Mbremje kushtuar Kadarese dhe Shqiperise ne qender te Bukureshtit

Mbremje kushtuar Kadarese dhe Shqiperise, ne qender te Bukureshtit
Para pak ditësh, në Librarinë Kafene Kretzulescu, që ndodhet në qendër të Bukureshtit, u zhvillua një veprimtari kushtuar Ismail Kadaresë me gjenerikun: “Vepra e Kadaresë ndërmjet mitit dhe realitetit. Nga Skënderbeu te Enver Hoxha.”

Të ftuar në këtë veprimtari ishin shkrimtari dhe publicisti Marius Dobrescu, përkthyesi në rumanisht i veprës së Ismail Kadaresë, poeti dhe përkthyesi rumun Dinu Flamand, Andreea Rasuceanu, kritike letrare, studiuesi Luan Topciu, Ministër Këshilltar i Ambasadës së Shqipërisë në Rumani dhe Denisa Comanescu, drejtor editorial, Humanitas fiction. Aktori Mike Alexander Gheorghiu lexoi për publikun një fragment nga romani Spiritus, botuar së fundi nga Shtëpia Botuese Humanitas.

Shkrimtari, publicisti i mirënjohur rumun Marius Dobrescu, foli për personalitetin e Ismail Kadaresë, për përkthimin e mbi 20 veprave në rumanisht, për marrëdhëniet përkthyes-autor, për komunizmin në Shqipëri dhe për kumtet e prozatorit shqiptar të mirënjohur botërisht. “I krahasuar shpesh me romanet e Kundera-s apo të Kafka-s, romani Spiritus zbulon pasojat tragjike të obsesionit të autoritetetetve. Një Shqipëri ku njerëzit veshin rroba ku në to janë qepur mikrofona që regjistrojnë çdo pëshpëritje ose lëvizje, ku frika dhe urrejtja janë fjalë kyçe, vetëm forca e ligjeve të lashta dhe të pandryshueshme të mitit mund të ndërhyjnë për të rivendosur rendin.” – u shpreh Marius Dobrescu, në fjalën e tij.

“Roman me reminishenca fantastike në një kuadër realist, Romani “Spiritus” ka shtrirjen e një sage moderne dhe thellësinë e tragjedisë së lashtë.” – u shpreh drejtorja e Shtëpisë Humanitas Denisa Comanescu. Përpos të tjerash, zonja Comanescu, botuese e Kadaresë në të gjitha Shtëpitë Botuese ku ka punuar: “Univers”, “Polirom” dhe tani “Humanitas”, u shpreh se është një admiruese e veprës së Kadaresë dhe një mbështetëse e tij për të marrë çmimin, prej shumë kohësh të merituar, Nobel, për letërsi.

Studiuesi shqiptar Dr. Luan Topçiu vuri në dukje, përpos të tjerash se: “Në një përqasje krahasimtare, Ismail Kadare përdor si përftesë stilistikore hetimin gjyqësor si tek ‘’Kush e solli Doruntinën’’, shtypjen e pamëshirshme të individit si tek ‘’Qorrfermani’’ dhe ‘’Piramida’’, një lojë mbi rrjedhjen e kohës si tek ‘’Përbindëshi’’, mitizimin dhe çmitizimin, ndërtimin dhe shkatërrimin e ngjarjeve dhe të versioneve të tyre, që ngrihen e rrëzohen, formohen dhe shformohen, pohohen dhe mohohen, lindin, vdesin e rilindin si tek ‘’Ura me tri harqe’’, ‘’Përbindëshi’’, etj; parabola historike dhe prosede të tjera përshkojnë pothuaj gjithë veprën e tij.”

Andreea Rasuceanu, kritike letrare, duke vënë theksin mbi përftesat letrare të stilit të prozës së Kadaresë, theksoi se në mënyrë formale, kritika letrare e ka vendosur veprën e Kadaresë, më së shumti në një kontekst historik dhe politik, duke lënë mënjanë stilin e shkrimtarit. Ajo e çmoi veprën e Kadaresë si një nga autorët më të rëndësishëm të letërsisë të sotme botërore.

Aktori Mike Alexander Gheorghiu lexoi për publikun një fragment nga romani Spiritus, i cili u shoqërua me duartrokitje të nxehta të publikut. Shqipëria hyn në vëmendje të publikut, në mjediset elitare të Rumanisë, përmes shkrimtarit më të famshëm të saj, Kadare. Në tavernën e Librarisë Kafene Kretzulescu ishin të pranishëm shkrimtarë, përkthyes, përfaqësues të Ministisë së Kulturës, gazetarë, si dhe një numër i madh admiruesish të shkrimtarit shqiptar Kadare. Në pjesën e dytë të evenimentit, organizatorët ofruan byrek shqiptar, ëmbëlsira dhe verë të sjellë nga Shqipëria, posaçërisht për këtë mbrëmje.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama