Gëzim Gjoni, tregtar në tregun e ish-uzinës “Dinamo” tregon për “Shekullin” se tregtarët do të protestojnë nëse merret vendimi për mbylljen e tij. Ai thotë se kontrata e nënshkruar nga palët nuk e lejon pezullimin e aktivitetit të tyre deri në vitin 2018. Mbetjet e rrezikshme të deklaruara nga Ministria e Bujqësisë janë të pavërtetuara dhe të pabazuara. “Unë jam një tregtar i mirëfilltë që nga viti 1976 dhe e njoh tregun, po aq mirë sa një specialist i Ministrisë së Bujqësisë. Unë besoj se mbetjet e rrezikshme nuk kanë dalë nga ky treg”. Ish-kryetari i shoqatës së tregtarëve, Gjoni tregon se tregu është rregullator i kryeqytetit për familjet në nevojë. “Po të bësh një krahasim të çmimeve, në të gjitha tregjet e Tiranës do të shikoni se ne operojmë me çmimet më të ulëta”.
Keni pasur kontrolle ditët e fundit nga specialistë të Ministrisë së Bujqësisë?
Normalisht, në tregjet ushqimore, kontrollet janë të vazhdueshme, sepse maten parametrat dhe cilësia e produkteve që shkojnë te konsumatori. Ne e dimë që nuk jemi në parametrat e tregjeve të Gjermanisë, por me kalimin e viteve tregu i ish-uzinës “Dinamo” ka fituar disa parametra. Dikur na ka munguar infrastruktura, uji, ndriçimi, ndërsa sot ato janë në funksion dhe në përdorim. Ne duhet të dëgjohemi për shqetësimet që kemi dhe nuk jemi kundër zhvillimit dhe rritjes së parametrave.
A jeni në dijeni të deklaratës që ka lëshuar Ministria e Bujqësisë për mbylljen e këtij tregu, pasi analizat e disa produkteve kanë treguar se ato përmbajnë lëndë helmuese të rrezikshme për shëndetin e njerëzve?
Neve na vijnë shpesh informacione të tilla, por është e vështirë që këto instanca të përballen me ne. Është më se e qartë që, jo vetëm nuk do të lejojmë mbylljen e këtij aktiviteti, por edhe do të protestojmë për këtë. Këtu luhet me fatin e qindra familjeve që e përballojnë jetën me punën e përditshme në këtë ambient. Shteti nuk ka aftësi që ta përballojë këtë problem.
Qeveria ka mbetur në udhëkryq, sepse nuk po paguan rrogat dhe pensionet e invalidëve, të cilët kanë paguar sigurimet shoqërore për vite me radhë. Kjo është një deklaratë e pabazuar dhe e pakontrolluar. Unë mund të them se është një deklaratë e dhënë në momentin e gabuar. Unë jam një tregtar i mirëfilltë që nga viti 1976 dhe e njoh tregun, po aq mirë sa një specialist i ministrisë së Bujqësisë. Unë besoj se mbetjet e rrezikshme nuk kanë dalë nga ky treg.
Nëse vërtetohet një gjë e tillë, atëherë instancat duhet të pezullojnë aktivitetin e individëve dhe jo të largojnë me dhunë 900 tregtarë që kanë nënshkruar një kontratë. Kur tregu është zhvendosur nga 9-katëshet në vitin 2000, pozicioni në të cilin gjendet sot, është cilësuar si më strategjiku që përballonte Tiranën në atë kohë dhe palët kanë nënshkruar një kontratë e cila zgjat deri në vitin 2018.
I gëzon ky treg të gjithë parametrat për të qenë funksional?
Në momentin që po flasim nuk ka një treg brenda kufijve të Shqipërisë që i gëzon të gjithë parametrat e duhur në masën 100 për qind. Tregu i ish-uzinës “Dinamo” i gëzon parametrat në masën 70 për qind. Këtu janë bërë investime dhe restaurime me kalimin e viteve. Në lidhje me pozicionin gjeografik, tregu nuk i plotëson parametrat, për arsye se ndodhet brenda unazës. Këtu janë mbi 300 tregtarë të shumicës dhe mbi 600 tregtarë të pakicës, dhe pas nesh janë rreth 2400 anëtarë të familjeve tona që sigurojnë të ardhurat dhe jetesën nga ky treg. Këtu ka luftë bërrylash. Ekonomia me politikën nuk duhen ngatërruar. Ne nuk jemi për politikë, por për ekonomi. Tregtarët nuk mund të mbulojnë hendeqet e politikës dhe politikanëve. Këtu bëhet fjalë për një copë bukë. Ky treg është rregullator i kryeqytetit për familjet në nevojë. Po të bësh një krahasim të çmimeve, në të gjitha tregjet e Tiranës do të shikoni se ne operojmë me çmimet më të ulëta. Nuk ka shtet që e ndalon këtë treg. Me ne nuk rregullohet politika, por ekonomia.
Nuk kemi frikë, sepse kemi kontratë
Duke mos qenë në dijeni të kërkesës së Ministrisë së Bujqësisë, për pezullimin e aktivitetit në tregun ushqimor të shumicës, pranë ish-Uzinës “Dinamo”, tregtarët thonë se puna e tyre do të vijojë normalisht. Ata shprehen se gëzojnë të drejtën për të punuar aty, për shkak të dokumentacionit të rregullt dhe një kontrate të firmosur me Bashkinë e Tiranës.
