Mblidhet Keshilli Ekonomik i Bashkise se Tiranes

Në fjalën e tij Veliaj theksoi se "së pari dua që të gjitha çështjet që kanë impakt financiar në qytet të jenë tema të diskutimit të këshillit. Në mbledhjen e radhës ne do t'u prezantojmë buxhetin e bashkisë dhe paketën fiskale të bashkisë para se ajo të shkojë në Këshillin Bashkiak dhe të marrë votat e këshillit bashkiak për t'u implementuar".

"Ka një arsye pse do ta bëjmë këtë, Bashkia e Tiranës është prokuruesi i dytë më i madh në Republikë pas qeverisë qëndrore, pra mënyra se si ne do të vendosiim të shpenzojmë buxhetin e bashkisë do të ketë një impakt direkt se si do të shkojnë punët e këtij qyteti në çështjet e ekonomisë dhe punësimit", tha ai.

Veliaj theksoi se duam që për tema si masterplanet ose zhvillimi urban, ky këshill të ketë fjalën e vet sërish, përpara se plani i ri urbanistik të marrë fuqi nga vendimet e keshillit bashkiak.

Ne, vijoi Veliaj, momentalisht kemi filluar një procedurë e cila po zbatohet nga Ministria e Zhvilimit Urban, ku janë përcaktuar deri tani 5 finalistë dhe deri në fund të këtij muaji do të kemi fituesin për kompaninë që do të ndihmojë bashkinë e Tiranës me planin e ri urbanistik.

"E dimë fare mirë që tani Tirana është një territor 25 herë më i madh dhe se plani urbanistik i vjetër që kemi pasur kishte përgjigje vetëm për një pjesë të vogël të territorit që është Tirana e vjetër", tha Veliaj.

Më tej kryebashkiaku Veliaj theksoi se "sheshi "Skënderbej" do të kthehet totalisht në pedonale. Për unazën e vogël kemi filluar procesin e shpronësimeve, ndersa kemi një proces aktiv të pastrimit nga ndotja dhe pastrimit të parkut të liqenit të Tiranës".

Kryebashkiaku Veliaj premtoi se bashkia do të ketë përparësi për krijimin e zonave ekonomike dhe tregjeve publike. "Ligji i ri i zonave ekonomike i ka dhënë fuqi jo vetëm operatorëve privatë ose të qeverisë qendore, por edhe operatorëve lokalë , pra bashkive që të operojnë me statusin e zonave të lira ekonomike. Qeveria qendrore është duke aplikuar një projekt të tillë në Spitallë në zonën e Durrësit, por duam të përdorim këtë fuqi që na jep ligji që edhe në Tiranë të zhvillojmë zonat e lira ekonomike. Jemi duke parë disa propozime sidomos në zonën e Vaqarrit, por mund të ketë edhe propozime të tjera dhe do të donim sërish që këtë vendimmarrje ta kishim të përbashkët", nënvizoi Veliaj .

Duke folur për borxhet e gjetura në bashki , Veliaj tha se "kemi gjetur një bashki të zhytur në borxhe dhe besoj se kemi qenë të vëmendshëm edhe në deklaratat që kemi dhënë më përpara, borxhet e faturuara në bashkinë e Tiranës janë në nivelin 30-31 milionë dollarë pa përfshirë detyrimet që kanë ndërmarrjet që janë në varësi të bashkisë, siç mund të jenë borxhet e ujësjellësit , ose kompanive të tjera publike. Vetëm për kompanitë e pastrimit kemi patur një borxh prej 4.6 milionë dollarë".

"Bashkia ka filluar të paguajë borxhet për kompaninë e pastrimit dhe kemi sot një qytet shumë më të pastër. Në shumë fusha ku kemi pasur sjellje të ndotjes kronike në qytet kemi sjellë një sens displinimi. I kemi dhënë prioritet pagesës së borxhit të ndotjes për kompanitë e pastrimit , pasi kemi gjykuar se ka qenë një nga çështjet më emergjente të qytetit që nuk priste që ne të shëndoshnim financat tona publike", u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se "rreth 23 milionë dollarë janë borxhe në projekte investimesh publike 7.8 mln dollarë janë borxhe në projekte investimesh në infrastrukturë rrugore, rikonstruksione, 4.5 milionë dollarë janë borxhe që lidhen me ndërtimin apo rikonstruksionin e shkollave. Garancia që dua t'i jap këtij këshilli ekonomik është që ne do të njohim çdo borxh të bashkisë së Tiranës".

"Po bëjmë çmos të shëndoshim të ardhurat e bashkisë. Ne sapo kemi filluar një projekt pilot të parkimeve publike në qytet. Vetëm sheshi italia prodhon 1000 euro në ditë. Të kemi më shumë të tilla i sjellim bashkise 3 mln euro në vit. Pa rritur taksat, por duke shfrytëzuar eksesin në asetet publike, duke gjetur burime të ardhurash dhe në partnerit me biznesin, mund të shkojmë në bashki me 100 mln euro në vit", tha Veliaj./k.s/ /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama