Hudhri: Libri mbart një mesazh për Kosovën
Në librin e tij “Mbi Krimin në Ballkan” Kadare shkruan se heshtja botërore për krimet e kryera nga Serbia ndaj popujve tjerë në Ballkan e ka bërë Serbinë të përfitojë nga kjo heshtje. Këtë citon edhe botuesi Bujar Hudhri, kur e pyet se përse, sipas tij, ky libër është ndër më të kërkuarit në këtë panair. “Është një libërth, siç thotë dhe vetë Kadare, që mbart një mesazh. Disa prej letrave që publikohen në këtë libër janë shkruar përpara 25 vitesh. Kadare në këtë libër denoncon heshtjen mbi krimet e kryera në Ballkan, por dhe në Kosovë. Ky libër është një libër edhe mbi Kosovën. Mendoj se duke lexuar këtë libër arrijmë të kuptojmë dramën e vërtetë të Kosovës, të vërtetën e krimit në Ballkan në këto 25 vite, arsyet e mosnjohjes së Kosovës nga Serbia. Është historia e Kosovës sot” - u shpreh botuesi Bujar Hudhri. Në qendër të këtij libërth-i (siç e emërton dhe vetë shkrimtari), në radhë të parë janë letërkëmbimet e shkrimtarit me personalitete të kohës, bashkë me gjykimet mbi to. Ato kapin një periudhë çerekshekullore: 1987-2011. Ngjarje të mëdha që kanë tronditur në këtë kohë, gjithë planetin, veçanërisht kontinentin europian, rrjedhimisht gadishullin ballkanik, e bashkë me të hapësirën tonë shqiptare.
Edhe “Iluzione në sirtar” në top listë
Ndërkohë, përfaqësuesi i shtëpisë botuese “Toena” në Prishtinë, tregon se ndër librat më të kërkuar në stendën e shtëpisë botuese “Toena” është dhe libri më i fundit i shkrimtarit Fatos Kongoli “Iluzione në sirtar”; “Një rrugëtim”, nga Tony Blair etj. Panairi Tradicional i Librit, i cili sivjet është i 13-ti në radhë, afirmon librin shqiptar në rajon.
Mbahet dhe takimi ndërkombëtar i shkrimtarëve “lEtra”
Gjatë ditëve të Panairit, që mbyllet më 9 qershor, do të mbahet dhe Takimi Ndërkombëtar i shkrimtarëve “lEtra”. Ky manifestim jo pa qëllim është pagëzuar “lEtra”- me “E”- të madhe, pasi në të prezantohen shkrimtarët më të njohur. Me këtë rast, rrjeti “Traduki” për herë të parë do të prezantojë në këtë takim botëror edhe botimet në gjuhët e rajonit, duke filluar nga shqipja, sllovenishtja, kroatishtja, serbishtja, maqedonishtja, por edhe gjermanishtja në të tre shtetet gjermanofolëse. Lexuesit, botuesit dhe krijuesit nga Kosova do të kenë rastin e parë që në stendën e “Tradukit” të shohin me qindra tituj të përkrahur nga ky rrjet, i cili konsiderohet si nga më të rëndësishmit në Europë për përkrahjen e letërsisë nga Europa Juglindore. Pjesëmarrja e takimeve në “lEtra” e shkrimtarëve të njohur siç janë: Richard Swartz nga Suedia, Markus Jaroschka nga Austria, por edhe Dragan Velikiqit nga Serbia, si dhe botuesit e shkrimtarit Ismail Kadare, por dhe botuesit e Dostojevskit dhe të shkrimtarëve të tjerë botërorë, do të jetë një prej kulmeve të këtij manifestimi. “lEtra” është përpjekja e parë që autorët dhe botuesit nga Europa të takohen para lexuesve në Prishtinë në kuadër të festës së librit. Dje në takimin “Autorët takohen me Autorët” u diskutua tema “Letërsia - globale, rajonale apo lokale?” Në panelin e diskutimeve ishin: Richard Swartz, Rexhep Bajrami, Basri Çapriqi, Dragan Velikiq, Renato Baretiq dhe Arian Leka.