Kanë mbizotëruar libri për fëmijë dhe autorët e huaj në Panairin e 16-të të Librit “Tirana 2013”, që pas pesë ditëve, dje mbylli dyert për të gjithë lexuesit, të cilëve tashmë do t’u duhet t’iu drejtohen librarive për autorët e preferuar. Edhe pse këtë vit, për shumë arsye, ka patur një ulje prej 30 për qind të titujve të rinj, Panairi i Librit është vizituar nga shumë lexues, sidomos në dy ditët e fundit të Panairit.
Edhe pse nuk ka një statistikë zyrtare për numrin e librave të shitur këtë vit, mendohet e krahasuar me një vit më parë, ndoshta dhe për shkak të uljes së numrit të titujve të rinj, edhe shitjet kanë qenë në rënie. Gjithsesi mendohet se shitjet në këtë Panair kanë arritur në shifrat e 600 mijë titujve, që janë ofruar nga 94 ente botuese pjesëmarrëse nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Rreth 60% më pak se një vit më parë tituj të rinj u janë ofruar lexuesve, numri i të cilëve si vizitorë nuk ka qenë në shifrat rekord të një viti më parë, e ndikuar dhe nga protestat qytetare që shenjuan ditët e para të Panairit. Në ditët në vazhdim e sidomos në fundjavë, numri i vizitorëve në Panair ka ardhur në rritje. Sidomos të dielën, në ditën e fundit të Panairit vizitorët kanë “vrapuar” për të bërë të tyrin autorin e preferuar.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, në të tilla organizime të mëdha krijohet mundësia që të flitet më shumë për librin, ndaj ky panair vjen si një thirrje për të nxitur politika ndihmëse në favor të botimeve duke mbështetur botimin e librit në tërë komponentët e tij që nga autorët, përkthyesit, botuesit e deri dhe libraritë që falimentojnë çdo ditë e më shumë. Por Panairi i këtij viti do të mbahet mend edhe për faktin se si rrallë ndonjëherë, vëmendja më e madhe u përqendrua në diskutimet e problemeve që has sot libri, duke filluar që me moton që udhëhoqi lexuesin në pesë ditët e Panairit; “Pirateria dhe ilegaliteti po e vrasin librin në Shqipëri”. Një tjetër diskurs që tërhoqi vëmendjen gjatë ditëve të panairit ishte dhe ai i përkthimit, i iniciuar nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Në konferencën me temë “Trans/Port-Përkthyesi dhe Autori (i vet)” u evidentua se shqipërimi i veprave në gjuhën shqipe është një shqetësim i hershëm i njerëzve të letrave.
Qëllimi i mbledhjes së shkrimtarëve dhe përkthyesve është që përkthimi letrar të marrë vlerën e duhur. Ky Panair iu dedikua edhe një autori të madh si Albert Kamy, për të cilin këtë vit juria ka akorduar edhe një çmim të veçantë, atë të përkthyesit më të mirë të veprës së Albert Kamy-së, çmim që iu dha, pas vdekjes, profesor Petrit Sinanit për përkthimin “Miti i Sizifit”. Juria e këtij viti, e përbërë nga Arta Marku, Dhurata Shehri, Fatos Baxhaku, Parid Teferiçi dhe Saverina Pasho kanë vlerësuar gjithashtu edhe librat më të mirë të vitit. Autorja e Vitit u shpall Luljeta Lleshanaku për librin me poezi “Pothuajse dje”, (botim i “Ombra GVG”); Përkthyesi i Vitit, Astrit Beqiraj, për përkthimin e veprës “Udhëtime me Herodotin” të Rishard Kapushcinskit (botim i “Papirus”); Për Veprën Studimore më të Mirë është vlerësuar “At Zef Pllumi”, i autorit Sabri Hamiti (botim i “Albas”) dhe Autori i Vitit për letërsinë për fëmijë u shpall Gaqo Bushaka për librin “Pas festës së abetares”.
Lexuesit gjetën atë që deshën, librin e të gjitha llojeve dhe të gjitha zhanreve, duke filluar që nga libri artistik, libri për fëmijë, histori, sociologji, publicistikë, politikë. Dhe këto të paraqitura në mënyrë shumë të bukur nga pikëpamja klasike. Nëpër stenda u kërkuan autorë të huaj të njohur si Umberto Eco, Zafon, Mo Yan etj., dhe shumë autorë shqiptarë si Ismail Kadare, Helena Kadare, Besnik Mustafaj, Fatos Kongoli, Luljeta Lleshanaku, e cila u shpall dhe autorja e këtij viti me librin me poezi “Pothuajse dje”, e shumë e shumë të tjerë. Panairi i Librit është gjithaq i rëndësishëm sepse gjalloi jetën publike në Shqipëri, e shkundi atë nga tensioni i këtyre ditëve të fundit.
Kthim tek letërsia për fëmijë
Thirrjet gazmore të fëmijëve ofronin një pamje të pazakontë në stendën e Shtëpisë Botuese “Neraida” këtë panair libri. Në dy tavolinat e vogla të mbushura me fletë vizatimi, lapsa e bojëra, radha ishte e gjatë. Disa ngjyrosnin personazhet e dashur, disa më të rritur bënin tifo dhe drejtonin më të vegjlit e jo shumë larg tyre, të tjerë mbanin radhën. Jo me më pak mundim mundoheshin ta qetësonin “turmën” e të vegjëlve edhe prindërit e tyre. Kësaj here nuk bëhej fjalë vetëm për të blerë librat e rinj, me përralla e rrëfenjëza, por edhe për një vizitë pak më të gjatë. Vështirë që të vegjlit t’i rezistonin tundimit për të ndalur e për të treguar se cili ishte më i zoti. Fletët e përfunduara mblidheshin nga vajzat e stendës e viheshin mënjanë. “Sepse nuk do të mbyllet me kaq”, tregon botuesi Jani Malo. “Vizatimet i kemi mbledhur dhe më 21 nëntor në kopshtin ‘Artistët e vegjël’ do të hidhet një short, prej nga do të dalin tre fitues”. E kotë të shtosh që vogëlushët e këtij kopshti këtë fundnëntori do të gëzohen me dhurata nga “Neraida”, libra të rinj, jo vetëm nga këta të botuar vitet e fundit, por edhe vëllime të letërsisë për fëmijë, me të cilët kjo shtëpi botuese ka të paktën 18 vjet që punon. Sepse në fakt ky është destinacioni kryesor i kësaj shtëpie botuese. Madje në krye të herës Jani Malo prej letërsisë për fëmijë ka themeluar edhe shtëpinë botuese, e cila me kalimin e viteve u zgjerua në letërsi artistike për të rritur etj.
“Ka ndodhur në vitin 1995”, thotë ai. “Pikësynimi im ka qenë letërsia për fëmijë, sepse unë vetë në ato vite kisha vajzën dhe djalin shumë të vogël dhe ishte e vështirë të gjeje botime serioze të kësaj fushe. Tregu ishte shumë i varfër, ekzistonin vetëm disa libra me personazhe të Disney-t, si “Mbreti Luan” e ndonjë tjetër, por vetëm kaq”. Në fillim si prind, e më pas si botues Jani i hyri kështu botës së botimeve në tregun shqiptar. “Patëm sukses dhe vazhdova në këtë fushë, jo vetëm me autorë të huaj, por edhe shqiptarë”.
E ndonëse titujt shtoheshin edhe me autorë për të rritur, përfshirë edhe klasikë të kërkuar sot e gjithë ditën, vëllimet për fëmijë mbetën primarët. Siç ndodhi për këtë panair të 16-të libri. “Fatkeqësisht fëmijët janë larguar nga libri”, shton botuesi. “Është fatkeqësi për brezin që po vjen. Është fatkeqësi sepse tregu është i mbushur me “mall kinez”, lodra e kukulla nga personazhe vizatimorë, por këto nuk shtohen edhe me lexim librash. Të ndodh të takosh 18-20 vjeçarë me fjalor të varfër, vetëm 1000 fjalë e jo më shumë dhe kjo paralajmëron një brez me probleme”.
Ndaj dhe këtë vit kolanës për fëmijë të “Neraidës” i është shtuar kolana e Ezopit, me titull “Luaj me fabulat e Ezopit”, për nivelin parashkollorë. Me fjalë të thjeshta, fjali të shkurtra rrëfehen fabulat e njohura dhe secili prej librave mbyllet edhe me lojëra e pyetësor, një sistem didaktik që ka lidhje me atë që të vegjlit lexojnë në libër. “Është fjalor i thjeshtë sepse në këto kohë prindërit nuk e kanë kohën të merren me fëmijët, kështu e bën më të thjeshtë për fëmijët, më të kuptueshëm dhe më zbavitës”.
Me të njëjtën logjikë qëndron edhe libri tjetër i ri, “Mjeshtri të vjetra dalin në dritë”, në udhëtim në shtëpinë e gjyshes në fshat, nëpërmjet të cilit fëmijët e sotëm mund të kuptojnë se përveç kompjuterit e ipad-it dikur kishte edhe rrobaqepës, edhe personazhin e dashur që shiste akullore në rrugë etj. “Kështu fëmijët mund të shtojnë fjalorin, por edhe të dinë se si ka qenë qyteti një herë e një kohë”, thotë Malo.
Por si ecën letërsia për fëmijë këto kohë? “Unë e di se këta libra nuk kanë treg”, thotë ai. Por e kam marrë përsipër këtë risk. Tek e fundit botuesit nuk botojnë vetëm për të shitur”. Ndoshta nuk do të shënojë rekorde edhe libri tjetër për fëmijë “Gruri”, ama në stendën e “Neraidës” është reklamuar si një prej titujve të ri të këtij panairi. “Edhe ky besoj se vlen sepse fëmijët e sotëm kujtojnë se buka prodhohet në fabrikë. Këtu tregohet historia që nga gjeneza, prodhimi i grurit që nga lashtësia e deri sot”.
“Një treg se nuk është një nga më të mirët”, thotë Jano Malo, por dy tavolinat e vogla të kuqe në këndin e stendës së tij, të thonë se të paktën këtë vit fëmijët kanë pasur një arsye më shumë për të shfletuar librat e botuar për ta. Radha vazhdon të jetë e gjatë tek “Neraida”. Vogëlushët vizatojnë e kalojnë orë gazmore mes morisë së vizitorëve të fundjavës. Në kthim i kanë shtuar edhe bibliotekës libra, të cilët ndonëse me fjalë e fjali të thjeshta, është e sigurt se do u pasurojnë edhe fjalorin, por edhe imagjinatën.
Çmimet e Panarit të Librit “Tirana 2013”
Autori i Vitit
Luljeta Lleshanakut për librin me poezi “Pothuajse dje”, botuar nga “Ombra GVG
Përkthyesi i Vitit
Astrit Beqirajt, për përkthimin e veprës “Udhëtime me Herodotin” të Rishard Kapushcinskit, botuar nga Papirus
Vepra Studimore më e Mirë
Sabri Hamitit për veprën “At Zef Pllumi”, botuar nga “Albas
Libri më i mirë për Fëmijë,
Gaço Bushaka për librin “Pas festës së abetares”, botuar nga Pegi
Përkthyesi më i mirë i Kamysë
Profesor Petrit Sinanit për përkthimin “Miti i Sizifit”
“In memoriam”
Hida Halimi për romanin “Shpina”, botim i “OMbra GVG”