Gjithmonë pas dushit fshihuni me një peshqir të ashpër, duke e fërkuar lëkurën me forcë, në mënyrë që të ndihmoni qarkullimin e gjakut. Pasi të fshiheni, masazhoni trupin me një krem hidratues, apo me një esencë aromatike. Në këtë mënyrë do të keni një zgjim të këndshëm dhe do të jeni gati për një ditë të gjatë e të lodhshme, ndërsa lëkura juaj do të jetë e freskët dhe e shkëlqyeshme. Ka vajza që përdorin vetëm ujin dhe sapunin, e jo xhel, vaj, apo spraj voluminoz. Mjaft më me kremrat që ngjajnë si projektet e NASA-s. Vajza natyrale e lyen fytyrën me kos, u jep flokëve shkëlqim me limon dhe e përgatit maskën me miell bajameje. Dikur ishin stërgjyshet tona përdoruese të rregullta të produkteve të freskëta, ndërsa sot jemi ne trashëgimtaret e recetave të tyre. Pas ekologjisë, konsumit etik, jetës natyrore dhe shpenzimit biologjik, sot femrat janë gjithnjë e më të prirura të përdorin produkte natyrore të bëra vetë në fushën e kozmetikës. Maska dhe trajtime 100% natyrore, me fruta, minerale, bimë që aplikohen menjëherë mbi fytyrë, fillimisht të zbutura e më pas të rrahura me çdo lloj vaji, madje edhe me vaj merluci. Gjithçka është shumë e thjeshtë, që përgatitet në kuzhinë me një pastel ose rrahëse vezësh. Mjafton një manual fitoterapik, vëmendje, pjata shandani dhe më kryesorja, koha për të shpalosur talentin, me anë të recetave natyrore. Me një mollë mund të përgatisni lehtësisht një antioksidues. Nga përzierja e mollës me kosin përftohet një lloj qumështi, i cili pastron dhe lëmon lëkurën. Përbërësit kozmetikë natyralë janë një mënyrë e këndshme për të trajtuar lëkurën, por shpeshherë mund të bëhet edhe dëfryese nga përdoruesit. Deri tani, këtyre recetave u janë shtuar edhe përbërës të tjerë natyralë, duke iu dhënë një ndihmë të madhe njerëzve që janë alergjikë ndaj kimikateve. Kohët e fundit, produktet e bëra vetë janë kthyer në një hobi. Shpeshherë ato bëhen edhe dhurata për raste festash. Para se të prodhohen, këshillohet që ato të ekzaminohen në laboratorë të specializuar, për të mos shkaktuar pakënaqësi te konsumatorët.
Fabrikimi i këtyre produkteve kërkon një higjienë maksimale: duar të lara, kupë xhami dhe doreza. Konservimi i tyre bëhet për një periudhë të shkurtër kohore, rreth një muaj. Është e këshillueshme që ena të ruhet në frigorifer, ose në vende hermetikisht të mbyllura.
Ndryshe nga produktet që shiten në dyqane kozmetike, të cilat përmbajnë një numër të madh përbërësish kimikë dhe lëndë të para, kremrat e bërë vetë janë 100% bimore dhe shumë efikase. Është e nevojshme të tregojmë gjithnjë kujdes, sidomos në esencat që përdorim. Veç të tjerash, cilësia e lëndës së parë është kryesore. Mungesa e emulsionit, erërave dhe pigmenteve i bëjnë ata më natyralë, më të thjeshtë, por më të vështirë për t‘u përthithur nga fytyra.
Dermatologia
"Freski e garantuar, por kujdes nga myku"
Milena është një dermatologe e specializuar. Ajo është autorja e një libri që flet për teknikat e reja të produkteve natyrore dhe tregon sekretet e saj mbi këtë fushë.
Sa e ndërlikuar është përgatitja e një kremi të bërë vetë?
Paksa, mjafton të jesh e informuar mbi fushën e farmacisë dhe estetikës dhe gjithçka është më e lehtë. Në këtë mënyrë kërkon dhe gjen një formë tjetër mirëqenieje. Përbërësit kozmetikë të bërë vetë kërkojnë një periudhë të caktuar kohore dhe janë ndryshe nga ato që shiten në dyqanet kozmetike.
Nga se duhet të kemi kujdes?
Bakteret dhe myqet jetojnë mirë në këto produkte, duke gjetur një ambient të përshtatshëm. Prandaj duhet pasur shumë kujdes gjatë përgatitjes dhe të bëhet një provë përpara se të përdoren. Është mirë që kremrat të mbahen në frigorifer, të paktën një javë. Ato nuk mund të konservohen, kështu që përgatitja e tyre bëhet me ushqime të freskëta.
Çfarë përftohet nga përdorimi i tyre?
Më e rëndësishmja është se ato janë krijuar me ushqime të freskëta, gjë që kimia nuk mund ta ofrojë.
Mund të përgatitet gjithçka?
Jo. Për shembull: faktorët mbrojtës të vajrave diellorë janë më mirë që t‘u drejtohen produkteve kimike. Ka vajra që të mbrojnë, por jo plotësisht. Është e këshillueshme që shampot, pastat e dhëmbëve, kremrat e produkte të tjera, të cilat kanë lidhje me trupin dhe lëkurën e njeriut, të blihen jo në dyqane kozmetike, por në farmaci.
Produktet e reja kozmetike, me bazë përbërësit natyrorë, janë përhapur kudo, pasi shkenca ka provuar se janë tërësisht të shëndetshme dhe nuk i shkaktojnë probleme lëkurës, por i japin vetëm shkëlqim
Ndryshe nga produktet që shiten në dyqane kozmetike, të cilat përmbajnë një numër të madh përbërësish kimikë dhe lëndë të para, kremrat e bërë vetë janë 100% bimore dhe shumë efikase
Tendenca
Kohët e fundit, produktet e bëra vetë janë kthyer në një hobi. Shpeshherë ato bëhen edhe dhurata për raste festash. Para se të prodhohen, këshillohet që ato të ekzaminohen në laboratorë të specializuar, për të mos shkaktuar pakënaqësi te konsumatorët
Avantazhi
Kremrat e bërë vetë janë krijuar me ushqime të freskëta, gjë të cilën kimia nuk mund të na e ofrojë asnjëherë
Nga : Gazeta Shqip