Mblidhen per librin debatojne emerimin e drejtorit ne MK

Mblidhen per librin, debatojne emerimin e drejtorit ne MK

Pas 6 vjetësh, dje në sallën “Tefta Tashko” të Ministrisë së Kulturës u organizua mbledhja e Këshillit Kombëtar të Librit dhe nxitjes së leximit. Të pranishëm ishin vetëm disa nga anëtarët e këtij Këshilli, të cilët diskutuan për sfidat e librit shqip. Me rastin e 200-vjetorit të lindjes së Jeronim de Radës, viti 2014 u shpall “Viti i Jeronim De Radës”. U diskutuan tema të ndryshme. MK ka propozuar që të zhvillojë në kuadër të këtij viti veprimtari si; botimin e veprës së plotë të De Radës me bashkëfinancim të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë edhe Ministrisë së Kulturës dhe Sporteve të Kosovës. 

 

Por edhe shpallja, së afërmi, e konkursit kombëtar për të rinj deri në moshën 18 vjeç me temën “Unë, Milosao”. Përpos agjendës së Ministrisë së Kulturës, gjatë mbledhjes pati edhe një "përplasje" nëpërmjet Kryetarit të Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri dhe zonjës Kumbaro, lidhur me ndryshimin e emrit nga Drejtoria e Librit në Drejtoria e Fjalës së Shkruar dhe e Përkthimit. Zoti Ymeri ndër të tjera bëri publike disa arsye se përse emërimi i Gentian Çoçolit ishte i padrejtë në krye të kësaj   drejtorie. 

 

Muzafer Kërkuti: “Të rishikohen botimet shkencore” 

 

Kryetari i Akademisë së Shkencave Muzafer Kërkuti, njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit të Librit thotë se: “Botimet shkencore në radhë të parë kanë mangësi në cilësinë e tyre. Prandaj duhet të rishikohen me kujdes. Ne do t’i kërkojmë Këshillit të Botuesve, që të mbështesë cilësinë e botimit, sepse përmbajtja e librave ka shumë mangësi. Gjithashtu më shqetëson fakti që hapësira e Bibliotekës Kombëtare, që dikur ishte te Pallati i Kulturës, sot nuk është më e njëjtë, mendoj se kjo pronë duhet t’i rikthehet biblotekës”.

 

 Kryetari i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri ngre shqetësimin   e tij për gjendjen se ku ndodhen sot shtëpitë botuese, informalitetin dhe emërimin e Gentian Çoçolit në MK. Sipas tij, informaliteti është ulur këmbëkryq në botimet shqiptare, për shkak të problemeve të piraterisë, ndihet mungesa e librarive, si hapësira, ka një sistem fiskal shumë të keq, në raport me librin evropian, botuesit shqiptarë kanë tatim më të lartë, kopja e detyruar për BK nuk duhet të jetë më pesë copë etj. Sipas tij, shtëpitë botuese që punojnë në mënyrë profesionale dhe me rregulla sipas ligjit, janë mbytur në borxhe.

 

 Ymeri: “Gentian Çoçoli, zgjedhje e gabuar e Ministrisë së Kulturës për Librin”

 

 Mund t’iu jap disa pika që tregojnë se kjo zgjedhje e Ministrisë së Kulturës është shumë e rëndë: 1) Keni vënë në krye një njeri, në kundërshtim me Ligjin. Së pari, ai ka pronë private, ka një shtëpi botuese dhe një revistë. 2) Në konkursin që u dha në dhjetor ai i dha çmim librit të tij. 3) Në ndarjen e çmimit të Bibliofilisë veproi në mënyrë të turpshme, nga 5 milionë lekë fituesit iu dhanë vetëm 900 mijë lekë. 4) Ka ndaluar me ndërgjegje pjesëmarrjen e shtëpive botuese në Panairin e Lajpcigut. 

 

 Mirela Kumbaro: "Akuzat nuk janë të drejta"

 

 "Nuk pranoj asnjë nga këto. Ju do të merrni një përgjigje zyrtare për letrën që keni dërguar, por unë po jap një përgjigje publike. Mund të them se asnjë nga këto akuza që bëtë, nuk janë të drejta, sepse nuk janë të sakta. Juria për bibliofilinë ka qenë një juri plotësisht e pavarur nga Ministria e Kulturës. 