Shitësit reagojnë të habitur nga informacioni që mësojnë dhe vijojnë të qetë punën e tyre. Ata kanë të gjithë të njëjtën përgjigje dhe duket se janë të bindur se lajmi që u japim nuk është i vërtetë. “Nuk jemi në dijeni, por kjo që po na tregoni nuk na frikëson”. Pasi mësojnë se në disa produkte të analizuara është zbuluar prania e baktereve të dëmshme, ata thonë se ky është një problem që nuk i përket gjithë tregut, por individëve. “Ne e kemi kontratën dhe në raste të tilla ka masa ndaluese dhe ndëshkuese, për të cilat jemi të gatshëm të përgjigjemi. Por, kur një problem i tillë nuk na përket neve, nuk mund të flasim”.
Edhe qytetarët, të kënaqur me çmimet që ofron ky treg, nuk duan ta pranojnë mbylljen, apo zhvendosjen e këtij tregu në një zonë tjetër. Njëri prej qytetarëve na tregon se do të ishte një humbje e madhe, jo vetëm për ta por edhe për shtetin, eliminimi i një tregu të tillë. “Unë kam më shumë se dhjetë vjet që blej dhe konsumoj nga ky treg dhe mund të them se deri tani nuk kam hasur asnjë problem. Tregu ka nevojë për kontrolle të shpeshta të kushteve dhe cilësisë së mallrave, dhe kur provohet që disa prej tyre rezultojnë të dëmshëm, atëherë duhen izoluar.
Çmimet të përballueshme në krahasim me tregjet apo dyqanet e tjerë”. Kryetari i shoqatës së tregtarëve, Alfred Bozhiqi, në lidhje me vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, është shprehur se nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare për mbylljen e tregut, dhe se lajmin e kanë marrë vesh nga mediat. “Nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare për mbylljen e tregut, lajmin e morëm vesh nga mediat. Jemi të habitur me vendimin, pasi lëndët helmuese nuk kanë kaluar fare përmes tregut”, u shpreh Bozhiqi.
Kontrollet, u gjet djathë i prishur dhe s’ka kushte
Puna në tregun ushqimor të shumicës pranë Uzinës “Dinamo”, ka vijuar normalisht ditën e djeshme, edhe pse Ministria e Bujqësisë njoftoi se ky treg do të mbyllej për të shmangur rrezikun nga ndotjet. Në një deklaratë për mediat, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave thekson se po ndjek me vëmendje situatën në Tregun Ushqimor të shumicës pranë Uzinës “Dinamo”. Sipas Ministrisë, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm nga prania eventuale e ndotjeve, tregu do të mbyllet dhe do të fillojë një vlerësim i plotë i ndikimeve mjedisore. Ndërkaq, pas përfundimit të monitorimeve, do të dilet me një raport të hollësishëm për të informuar opinionin publik. Tri ditë më parë specialistë të Ministrisë së Mbrojtjes zhgroposën në mes të ditës 700 kg lëndë helmuese cianur nga tregu ushqimor më i frekuentuar i kryeqytetit për t’u depozituar në Uzinën Kimike të Elbasanit.
Në këtë aksion ishte i pranishëm edhe kreu i Inspektoratit të Mjedisit, Ergys Agasi. Ai tha se “një nga prioritetet e Ministrisë së Mjedisit është eliminimi i mbetjeve të rrezikshme për qytetarët”. Ministria e Bujqësisë rekomandon mbylljen e menjëhershme të tregut ushqimor pranë uzinës Dinamo. Për shkak të ndjeshmërisë lartë të opinionit publik lidhur me situatën në tregun ushqimor, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave urdhëroi Autoritetin Kombëtar të Ushqimit të ngrejë menjëherë një grup pune për të inspektuar gjendjen në këtë treg. Grupi i punës i ngritur për këtë qëllim, kontrolloi me rreptësi, në zbatim të gjithë kuadrit ligjor dhe parametrave higjieno- sanitare, tregun ushqimor pranë Uzinës Dinamo. Në përfundim, u konstatuan një sërë shkeljesh të rënda që cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë sigurinë ushqimore për konsumatorin e gjerë. Sipas Ministrisë së Bujqësisë u konstatua prezencë e lartë bakteriale te produktet ushqimore (si djathë i prishur), ekspozim i produkteve jashtë dhomave frigoriferike, çka përbën shkak për përhapjen e sëmundjeve, u verifikuan dëmtime të dyshemeve, tavaneve, mungesë të ujit të ngrohtë, dhoma frigoriferike të dëmtuara e të ndryshkura, pa ndriçimin e nevojshëm. Gjithashtu u konstatua mungesë dokumentacioni shoqërues i produkteve ushqimore, regjistri i gjurmueshmërise etj.
Bazuar në të gjitha këto shkelje, AKU me anë të një shkresë drejtuar Bashkisë së Tiranës me numër protokolli 2948, dt 9.12 2013, rekomandoi mbylljen e menjëhershme të këtij tregu, për një periudhë të përkohshme deri në plotësimin e të gjitha kushteve të nevojshme sipas legjislacionit në fuqi. Aktualisht janë marrë mostra të produkteve ushqimeve të tregtuara jashtë parametrave higjienike dhe janë dërguar në laboratorët e Institutit për Sigurinë Ushqimore e Veterinare. Sapo të mbërrijë raporti përfundimtar i analizave të mostrave të marra në këtë treg, rezultatet do t’i bëhen të ditura opinionit publik. Ndërkohë për shkak të shqetësimeve të ngritura si pasojë e lëvizjes së një sasie të konsiderueshme mbetjesh kimike nga ish uzina Dajti me përmbajtje cianur, Ministria e Bujqësisë është në pritje të sqarimit nga Ministria e Mjedisit. lidhur me situatën mjedisore për kontaminimin e mundshëm të kësaj zone pas zhvendosjes së këtyre mbetjeve.