Gjatë jetës së kësaj mbretërie, kufiri dhe forcat politike ndryshuan kohë pas kohe. Nën ombrellën e saj ishin futur disa principata shqiptare, mirëpo një numër i madh i tyre mbetën jashtë. Gjatë kësaj kohe, në Ballkan, lidhja e fisnikëve bëhej kryesisht në bazë të fesë; një pjesë e fisnikërisë ishte e ritit të krishterë lindor. Rreth viteve 1320, pas disa ankesave të klerit katolik të kësaj mbretërie, Papa Gjoni XXII në bazë të iniciativës së Filipit, princit të Tarantit, fillon të punojë për krijimin e një kryqëzate (koalicioni) kundër mbretërve serbë.
Në këtë koalicion parashihej që të hynin Karli I Roberti, mbreti i Hungarisë; si dhe Mladeni II, bani i Kroacisë dhe Bosnjës. Qëllim i Papës ishte që vetë shqiptarët të merrnin përsipër organizimin e koalicionit. Për këtë qëllim ai u drejtohej parisë më të njohur shqiptare të kohës, siç ishin Muzakët, Blinishtët, Aranitët, Pal Marëngës e Ladislavit, kontit të Mbretërisë së Arbërisë. Për koordinimin e veprimeve dhe të organizimit të koalicionit ishte caktuar Ipeshkvi Krujës, Ndreu. Në vitet 1390 Stefan Uroshi II Milutini ia kishte arritur që të pushtonte dhe kishte ardhur deri te vija Mat-Ohër.
Nga rreziku që po afrohej, fisnikët nga familjet shqiptare, si Matranga, Arianiti, Skurra, Blinishti, Zenebishti, Shpata dhe paria e Durrësit vendosin të pranonin si të parë të mbretërisë princin Filip të Tarantit, djali i mbretit Karl II Anzhu. Ky, i njohur nga historianët si “Dominus Regni Albaniae”, nuk kishte ndërmend të bënte ndonjë karrierë mbreti dhe pranoi të gjitha marrëveshjet e bëra me fisnikët shqiptarë nga Karli I.