53- vjeçarja Fiqirete Kallaj prej 13 vjetësh është e vetëpunësuar pranë një dyqani, që tregton bulmet pranë tregut ushqimor “Ish-Uzina Dinamo”. Ashtu si të gjithë tregtarët e tjerë të këtij tregu ajo shpreh kundërshtimin e saj për mbylljen e tij. Puna në këtë dyqan është e vetmja e ardhur që ajo ka në familjen e saj. Fiqiretja tregon se, në rast se ky treg mbyllet ajo e ka të pamundur ta sigurojë jetesën, pasi me moshën që ka e ka të vështirë të gjejë një punë tjetër. Dyqani i saj është inspektuar disa herë nga autoritetet duke vërejtur mangësi. “Pas çdo inspektimi ne kemi investuar në dyqanin tonë për t’i plotësuar të gjitha kushtet, si në frigoriferë, ujë të ngrohtë, uniforma dhe shumë të tjera si këto dhe tani që ne i kemi bërë të gjitha këto përsëri na thonë që duhet të largohemi. Po të shohësh në gjithë Tiranën asnjë treg nuk është më i pastër sesa ky i yni, mirëpo vendimi për mbyllje ka ardhur vetëm për ne. Në rast se në tregun ku ne kemi bizneset tona ka probleme, në fillim duhet të na vinin në dijeni, duke na lënë një afat për përmirësimin e kushteve dhe jo duke marrë një vendim të prerë për mbylljen e tregut”, - u shpreh ajo.
Në dyqanin e saj, ajo tregton produkte me pakicë prandaj mbyllja e tregut rëndon më shumë mbi të, sepse tregu i vendosur në autostradë është i përshtatshëm vetëm për tregtimin e mallrave me shumicë, por jo për ato me pakicë pasi ky treg është shumë larg qendrës së Tiranës dhe nuk mund të jetë lehtësisht i frekuentuar nga shumë klientë, duke e çuar biznesin e saj drejt falimentimit. Kritika të forta ajo hedh edhe për mënyrën sesi erdhi vendimi i menjëhershëm për mbylljen e tregut. “Duke bërë një mbyllje të papritur ne na shkakton shumë probleme ekonomike, pasi ne funksionojmë si të vetëpunësuar dhe gjithë kursimet tona ne i hedhim për të blerë mallin e dyqanit. Në rast se dyqani mbyllet malli mund të prishet derisa të sistemohemi në dyqanin e ri”, - u shpreh Fiqirete Kallaj.
Transferimi në një treg tjetër ka kosto të madhe financiare
Gazmend Xhafa është një tjetër tregtar i këtij tregu ushqimor. Prej 14 vitesh, ai tregton fruta me shumicë pranë këtij tregu. Për gazetën “Shekulli” ai shprehet se, vendimi për mbylljen e këtij tregu ka një kosto shumë të madhe për këto biznese, e cila arrin shifrat e 3 milionë lekëve. Kur u bë përpjekja e parë e mbylljes së tregut për shkak të alarmit për cianur ai mendoi të zhvendosej në një treg tjetër, mirëpo ky vendim i shkaktoi një dëm të konsiderueshëm ekonomik, pasi qiraja në tregun e ri ishte me e lartë dhe për shkak të transferimit humbi një pjesë të mirë të klientelës. “Frutat janë shumë delikate dhe nuk mund të rrojnë më shumë se 2 ose 3 ditë. Në rast se unë transferohem një pjesë e mallit do të prishet, duke më shkaktuar humbje të mëdha. Unë e kam provuar një herë transferimin dhe një lëvizje e dytë do të ishte falimentim për mua, u shpreh tregtari i shumicës Gazmend Xhafa.
Kushtet në tregun ushqimor “Ish- Uzina Dinamo”
Dhurim Ismailati, përgjegjës pranë tregut këmbëngul se, kushtet në këtë treg janë më të mira se në të gjitha tregjet e tjera që gjenden në Tiranë. Është investuar që të krijohen ambiente me kushte të larta higjienike. Magazinat janë të larta 9 metra dhe ofrojnë kushte frigoriferike për të mundësuar ruajtjen në kushte optimale të produkteve. Në tregun e bulmetit është investuar për të mundësuar uniforma dhe doreza për shitësit, si edhe ujë të ngrohtë 24 orë. Të gjitha dyqanet kanë frigorifer dhe dyqanet janë të rrethuara me xham. Ai tregon se, në treg janë gjithsej rreth 40 subjekte, të cilat u mbyllën pasi nuk plotësonin kushtet higjieno-sanitare. Pas marrjes së këtij vendimi u ndërhy, duke investuar në pikat ku u vërejtën probleme dhe më pas u dorëzua një kërkesë që këto subjekte të inspektoheshin sërish dhe të jepej një urdhër hapjeje për biznesin. Megjithëse afatet ligjore të kësaj kërkese janë plotësuar, askush nuk ka ardhur t’i inspektojë. Nisur nga kjo situatë ai e sheh të paarsyeshme mbylljen e këtij tregu. Në mënyrë individuale tregtarët i janë drejtuar Gjykatës Administrative për pezullimin e këtij vendimi.
