mosbesim ndaj uniformave blu gjatë aksioneve të javëve të fundit. “Unë e thashë edhe në takimin që bëmë me punonjësit e OSHEE-së dhe punonjësit e policisë. Ishim mbledhur në atë sallë pikërisht se auditori i asaj salle kishte dështuar sistematikisht të bënte detyrën, të cilën po e bëjmë ne sot. Sepse, punonjës të OSHEE-së, siç edhe punonjës të policisë, kishin lejuar vjedhjen sistematike të energjisë elektrike.
Gjë që ndodh edhe sot! Ndodh edhe sot, madje deri në pikën kur na duhet të verifikojmë dy, tri apo katër herë të njëjtën rrugë që shkelim njëherë me grupet e përbashkëta të punës për vjedhjen e energjisë”, deklaroi ministri Tahiri. Më tej, ai shtoi se: “Lufta jonë është e dyfishtë! Ndaj atyre që vjedhin energjinë, por me më shumë forcë ndaj atyre që deri dje, por edhe sot, vazhdojnë të mbyllin sytë, duke vjedhur shtetin, duke vjedhur qytetarët e ndershëm dhe duke lejuar hajdutët e energjisë të vazhdojnë të vjedhin energjinë elektrike”.