Shqetësimet në Greqi qenë të mëdha, por më të mëdha ishin ato në Romë. Reagimi romak është transmetuar në dy versione. Versioni i parë i përket Polibit. Sipas tij, në këtë kohë senati dërgoi te mbretëresha ilire dy delegatë për t’u ankuar kundër sulmeve të piratëve ilirë, të cilët prej kohësh u binin në qafë tregtarëve italikë, por që e kishin tepruar sidomos gjatë fushatës kundër Foinikes. Bisedimet përfunduan në grindje dhe fyerje, që çuan në vrasjen, me urdhrin e Teutës, të njërit prej delegatëve, gjatë rrugës duke u kthyer. Bisedimet janë dhënë me hollësi megjithatë vërtetësia e tyre është e dyshimtë. Teutës, i është veshur një qëndrim mendjelehtë prej gruaje, që me të drejtë është konsideruar si një formulim tipik i huajtur nga historiografia helenistike e llojit sensacional.
Versioni i dytë, ai i Apianit, ndryshon shumë prej atij të Polibit. Sipas tij Agroni kishte pushtuar disa vise të Epirit dhe Korkyrën, pastaj Epidamnin dhe Farin dhe kishte vendosur garnizone në to. Por meqë zuri të sulmojë me flotën e tij edhe vise të tjera, ishulli Isa kërkoi ndihmën e romakëve. Këta atëherë dërguan delegatë së bashku me isejtë, por delegatëve u dolën në det anijet ilire dhe vranë përfaqësuesin e Isës dhe një romak. Pra në versionin e dytë motivi nuk është aspak pirateria, por mbrojtja e Isës dhe e qyteteve të tjera të bregdetit; delegatët vriten, por pa arritur të zhvillojnë bisedime dhe Teuta nuk zihet aspak në gojë.
Sidoqoftë në të dy rastet, sipas këtyre burimeve, Romës i bëhej një fyerje dhe shkelej “e drejta njerëzore”. Ky ishte motivacioni me të cilin do të nxitej opinioni publik dhe do të justifikoheshin veprimet e mëtejshme të Republikës, një motivacion banal, të cilin politika romake do ta përsëriste të paktën edhe një herë tjetër më vonë kundër ilirëve dalmatë. Por këtë herë prej gojës së Polibit mësojmë, për çudi, se romakët u shpallën luftë dalmatëve për t’i nënshtruar, “por përpara popujve të tjerë hiqeshin se e bënin këtë për shkak të sjelljes së keqe të dalmatëve kundrejt përfaqësuesve të tyre”.
Roma filloi të përgatitej haptazi për luftë. Edhe mbretëresha ilire nga ana e saj nuk vonoi të marrë masa mbrojtëse. Më parë ajo u kujdes për forcimin e rendit të brendshëm dhe qetësoi fiset që qenë shkëputur pas sulmit dardan. Por vëmendjen kryesore Teuta ia kushtoi sigurimit të bregdetit. Ajo e dinte se në gjendjen e krijuar një pozitë me rëndësi zinin Isa në veri, Korkyra në jug dhe dy qytetet e mëdha të bregdetit, Dyrrahu e Apolonia. Ishte e qartë se këto ishin pikat më delikate që do të synonte armiku dhe zotërimi i tyre do të luante një rol të dorës së parë për fatin e luftës. Prandaj mbretëresha shpejtoi të vërë dorë mbi to.
Isa u sulmua e para, por meqenëse nuk u dorëzua, ilirët vendosën bllokadën e saj. Pak më vonë, në pranverë të vitit 229, një ekspeditë e madhe u vu, njëkohësisht në lëvizje, kundër Epidamnit dhe Korkyrës. Ndërsa shumica e flotës vazhdoi lundrimin drejt jugut, një pjesë e saj u ndal në Epidamn. Orvatja për pushtimin e qytetit dështoi. Atëherë ilirët u tërhoqën në anijet e tyre dhe pasi dolën në det të hapur, u bashkuan përsëri me forca të tjera për të vazhduar lundrimin drejt Korkyrës. Sapo mbërritën këtu, forcat ilire zbarkuan dhe rrethuan qytetin. Korkyrasit e rrethuar kërkuan ndihmën e etolëve dhe të aheasve. Në të njëjtën kohë erdhën për të kërkuar ndihmë tek ata edhe delegatë nga Epidamni dhe Apolonia. Kërkesa u mor parasysh. Flota ahease prej 10 anijesh të mëdha lufte nxitoi drejt Korkyrës. Ilirët, si morën dhe 7 anijet që u kishin dërguar akarnanët, sipas marrëveshjes, u dolën ahejve përpara. Ndeshja u zhvillua afër ishullit Paksos. Flota ahease u shpartallua. Katër anije u kapën dhe një e pestë u fundos, të tjerat u detyruan të sprapsen me shpejtësi për t’i shpëtuar fatit të të parave. Lembet e lehta e të shpejta ilire vendosën fatin e kësaj beteje. Të përdorura me guxim e shkathtësi nga detarët ilirë, ata triumfuan mbi anijet e rënda katër e pesërremëshe greke. Pas kësaj Korkyra iu dorëzua ilirëve. Si morën në dorëzim qytetin, ilirët lanë këtu një garnizon nën komandën e Demetër Farit, kurse forcat kryesore u kthyen dhe bllokuan përsëri Dyrrahun.
E tillë ishte gjendja kur forcat e paftuara romake u nisën kundër Ilirisë.