Mbyllet Bursa e Tiranes 12 vjet nuk funksiononte

Mbyllet Bursa e Tiranes, 12 vjet nuk funksiononte

12 vjet pas krijimit të saj, është mbyllur sot Bursa e Tiranës, pavarësisht se gjatë kësaj kohe nuk funksionoi qoftë për një ditë të vetme. Bursa u krijua në vitin 2002, ndërsa sipas burimeve nga Ministria e Financave, njoftohet se tani kjo strukturë është mbyllur përfundimisht. Ministria e Financave në buxhetin e saj nuk planifikon fonde për këtë institucion. Ky institucion i kishte lënë tre muaj afat për të gjetur vetë të ardhurat për mbarëvajtjen e aktivitetit, gjë e cila nuk u arrit dot nga kjo strukturë. Në këtë mënyrë Ministria firmosi shkresën për mbylljen e saj.

Bursa e Tiranës u themelua në vitin 2002 në formën e shoqërisë aksionare dhe ka funksionuar në përputhje me dispozitat e ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” dhe të ligjit “Për titujt”.

Objekti i veprimtarisë së Bursës së Tiranës sh.a. ishte krijimi i një tregu kapitalesh apo titujsh, duke krijuar një sistem tregtimi me anë të cilit “ofertat për shitje, blerje apo këmbim të titujve kryhen apo pranohen rregullisht”. Ajo ka kryer aktivitet vetëm për një kohë të shkurtër pas vitit 2002, duke qenë agjent i qeverisë në tregun sekondar të letrave me vlerë, por edhe ky funksion i kaloi Bankës së Shqipërisë. Tashmë e vetmja mënyrë për kompanitë shqiptare për të siguruar financime përmes tregut të kapitaleve, mbetet plani për një bursë rajonale.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama