Në këtë studim do të përqëndrohemi kryesisht tek marrëdhëniet e Mbretërisë së Arbërisë me Papatin në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XIV, i cili në këtë kohë ishte pushteti qendror i mesjetës evropiano-perëndimore, marrëdhënie këto që deri tani nuk janë marrë në analizë.
Është tashmë i njohur fakti që Mbretëria e Arbërisë u shpall zyrtarisht si formacion politik më 21 shkurt 1272, nga Karli I Anzhu2). Në fakt, termi Regnum Albaniae (Mbretëria e Arbërisë) kishte filluar të përdorej që më herët, dhe konkretisht që në vitin 1267 në kancelarinë anzhuine.3) Në vitin 1272, Mbretëria e Arbërisë, iu servir shqiptarëve si pasardhëse e natyrshme e Principatës së Arbërit. Medievisti shqiptar Pëllumb Xhufi vë në dukje se, pavarësisht se Anzhuinët e servirin atë si pasardhëse të Principatës së Arbërit, Mbretëria e Arbërisë nuk kishte asnjë lloj lidhjeje historike, e aq më pak vazhdimësi me Principatën e Arbërit, jo vetëm përsa i përket rrethanave në të cilat u krijuan secila, si qëllimeve të cilave duhet t'u shërbenin, ashtu edhe për sa i përket funksionit të secilës dhe mënyrës se si u receptuan ato nga shqiptarët.4) Ducellier është i mendimit se kjo mbretëri ishte një structure politique artificielle … régime d'occupation militaire, tout y a été fait par la guerre et pour la guerre.5) Megjithatë, ajo ishte një mbretëri, un royaume distinct du royaume de Naples,6) dhe si e tillë kishte mjetet dhe organet e veta administrative, të cilat ishin përqëndruar në kryeqytetin e mbretërisë që ishte Durrësi. Përsa i përket rëndësisë që pati kjo mbretëri në arenën ndërkombëtare, pak rëndësi ka nëse ajo vetë ishte strukturë artificiale apo formacion politik organik. Rëndësia kryesore që ky fenomen pati për trojet shqiptare është statusi që forcat politike vendore fituan nga kjo shpallje mbretërie, një status ky mbretërie mesjetare, i cili nuk mund të ishte i përkohshëm, por i gjithëhershëm, pavarsisht nga jetëgjatësia e Anzhuinëve në territoret shqiptare, dhe pavarësisht nëse kishte gjithmonë një mbret apo jo. Një herë e shpallur, mbretëria mesjetare nuk mund të shpërbehej më.
Regnum Albaniae u shpall zyrtarisht në vitin 1272, megjithatë dokumentet e para papnore në të cilat përmendet ky formacion politik me këtë emër, datojnë nga dhjetëvjeçari i dytë i shekullit XIV, dhe pikërisht nga viti 1317. Njëri prej këtyre dokumenteve është nga maji i këtij viti7) dhe tjetri nga shtatori i po këtij viti.8) Dokumenti i majit me siguri që është shkruar pikërisht në kohën kur në Selinë Papnore kanë arritur sinjalet e para për persekutimet që mbretërit serbë kishin filluar që t'u shkaktonin katolikëve në territoret shqiptare. Për një fenomen të tillë flet qartë bula papnore e shtatorit të vitit 1317, në të cilën bëhet e njohur se me datë 17 shtator të vitit 1317, Ndreu, ipeshkvi katolik i Krujës, ishtë dëbuar me dhunë nga posti i tij.9)
Bulat e shumta papnore që datojnë nga viti 1317 deri në vitin 1320, në të cilat pothuajse gjithmonë përmendet Regnum Albaniae, direkt apo indirekt të gjitha kanë lidhje me një kryengritje që po përgatitej kundër sundimit serb, sundim ky që po u shkaktonte shumë vuajtje katolikëve të territoreve shqiptare që ishin pushtuar nga mbretërit serbë.
Në vitin 1319 do të ndeshemi me shumë bula papnore në të cilat adresohet Regnum Albaniae, dhe të gjitha këto bula janë në kontekstin e një kryqëzate. Më 17 qershor 1319, Papa Gjoni XXII, filloi përpilimin e një plani për kryqëzatë kundër mbretit Serb. Në fakt, përpilimi i këtij plani deri tani është menduar dhe interpretuar si ide e Anzhuinëve, dhe konkretisht e Filipit, princit të Tarentit,10) i cili nëpërmjet një letre duket se i kishte parashtruar Papës Gjoni XXII, gjendjen e keqe të katolikëve shqiptarë nën sundimin e mbretërve serbë, dhe i kishte kërkuar Atij që t'i mbronte ata me ndihmën e një koalicioni.11) Kësaj letre Papa i ktheu përgjigje më 12 maj 1319,(12) duke e siguruar që ishte i gatshëm për çfarëdo lloj iniciative.
Papa shtonte me këtë rast se të gatshëm njëlloj ishin edhe Karli I Roberti, mbreti i Hungarisë (1308-1342), si dhe Mladeni II, bani i Kroacisë dhe Bosnjës.13) Megjithatë, mund të themi pa frikë që Papa Gjoni XXII, së paku që nga viti 1317 e njihte mirë gjendjen e katolikëve në territoret shqiptare, siç kemi parë nga bula që kishte lidhje me Ndreun e Krujës, kështu që nga ky këndvështrim ai nuk mësoi asgjë të re nga letra e Filipit, përveç faktit që Filipi vetë e njihte tepër vonë gjendjen e keqe të katolikëve të Mbretërisë së Arbërisë. Ndoshta ky është shkaku pse Papa Gjoni XXII u drejtohet vetë shqiptarëve për të marrë përsipër kryqëzatën kundër serbëve.
Më 17 qershor 1319 Papa Gjoni XXII u dërgoi letra Muzakajve14): Mentul Muzakës, kontit të Këlcyrës, Ndre Muzakës, marshallit të Mbretërisë së Arbërisë (regni Albaniae marescalco), Theodor Muzakës, protosevastor-it të Mbretërisë së Arbërisë, të cilët i kishin pronat e tyre në jug të Shqipërisë së sotme; princërve të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut:15) Guljelm Blinishtit, protosevaston, Guljelm Aranitit, protholegaturo, Kalgjon (Calojohanni) Blinishtit, Pal Matrangës dhe baronëve të tjerë të Mbretërisë së Arbërisë (ceterisque baronibus regni Albaniae), si dhe Ladislavit, kontit të Mbretërisë së Arbërisë,16) duke i vënë në dijeni që Ai ishte i informuar për vuajtjet e tyre nën tiraninë e rëndë të mbretit të Serbisë (sub gravi tirannide illius regis perfidi Rascie nedum scismatici et religionis christiane totaliter inimici).17) Një dokument i tillë, që në rrethana të caktuara mund të ishte shprehje e një interesi formal të një autoriteti qendror me autoritetet lokale, shoqërohet me një interesim dhe përkushtim të veçantë të Papës Gjoni XXII për zgjidhjen e problemeve në "periferi", siç ishte Mbretëria e Arbërisë përsa i përket kriterit "kufi me botën bizantine."
Ky interes dhe përkushtim vihet re në caktimin e një mënyre më të gjallë komunikimi midis fisnikëve lokalë dhe Selisë së Shenjtë, mënyrë kjo që u mishërua në caktimin e një personi në këmbë të tij, person ky që do të jepte udhëzime (oraculo vive vocis) me autoritetin e plotë të pontifikatit të lartë. Vlerësimi dhe besimi i lartë i Papës Gjoni XXII tek forcat lokale shprehet hapur kur personi i kontaktit për një çështje kaq delikate dhe të rëndësishme zgjidhet një vendas, siç është Ndreu, ipeshkvi i Krujës.
Po t'i referohemi mënyrës sesi Papati u drejtohet forcave politike shqiptare, vëmë re që ky autoritet ishte i mirëinformuar, jo vetëm për forcat politike të Mbretërisë së Arbërit, por edhe për marrëdhëniet e tyre dhe për distancat gjeografike që ishin midis tyre. Nuk është rastësi që Papa u drejtohet atyre në grupe: në një letër Muzakajve, në një tjetër Blinishtëve, Aranitëve, Matrangëve, dhe në një tjetër Ladislav Jonimës (Radislaut Gonomes), kontit të Dioklesë dhe të Arbërisë bregdetare, me pothuajse të njëjtat fjalë, të njëjtat udhëzime, dhe u sugjeron të njëjtin person-kontakti me rol udhëheqës: Ndreun, Ipeshkvin e Krujës. Ky lloj grupimi i forcave politike në dokumentin papnor, të shtyn të mendosh që në radhë të parë Papa Gjon XXII nxiste bashkimin e këtyre forcave, si forca politike, dhe në këtë kontekst Ndreu i Krujës kishte edhe një mision indirekt përveç atij të udhëheqjes së kryqëzatës në fjalë: atë të bashkimit të forcave politike të Mbretërisë së Arbërit.
Në botimin e ri të Historisë së Shqipërisë bulat papnore interpretohen sikur fisnikët shqiptarë ishin të ritit ortodoks dhe gjithë letërkëmbimi i tyre me Papën shpjegohet sikur ata donin të braktisnin ritin ortodoks dhe të përqafonin katoliçizmin për interesa politike, duke u ndarë edhe kishërisht nga pushtuesit serbë.18) Dokumentet origjinale nuk lënë të kuptosh një gjë të tillë. Papa Gjoni XXII u drejtohet atyre si "dilecti filii"19) dhe një adresim i tillë nuk u bëhej kurrë atyre që nuk ishin tashmë katolikë të devotshëm.20) Një adresim i tillë i bëhet madje edhe Ladislavit,21) i cili nga emri është konkluduar se duhet të jetë sllav dhe i ritit lindor.22)
Është pikërisht emri i tij ai që i ka ngatërruar shumë studiues seriozë që të mos e quajnë atë katolik. Fakti që Papa i drejtohet atij si "dilectus filius" duke e konsideruar atë katolik të devotshëm, nuk duhet të na çudisë, sepse dihet tashmë që Dioklea ishte nën ndikimin e princeshës katolike, gruas franceze të mbretit Stefan I Urosh, Helenës, dhe ajo kishte vazhduar një aktivitet të dendur katolik,23) dhe një korrespondencë mjaft të gjallë me Papatin në lidhje me çështjet e besimit. Stefan Dragutini, i cili sundoi i vetëm për një periudhë të shkurtër (në vitet 1276-1282), pasi ndau tokat nën sundimin e tij në tri pjesë (midis dy bijve dhe gruas së tij Helenës), Helenës i la pronat e bregdetit që nga jugu i Dubrovnikut deri në Shkodër, toka këto që për një kohë të gjatë u njohën si pronat e nënës mbretëreshë (domina regina mater).
Në brendësi të vendit i la Plavën (pranë Gucisë) në Limin verior dhe kështjellën Brnjaci në pjesën e sipërme të Ibrit.24) Në këtë mënyrë Helena e kishte tërë Dioklenë nën sundimin e saj të plotë dhe sigurisht që vazhdoi aktivitetin e saj pro interesave katolike në këto territore, duke i lënë Papatit dorë të lirë përsa u përket çështjeve religjioze, gjë që përligjte më vonë edhe planet politike që Papati përgatiste kundër skizmatikëve në këto zona. Në këtë kuadër, nuk ka pse të jetë çudi që një "sllav"25) nga zona e Dioklesë të jetë katolik i devotshëm dhe një ndër forcat kryesore politike të Mbretërisë së Arbërisë, që në thelb ishte një mbretëri katolike.
Edhe sikur Ladislaus të ishte vërtetë sllav, kjo nuk do të përbënte asnjë kundërargument përsa kemi pohuar më sipër, që Papati dëshironte të forconte identitetin lokal të Mbretërisë së Arbërisë. Duke pasur parasysh që në mesjetë nuk ekzistonte koncepti komb, pra as kriteret që përbëjnë një komb, siç është gjuha, zakonet dhe kultura e përbashkët si mjet identiteti kombëtar, dhe hapësira e përbashkët gjeografike, mbretëritë nuk bazoheshin në të tilla kritere që janë moderne për nga konceptimi. Mbretëria e Arbërisë, që ishte një formacion politik i mbështetur kryesisht mbi kriterin "fe katolike" mund të ketë qenë shtrirë deri në jug të Dubrovnikut, ku ishin pronat e Helenës, Nënës Mbretëreshë dhe ku duhet të ketë sunduar Ladislav Jonima, konti i Dioklesë dhe i Arbërisë bregdetare. Megjithatë, këto kufij veriorë janë të diskutueshëm dhe nuk mund të përcaktohen me siguri, përderisa kemi një ndërthurje të elementeve katolikë e sllavo-ortodoksë, që kanë bashkëjetuar. Kjo bashkëjetesë ka qenë paqësore deri në momentin kur mbretërit serbë filluan politikat persekutuese ndaj katolikëve, duke futur elementet e para të fanatizmit fetar në shoqërinë mesjetare Ballkano-perëndimore.
Nuk ndodh shpesh që Papati t'u drejtohet me emër dhe me titull secilit prej fisnikëve të një mbretërie. Rasti më i zakonshëm është që Papa u drejtohet me bulë mbretit dhe fisnikëve në përgjithësi, pa përmendur emrat e fisnikëve. Me këtë akt, Papa Gjon XXII dëshironte njëkohësisht të tregonte që ai e njihte Mbretërinë e Arbërisë me këta kufij, dhe si forcë politike udhëheqëse të saj, këta fisnikë, më shumë se një mbret cilidoqoftë qoftë ai.26) Zyrtarisht shqiptarët njihnin si zot Filipin e Tarentit, të birin e Karlit II Anzhu, por ai nuk adresohet dhe mesa duket as nuk njihet si mbret i shqiptarëve në kancelarinë papnore, ndoshta për shkak të vëllait, Robertit, mbretit të Napolit. Kështu, në një dokument papnor të 12 majit 1319, ku Papa Gjoni XXII i drejtohet Filipit, ai e quan atë "Dilecto filio nobili viro Philippo clarae memoriae regis Siciliae filio, principi Tarentino,27) por asgjë më shumë se kaq, përsa i përket lidhjes së tij me Regnum Albaniae,28) pra pa e njohur atë si mbret të Arbërisë, në një kohë që normalisht është e detyrueshme për kancelarët papnore t'i drejtohen adresantit të tyre me të gjithë titujt që ai zotëron.
Një fakt tjetër që flet në favor të një Mbretërie të Arbërisë si një mbretëri e ndryshme nga Mbretëria anzhuine e Arbërisë në sytë e papatit, janë territoret që përfshin Mbretëria e Arbërisë nëë fundin të viteve 20 të shekulli XIV. Duke u nisur nga këto dokumente papnore që kanë si qëllim që të arrijnë t'i bashkojnë të gjitha forcat politike shqiptare, Shuflaj ka arritur të përcaktojë thelbin e Shqipërisë etnike të mesjetës. Si kufi jugor studiuesi kroat ka marrë territoret që posedonte Mentul Muzaka që shkonin deri në Këlcyrë,29) si lindorë territoret e Ohrit dhe të Dibrës, ku shtrinin sundimin e tyre Matrangët dhe si veriorë territoret e Blinishtëve që posedonin Mirditën deri në Ulqin dhe Danjë. Do të ishte më e saktë nëse këto territore t'i konsideronim si territoret apo kujfijt e Mbretërisë së Arbërisë - formacion politik, dhe jo si territoret e Shqipërisë etnike që shtriheshin shumë më gjerë se kaq. Duke qenë një mbretëri me karakter katolik,30) në këtë formacion politik nuk janë përshirë territoret shqiptare që ishin të ritit bizantino-ortodoks.
Në vazhdim po paraqesim kufijtë e ngushtë të Mbretërisë anzhuine të Arbërisë për të përqasur kështu dy fazat e jetës së kësaj mbretërie: asaj anzhuine dhe asaj me karakter të mirëfilltë lokal, siç e njeh papati në bulat papnore të vitit 1319.
Sipas studimeve të Carabellese, Mbretëria e Arbërisë, e krijuar nga Karli I Anzhu (1272), shtrihej nga Malet e Karaburunit deri në Grykëderdhjen e Drinit, nga gjiri i Vlorës deri në Lezhë, dhe me kufij shumë të papërcaktuar në brendësinë malore.31) Anzhuinët e kishin projektuar dhe e ndërtuan atë si një bërthamë të një perandorie të tërë ballkanike.32) Fisnikëve shqiptarë u ishte premtuar që do të mbroheshin nga çdo lloj armiku, do t'u ruhej autonomia dhe do të luanin rol parësor.33) Megjithatë atyre jo vetëm që nuk iu njohën aspiratat politike, por për t'i detyruar që t'i qëndronin besnikë Karlit të parë Anzhu, u morën dhe u mbajtën edhe robër.34) Në një situatë të tillë - këtu në fakt nuk janë përmendur aspektet e tjera të regjimit të rreptë shfrytëzues të Anzhuinëve, si taksat e detyrimet që i imponoheshin popullsisë vendase në mënyre arbitrare - popullsisë dhe fisnikërisë vendase nuk i mbetej tjetër veçse t'i kundërvihej këtij sundimi.35)
Forcë tërheqëse e këtij orientimi të ri kundërvënës të aristokracisë shqiptare ishin bërë ata fisnikë që nuk ishin përfshirë në Mbretërinë e Arbërisë kur ajo u krijua, gjë që ata e kishin dëshiruar me shumë forcë, me shpresën që do të mbroheshin nga sulmet serbe që i kërcënonin vazhdimisht. Të tillë kishin qenë Pal Gropa e Gjin Muzaka, zotër përkatësisht të zonës së Dibrës36) dhe asaj të Beratit. Me këta fisnikë qenë bashkuar edhe të tjerë, nga ata që ishin njohur si vasalë të mbretit Karl I, të cilët ky i fundit i quajti "tradhëtarët e mi" (proditores nostros).37) Të tillë fisnikë ishin Blinishtët, Skurrajt, Jonimët etj.
Pas kësaj "Mbretëria (Anzhuine) e Arbërisë" u reduktua në kështjellat bregdetare të Durrësit, Vlorës e Kaninës.38) Për shkak të Vesprit Sicilian,39) anzhuinët e humbën fare për ca kohë Mbretërinë e Arbërisë, të cilën e ripushtuan bizantinët (1282).40) Si pasojë e marrëdhënieve të tilla të Anzhuinëve me forcat politike vendase, Mbretëria anzhuine e Arbërisë, në vend që të zgjerohej, u reduktua tashmë që në vitin 1292 vetëm në qytetin e Durrësit dhe në ca territore rreth tij.41)
Duke qenë të sulmuar nga mbreti serb Stefan Uroshi II Milutini, që kishte ardhur deri në vijën Mat-Ohër, në vitet '90 të shekullit XIII, shqiptarët filluan t'i rimarrin në konsideratë ndihmat që mund t'u ofronin anzhuinët në neutralizimin e tensioneve me fqinjët sulmues. Në këtë kuadër, në shtator 1304, bashkësia qytetare e Durrësit dhe krerët shqiptarë nga familjet Matranga, Arianiti, Skurra, Blinishti, Zenebishti, Shpata etj., njohën për kryezot princin Filip të Tarentit, djalin e mbretit Karl II Anzhu, i cili bashkë me Karlin II u konfirmoi qytetarëve të Durrësit dhe fisnikëve shqiptarë, të gjitha privilegjet që u kishte dhënë më parë Karli I.
Për më tepër, në vitin 1305, Karli II u dha shumë privilegje të tjera ekonomike qyteteve të Adriatikut.42) Megjithatë, kur erdhi puna për të vendosur pushtet real në Durrës dhe në Mbretërinë e Arbërisë, anzhuinët e Napolit u panë dhe u trajtuan si armiq nga fisnikëria vendase. Studiuesi i dinastisë Anzhuine, Andreas Kiessewetter konkludon që Mbretëria e re anzhuine e Arbërisë nuk arriti më që të shtrihej përtej mureve rrethuese të Durrësit, dhe Filipi I nuk pretendoi kurrë që të quhej Mbret i Arbërisë, por përdori vetëm titullin Zot i Mbretërisë së Arbërisë (Dominus Regni Albaniae).43)
Për shkak të marrëdhënieve jo të mira me vendasit (shqiptarët), anzhuinët e Napolit arritën deri aty sa në vitin 1311 të mendonin t'i ndërronin zotërimet e tyre me Sicilinë e Frederikut të Aragonës.44) Por titullari i kësaj të fundit, Frederiku i Aragonës, pasi mori vesh që në Durrës dhe në "Mbretërinë e Arbërisë" ishte e vështirë të vendosësh një pushtet real nga jashtë, nuk e pranoi ofertën e Anzhuinëve, megjithëse e dinte që këto territore "ishin shumë të pasura e bujare".45)
Duke pasur parasysh të gjitha këto zhvillime midis anzhuinëve dhe shqiptarëve vendas, nuk mund të ishte kurrsesi e vërtetë që të gjithë territoret që Papati ia njeh Mbretërisë së Arbërisë në bulat papnore të vitit 1319 të ishin territore të Mbretërisë anzhuine të Arbërisë. Konkluzioni i natyrshëm i gjithë kësaj është që Papa Gjoni XXII e shikonte Mbretërinë e Arbërisë si një mbretëri me karakter kryesisht lokalo-vendor. Në rrethanat e një rreziku të madh jo vetëm për elementin katolik në territoret shqiptare, por edhe për katolikët në Gadishullin Apenin, që vinte nga Serbët ortodoksë e bashkuar me perandorët bizantinë, Papati ishte i interesuar të forconte identitetin dhe karakterin lokalo-vendor të kësaj mbretërie, si mbretëri e bazuar në fenë katolike.
Një konkluzion i tillë, në pamje të parë na bën të mendojmë që marrëdhëniet e Papatit me anzhuinët në përgjithësi nuk qëndronin më në lartësinë e dikurshme46) gjatë pontifikatit të Gjonit XXII, megjithëse kjo nuk do të thotë që këto marrëdhënie ishin të këqija. Mbretëria e Anzhuinëve ishte krijuar si feud pontifikal dhe ishte quajtur krahu shekullor i kishës në Itali. Gjithsesi kjo nuk e pengonte Papatin të synonte të vendoste marrëdhënie aktive me vetë forcat lokale për të zgjidhur me efikasitet problemin shqetësues. Ky lloj pragmatizmi i Selisë Papnore gjatë shekullit XIV nuk ishte pa precedencë. Kishte shpesh raste të ngjashme kur Papati në vend që të vepronte indirekt nëpërmjet një mbreti formal, vendoste marrëdhënie direkte me fisnikët më të pushtetshëm të vendit për një zgjidhje të shpejtë të problemeve. Shpesh Selia papnore ishte shumë më tepër e informuar mbi forcat reale udhëheqëse në një vend, sesa ç'mund të mendohet, dhe shumë më e shpejtë në veprim sesa ç'do të ishte normale për një pushtet qendror me përmasat që Papati kishte në mesjetë.47)
Megjithatë, mund të flitet edhe për marrëdhënieve jo të mira të Papës Gjoni XXII me Mbretërinë e Sicilisë, hipotezë kjo e ngritur dhe e argumentuar nga studiuesi i mirënjohur Gennaro Maria Monti. Synimet armiqësore të Papës Gjoni XXII ndaj anzhuinëve, sipas Montit, u shpalosën kur Ai tentoi të formonte një mbretëri laike vasale të Kishës në Italinë Veriore. Megjithëse kjo përpjekje dështoi për shkak të kundërshtimit të të gjithë forcave të tjera të gadishullit Italik,48) ajo shënoi kulmin e krizës së Mbretërisë Anzhuine, e cila, sipas Montit, shënoi edhe fillimin e degradimit të kësaj mbretërie.49)
Dështimin e Anzhuinëve dhe të Mbretërisë së Sicilisë, Monti e shpjegon në një kontekst më të gjerë se kaq. Ai e përshkruan atë si rrjedhojë të pamundësisë së Mbretërisë së Sicilisë për të zgjeruar pushtetin e saj. Ky pushtet me kalimin e kohës u ngushtua akoma më shumë në territorin midis detit dhe Shtetit të Kishës me të cilat kufizohej. Anzhuinët nuk guxonin të preknin territoret tokësore me të cilat kufizoheshin, për shkak të lidhjes fetare dhe politike me Papatin, ndaj dhe e vetmja rrugë për zgjerim i kishte mbetur deti; por edhe ky drejtim vetëm në ato raste kur territoret përtej detit ishin zotërime të largëta dhe jo-organike si dhe pak të mbrojtura dhe pa kufij territorialë për të mos u përplasur me armiq të pushtetshëm.50)
Vërtetë që para se të shpallej nga Karli I Anzhu, Mbretëria e Arbërisë edhe mund të quhej një "zotërim jo-organik, pak i mbrojtur, pa kufij territorialë të përcaktuar qartë", në këndvështrimin e perëndimorëve katolikë, po të mbajmë parasysh që, pas ndarjes së krishtërimit në Bizant dhe në kishë katolike perëndimore, territoret shqiptare ishin të paorganizuara. Megjithatë rrethanat kishin ndryshuar në fillimin e shekullit XIV. Rënia e Konstantinopojës (1204) dhe sidomos vendosja e regjimit Anzhuin në brigjet juglindore të Adriatikut, kishin ndikuar pozitivisht në konsolidimin e katolicizmit në territoret shqiptare, dhe me këtë konsolidim ishte forcuar ndikimi i papatit në vend, dhe ishte rritur vetëndërgjegjësimi lokal, qoftë në pikëpamje religjioze e sociale-kulturore, qoftë në pikëpamje politike.
Lidhja direkte e Papatit me forcat politike të Mbretërisë së Arbërisë, e krijuar nëpërmjet klerikëve, kishte nxjerrë në pah qëllimet e përbashkëta të tyre përsa i përket situatës në kufijtë me serbët skizmatikë. Si forcat politike shqiptare, ashtu edhe Papati e perceptonin rrezikshmërinë e serbëve dhe bizantinëve me pothuajse të njejtat shqetësime. Nëse forcat politike ishin kryesisht të interesuara për pronat e tyre, Papati ishte i interesuar për kishën e tij në vend. Anzhuinët ishin shumë larg forcave politike të Mbretërisë së Arbërisë dhe shumë larg Papatit, përsa i përket këtyre qëllimeve dhe këtyre perceptimeve, gjë që do ta shpjegojmë në vazhdim. Prandaj do të ishte shumë logjike që Papati, duke u nisur nga specifikat e zonës, ta konsideronte Mbretërinë e Arbërisë si krahun shekullar të tij dhe madje jo vetëm në kuptimin e ngushtë të fjalës, por kryesisht për çështjet shpirtërore në Ballkan.