Adil Rami ka qenë mbrojtësi që ka pa sur si detyrë për të markuar Armando Sadikun. Sulmuesi kuqezi nuk ka pasur mundësi për t'u shërbyer mjaftueshëm prej futbollistëve të tjerë të Kombëtares, por kjo nuk do të thotë se ai ka qëndruar në pritje të topit.
Në deklaratën pas ndeshjes, mbrojtësi i Francës ka thurur elozhe për kundërshtarin që kishte përballë, duke treguar vuajtjet gjatë 90 minutave.
"Morëm një fitore shumë të rëndësishme, për të cilën kemi dhënë maksimumin në fushën e lojës. Mund të mendojnë se mbrojtja e Francës nuk pati shumë punë, por do të gabohen rëndë.
Ka qenë një ndeshje shumë stresuese për mua. Sulmuesi i tyre vrapoi gjatë gjithë kohës si i çmendur. Edhe pse nuk kishte topin, me të vërtetë që ka qenë një ndeshje e mundimshme për ta ndjekur. Kishte një forcë dhe ritëm të jashtëzakonshëm", deklaroi Rami, që aktivizohet në Spanjë me Sevijen.
"Në këtë kompeticion nuk ka diferenca të mëdha mes skuadrave, por ne kemi realizuar në maksimum objektivin tonë.
Kemi fituar të dyja përballjet dhe nuk kemi pësuar asnjë gol. Por kam frikë se në fund të Europianit do të më bien të gjithë flokët nga stresi që po përjetoj. Për një mbrojtës është me të vërtetë e vështirë", shtoi ai.
Në statistikat pas ndeshjes, një fakt interesant ishte që Adil Rami dhe Armando Sadiku kishin përshkruar distancës të njëjtë në fushë dhe pavarësisht se nuk patën shumë kontakte me topa, iu është dashur të vrapojnë 9.89 kilometra.