Për ata që nuk e dinë, ashtu si kinematografia ka Oskar dhe Festivalin e Kanës etj, ashtu si muzika popullore e ajo e zhanrit të lehtë ka Grammy, muzika klasike ka çmimet “Gramaphone”. Këtë vit, ceremonia që do të zhvillohet në 17 shtator do të tërheqë edhe vëmendjen e publikut shqiptar, përtej profesionistëve të zakonshëm dhe adhuruesve të muzikës operistike e klasike. Arsyeja është se sopranoja e shquar shqiptare Ermonela Jaho është pjesë e një prej 12 interpretimeve fituese. Çmimi për Opera është fituar nga “Triptiku” i Puçinit, i shfaqur në Operën Mbretërore të Londrës me interpretimin e jashtëzakonshëm të Eva-Maria Westbroek, Ermonela Jaho, Lucio Gallo etj. Natën e ndarjes së çmimeve do të vendoset edhe se cili nga 11 interpretimet e shfaqjet e produksionet do të zgjidhet si Regjistrimi i Vitit 2013. Të fitosh mes qindra produksione operash që zhvillohen një herë në vit është një sukses që ndriçon në karrierën e të gjithë atyre që kanë punuar për këtë shfaqje. Ndërsa merita për suksesin u ndahet të gjithëve, por këtë vit ia vlen të ndalesh pak te kontributi i artistes shqiptare që pothuajse në çdo shfaqje që merr pjesë, veçohet nga komentet dhe vlerësimet e njerëzve.
Ermonelën e pashë për herë të parë në skenë në vitin 2008 kur Opera e Philadelphia-s interpretoi “Turandot”. Rolin kryesor e kishte këngëtarja në rolin e Princeshës që i jep emrin operës, por njerëzit derdhën lot dhe duartrokitje për Liun, vajzën skllave të interpretuar nga Ermonela. Dyshoj se sopranos shqiptare mund t’i japësh rolin më të skajshëm në shfaqje dhe përsëri do t’i bëjë njerëzit të ikin duke folur për të dhe jo për personazhet kryesore. “Triptiku” është sukses i të gjithëve e në radhë të parë i Operës Mbretërore të Londrës, por dyshoj se do të ishte e njëjta shfaqje pa Ermonelën në të.
Pas Liut në Turandot
Dalja e shqiptarëve në skenat e njohura pritet me gëzim e krenari nga bashkatdhetarët që ndjejnë sikur ndajnë pak nga lavdia e fama e sukseseve të skenës. Lexuesi pret vetëm fjalë të mira nga paraqitja e një artisti apo artisteje shqiptare në botë. Në sport dhe në fusha të tjera, rezultati është konkret dhe lehtësisht i pakthyeshëm, po në art vlerësimi është shpesh subjektiv dhe abuzimi në median shqiptare nuk njeh skaj. Janë botuar kaq shumë shkrime për artistë të mëdhenj që “pushtuan” Nju Jorkun, Parisin, Londrën etj. Daljen e Ermonelës në skenë e prita pa më të voglin pozitivitet, fakti që ishte shqiptare papritmas, atë mbrëmje ishte kthyer në potencial për mosbesim. Po pikëpamja ime ndryshoi që në momentin që ajo hapi gojën dhe filloi të këndonte. Ishte një interpretim i jashtëzakonshëm. Ermonela ishte në rolin e Liut, vajzës skllave që bie në dashuri me një princ ndërsa kujdeset për babain e tij të verbër. E vendosur nën presion nga Princesha Turandot, ajo pranon më mirë të vdesë sesa të tregojë emrin e princit. Liu i Ermonelës u kthye në një shfaqje brenda shfaqjes, me sallën që shpërtheu në ovacione pa pritur mbarimin e aktit, apo rënien e perdes. Thirrjet “brava” shoqëronin duartrokitjet. Ishte padyshim prodhimi më të i mirë i atij sezoni i Operës së Philadelphia-s. Kanë kaluar disa vite po ende e mbaj mend mirë momentin e vdekjes së Liut në skenë. Një çast shumë prekës, i interpretuar mrekullisht nga Ermonela, Spektatorët kishin lot në sy.
Tani të them të drejtën vdekja e Liut tek Turandot, është një moment kyç, për të gjithë të apasionuarit e operas. Po pikërisht për këtë është një sfidë për çdo artiste që e merr përsipër atë rol. Madje përkon me vdekjen e vërtetë të kompozitorit të madh Giacomo Puçini (Xhakomo Puçini), i cili e la operën “Turandot”, të papërfunduar. Mbyllja e saj u konceptua nga Franco Alfano me një ripërsëritje e aries së famshme “Nessun dorma”. Një nga rastet më të treguara është ai i dirigjentit të famshëm italian Alberto Toscanini, i cili në një shfaqje të kësaj opere, pas momentit të vdekjes në skenë të Liut, ndaloi, u kthye nga orkestra dhe duke përkujtuar vdekjen e Puçinit, tha: “Këtu vdekja triumfoi mbi artin”. Pastaj, ai zbriti nga podiumi dhe refuzoi të dirigjonte pjesën e përfunduar pas vdekjes së kompozitorit. Dritat e sallës u ndezën dhe publiku u detyrua të largohej në heshtje i shokuar.
Kjo nuk ndodhi në Philadelphia, por me daljen e Liut/Ermonelës nga skena në shumë kuptime shfaqja kishte mbaruar. Ermonelën do ta shihja përsëri më vonë në Philadelphia, në sezonin tjetër, me rolin kryesor në operan e famshme “Madame Butterfly”. Ishin vite kur në sajë të financimit bujar nga Advanta, Muzeumi i Artit dhe Opera e Philadelphia-s kishin filluar të konkurronin Nju Jorkun, me një numër në rritje të dashamirësve të artit që udhëtonin nga kryeqyteti botëror, në kryeqytetin e parë e të dikurshëm amerikan për të parë ekspozita e shfaqje. Ndoshta një konkurrencë e jetëshkurtër, por gjithsesi që bëri bujë për pak kohë në media.