Ekzekutimi i tmerrshëm i togerit 26-vjeçar të aviacionit, Muas al Kasasbeh, ka ngjallur indinjatë aq të madhe në Jordani sa kënaqësinë e shpagimit ndaj ISIS-it, mbreti Abdullah mund ta kërkojë në terren personalisht.
Disa raporte në mediat arabe tregojnë se Monarku, edhe vetë një pilot tepër i zoti, ka gjasa të marrë pjesë në bombardimin ajror të pozicioneve të ekstremistëve.
Të tilla pretendime vijnë pak pasi ish-gjenerali u tha anëtarëve të Kongresit Amerikan se ishte i gatshëm për hakmarrje të pamëshirshme ndaj ushtrisë se terrorit për vrasjen brutale të Kasasbehut, i cili u dogj i gjallë.
Mbreti i Jordanisë edhe ka cituar një personazh të Clint Eastwood-it që thotë: "Po doli ndonjë horr që guxon të më qëllojë, do e vras jo vetëm atë, por do t‘i vras edhe gruan e shokët dhe do ia djeg nga themelet atë dreq shtëpie". Duke iu referuar vizitës së monarkut në Shtetet e Bashkuara dhe deklaratave të bëra prej tij, ligjvënësi republikan Duncan Hunter tha për 'Washington Examiner' se Abdullah është zotuar për një ndëshkim që ISIS-i s`e ka pare kurrë ndonjëherë.
"Është tepër i zemëruar”, rrëfen Hunter. “Ka nisur mobilizimin e thotë se i vetmi problem që mund të hasë gjatë rrugës, do të jetë që do të mbetet pa karburant e pa municion, sepse do godasë deri në plumbin e fundit".
"Është gati për luftë, tamam ashtu siç ishim ne pas 11 shtatorit", shton ligjvënësi amerikan.
Vrasja e tmerrshme e Kasasbeh-ut ngjalli reagime të ashpra në mbarë botën, aq edhe vetë Al Kaeda e cilësoi si të papranueshme, ndërsa kleriku mjaft në zë mysliman, sheiku i madh Ahmed al Tayjip i universitetit të Kajros, deklaroi se personat përgjegjës për këtë akt ç’njerëzor duhet të vriten, të kryqëzohen apo t`i shkulen gjymtyrët.