Mbi 20 mije studente te rinj ne auditoret publike

Mbi 20 mijë studentë të rinj në auditorët publikë

Përmes një vendimi të posaçëm të ministrit të Arsimit, Fatos Beja, 13 tetori u caktua si dita e parë e fillimit të ciklit të studimeve universitare publike dhe private në të gjithë vendin. Drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë publik në vend, ndonëse publikisht pohojnë se gjithçka është gati, nën zë pranojnë problemet aspak të vogla, me të cilat do të bashkëjetojnë çdo ditë edhe në këtë vit akademik, si mungesat e ambienteve të mjaftueshme për një fluks të madh studentësh, apo edhe të laboratorëve të punës praktike dhe studimore, të cilët nuk kanë përfunduar ende, ndonëse për ta është premtuar edhe një fond i posaçëm nga buxheti i shtetit. Drejtuesit e të gjithë universiteteve kanë vendosur që mësimi të zhvillohet nga ora 08:00 e mëngjesit e deri në 20:00 të mbrëmjes. Një pjesë e tyre i konsideron këto orare normale pune dhe studimi, duke përmendur edhe eksperiencat e ngjashme evropiane e botërore në këtë drejtim.

Një tjetër shqetësim i drejtuesve të universiteteve publikë është edhe niveli jo fort i kënaqshëm i studentëve të rinj. Në maturën e tretë shtetërore, të organizuar deri tani, ata shënuan një notë mesatare 6.3 në nivel kombëtar. Ndërkohë që u regjistruan vetëm 30 maturantë të shkëlqyer në të gjithë vendin, nga më shumë se 30 mijë të rinj të këtij brezi.

Numrin më të madh të studentëve të rinj do ta ketë Universiteti i Tiranës për t‘u ndjekur më pas nga Universiteti Politeknik në kryeqytet. Sistemi i institucioneve të arsimit të lartë publik në vendin tonë tashmë është integruar në atë të Bolonjës, ku studentët vlerësohen me kredite. Mbi bazë të tyre, ata pranohen ose jo në studimet pasuese, pra, në masterat e nivelit të parë dhe të dytë, të detyrueshme për marrjen e një diplome të vlefshme në tregun vendas të punës. Aktualisht ka edhe një numër kuotash të lira në të gjithë universitetet publikë në vend.


Lidhur me plotësimin e këtyre vendeve, Ministria e Arsimit ka premtuar se do të nxjerrë një formular të tretë për të gjithë ata të rinj që nuk mundën të fitonin ndonjë nga degët e preferuara në dy fazat e para të seleksionimit të studentëve. Ky formular, sipas përfaqësuesve zyrtarë të MASH-it, do të publikohet për të gjithë të interesuarit brenda dhjetëditëshit të parë të muajit nëntor. Kjo me pretendimin e përgatitjeve, por edhe të fillimit pa probleme të këtij viti të ri akademik.


 

Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama