Luftëtari i sezonit të ri, ndoshta me fillimin e javës së re, pritet të shkojë drejt funksionimit si SH.A (Shoqëri Aksionare). Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak e planifikuar për nesër do të ketë në fokus të saj ecurinë e Luftëtarit për sezonin e ri. Mes të tjerash, do të votohet për kalimin në SH.A.
Pritshmëritë janë pozitive dhe kësisoj Luftëtari do të ketë më shumë premisa dhe mundësi për të qenë denjësisht mes më të mirëve në Superiore. Një ndryshim i tillë pritet të jetë pozitiv për organizimin e klubit, ndaj me shumë gjasë në momentin që do të ndodhë diçka e tillë, do të nisë edhe funksionimi më i mirë i strukturave të këtij klubi.
Përgatitjet
Luftëtari, i drejtuar nga dyshja Milinkoviç-Papa, është duke vijuar përgatitjet në kuadër të sezonit futbollistik i ndarë në grupe. I kushtëzuar nga pjesë- marrja e një numri të konsiderueshëm futbollistësh në këto ditë të para përgatitjeje verore, më shumë se 45 të tillë, dyshja Milinkoviç-Papa është e prirë të seleksionojë më të mirët mes futbollistëve të vetofruar.
Të ndërgjegjshëm se duhet të formatojnë skuadrën kompetitive, stafi teknik i Luftëtarit është duke punuar për të përzgjedhur vetëm 25 më të mirët. Aktualisht, vetëm 11 futbollistë janë pjesë e skuadrës së sezonit të ri, ndërkohë që ky numër do të shkojë në 25, duke pasur parasysh prurjet e reja si dhe konfirmimin e pesë futbollistëve nga skuadra e të rinjve.
Tomor Shehu