 

Çmimi i Bibliofilisë është dhënë me urdhër të Ministrisë së Kulturës. Përsa i përket uljes së tarifës, kjo është bërë duke u bazuar në financat që u trashëguan në vitin 2013, duke mos prekur asgjë nga cilësia e çmimeve, nga pavarësia e jurisë. Nuk ka asgjë të paligjshme nëse një tarifë të caktuar nga ministri i mëparshëm në 5 milionë lekë të vjetra, unë vendos që të jetë vetëm 1 milion lekë. Surpriza apo pakënaqësia autorit është krejt e kuptueshme. Por nëse kemi një ankesë personale nuk kemi përse ta ndajmë këtu", tha Kumbaro. Gentian Çoçoli kërkon fjalën, por refuzohet nga Petrit Ymeri. Ai e shikon si të pavend që Çoçoli të flasë në këtë tryezë, pasi nuk është pjesë e Këshillit të Librit.

 

 Brikena Çabej: “Përgëzoj qeverinë, që 2014-ën e ka shpallur “Viti i De Radës“ 

 

Nuk më duket e drejtë që një person të flasë kaq gjatë. Këtu ka çështje themelore të   kulturës së librit. Jam shumë e gëzuar që marr pjesë në këtë mbledhje, për këtë duhet të përgëzojmë qeverinë dhe MK, që kanë shpallur vitin 2014 si “Viti i De Radës”, sepse unë e shikoj në një aspekt më të gjerë. Është një personalitet që ka pasur dhe ka kryer detyra shumë të rëndësishme. Uroj që kjo nismë të shërbejë edhe në të ardhmen, si shembull pozitiv. 

 

Dhurata Shehri: “Nuk jam dakord me agjendën e 200-vjetorit të De Radës” 

 

Ministria e Kulturës duhet të bëjë një agjendë publike, por këtë duhet që ta rishikojmë edhe një herë bashkë. Nga kjo që po shikoj nuk jam dakord. Nëse do flasim për De Radën, unë them të flasim për De Radën. Kurse 100-vjetori i Franesk Solanos ka tjetër rëndësi. Duke e nisur që nga agjenda e muajt mars që nuk mund jetë kështu. 

 

Mirela Kumbaro

 

Jam plotësisht dakort me ju, sepse ky program është bërë paraprakisht. Ne nuk e kemi shpallur, por e kemi propozuar. 

 

Arlinda Dudaj: “Librat që u rekomandohen fëmijëve tanë janë për turp”

 

 Jam e kënaqur që Ministria e Kulturës na hap dyert, sepse në fund të fundit jemi të gjithë kolegë. Kopjet që duhet t’u japim   bibliotekave për ne janë shqetësim shumë i madh. Fondet janë keqpërdorur kaq shumë, saqë edhe listat me libra që u rekomandohen fëmijëve tanë janë për turp. 

 

Etleva Domi: “Frekuentimi i bibliotekës është rritur” 

 

Unë kam 30 vjet që merrem me këtë punë dhe nëse shikojmë anëtarësimin në Bibliotekë, mund të them se është rritur. Bibliotekat publike shërbejnë dhe edukojnë, kurse roli edukues i përket më tepër bibliotekave shkollore. Përderisa ligji thotë çmim i njësuar, çdo libër duhet të botohet me çmimin përkatës. Kritikat e vërteta shkollore duhet të mbahen shumë në vëmendje. BK është e detyruar që t’i shërbejë lexuesit. Statistikat tregojnë se frekuentimi është më i lartë. 

 

Pas largimit të ministres Kumbaro në një tjetër aktivitet, ku duhet të ishte e pranishme, largohet edhe Petrit Ymeri. Zonjën Kumbaro e zëvendëson Gentian Çoçoli, i cili vazhdon normalisht bisedën me anëtarët e Këshillit të Librit. 

 

Gentian Çoçoli: “Kam pezulluar çdo aktivitet privat”

 

 Unë e kam pezulluar aktivitetin e klubit, e të vetmit klub shkrimtarësh që unë kam në Shqipëri. Gjithashtu edhe për revistën “Alef” që ka qenë një aktivitet jofitimprurës është pezulluar.       


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama