Pas mbylljes së dy tregjeve ushqimore në kryeqytet ka reaguar edhe Unioni i Tregtarëve Agroushqimorë, i cili e ka konsideruar këtë vendim si të paligjshëm. Sipas tyre vendimi për mbylljen e dy tregjeve cenon rëndë të drejtat e punësimit, konsumatorëve, tregut të lirë.
Vendimi për mbylljen e tregjeve u mor nga një komision prej 9 vetësh, kryesuar nga Prefekti i Tiranës Sadi Vorpsi. Anëtari i dytë i Komisionit ishte edhe n/Kryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, i cili votoi pro mbylljes së tyre. Prefekti Vorpsi, pak para së të vendoste firmën, ka sqaruar arsyet e marrjes së këtij vendimi para inspektorëve.
"Nga kontrolli i ushtruar pranë tregjeve të Ish-Uzinës Dinamo, por edhe në tregun e rrugës Hamdi Pepa, gjendja është e papranueshme duke sjellë një sërë problematikash për cilësinë e shëndetit të qytetarëve", tha Vorpsi.