Nuk kemi treg tjetër ku të zhvillojmë aktivitetin
Theodhor Kristuli, kryetar i Unionit të Tregtarëve Agroushqimor tek Tregu Ushqimor “Ish-Uzina Dinamo” shprehet kundër mbylljes së këtij tregu. Ai pranon se, në këtë treg janë evidentuar disa probleme në zonën e tregtimit të bulmetrave, mirëpo kjo arsye nuk është e mjaftueshme për mbylljen e gjithë tregut, pasi subjektet që tregtojnë bulmet përbëjnë vetëm 10 për qind të gjithë tregut. “Arsyeja pse ne e shohim të papërshtatshme transferimin në një treg tjetër është se, asnjë hapësirë nuk ka kapacitet për të përfshirë të gjitha subjektet që ndodhen te ky treg. Tregu në autostradë është në periferi dhe nuk është lehtësisht i frekuentueshëm nga shumë klientë për shkak të largësisë nga qendra e Tiranës. Arsyeja e dytë është se, ky treg nuk i përmbush kushtet e përshtatshme për tregtinë me shumicë pasi ambientet janë shumë të vogla që nuk mundësojnë ajrim dhe janë të mbuluara me llamarina.
Këto hapësira të papërshtatshme u ofrohen tregtarëve me qira me një çmim më të lartë sesa këtu, duke rënduar kështu rrjedhimisht te xhepi i konsumatorëve. Mbyllja e këtij tregu dhe orientimi në një treg tjetër, i cili është privat, po e shndërron këtë të fundit në një monopol”, u shpreh për gazetën “Shekulli” Theodhor Kristuli. Përgjegjës për këtë situatë tregtarët bëjnë Prefektin e Tiranës, i cili në rastin më të mirë është i painformuar. Ata thonë se i kanë dërguar disa shkresa, por ai nuk u ka kthyer asnjë përgjigje. Edhe me autoritetet vendore ata nuk kanë pasur asnjë kontakt të drejtpërdrejtë, megjithëse kryesia e unionit dhe tregtarë të tjerë kanë tentuar disa herë të komunikojnë. “Në rast se do të vijojnë përsëri përpjekjet për të mbyllur këtë treg ne do ta pengojmë me çdo mënyrë që ofron ligji dhe demokracia. Ne do të protestojmë dhe po të qe nevoja do të hymë dhe në grevë urie, sepse në këtë mes luhet buka e gojës e shumë familjeve
Mbyllja e tregut u shërben 1 milion banorëve të Tiranës
Tregtarët janë informuar nga grupet e punës në terren prej dy muajsh, mbi gjendjen e papranueshme të tregtimit
Këto dy vitet e fundit ka pasur disa tentativa për mbylljen e tregut ushqimor “Ish-Uzina Dinamo” por vetëm në datë 15 korrik, grupi i punës i drejtuar nga Prefekti i Tiranës, Z. Sadi Vorpsi mori vendimin e mbylljes së këtij tregu. Ky vendim është marrë dy muaj pasi ka përfunduar inspektimi dymujor i Task- Forcës dhe pasi Ministria e Bujqësisë ka dalë me një udhëzim mbi kriteret e tregjeve më shumicë. Nisur nga inspektimi në terren i Task-Forcës, përfaqësuesit e nëntë institucioneve qendrore në nivel vendor, kanë raportuar pranë Prefektit situatën në terren. Të gjitha këto institucione kanë dalë në konkluzionin se tregu ushqimor “Ish-Uzina Dinamo” dhe tregu ushqimor “Hamdi Pepa” nuk i plotësojnë kushtet higjienike, infrastrukturore apo kanë mangësi në kushtet frigoriferike për ruajtjen e produkteve. Një problem tjetër i këtij tregu është mungesa e dokumentacionit shoqërues të produkteve, për të cilët nuk dihet origjina e prodhimit, importit etj. Produktet që shiten në këtë treg përveçse nuk tregtohen në kushte higjienike nuk kanë as informacionin se brenda cilës datë duhet të konsumohen.
Policia Bashkiake pranë Bashkisë Tiranë ka sjellë relacionin e saj në të cilin përcaktohej edhe mënyra kaotike se si janë vendosur një sërë subjektesh, që janë pjesë e këtij tregu. Sipas burimeve brenda grupit të Task-Forcës, në relacion thuhet se, disa prej subjekteve pengojnë hyrjen e zjarrfikëseve, policisë apo të ambulancave në rast se kjo do të ishte e nevojshme. I kontaktuar nga gazeta ‘Shekulli’, zëdhënësi i Prefektit të Qarkut Tiranë, Ardit Rada sqaron se, ky vendim është marrë jo vetëm duke u bazuar në rezultatet e inspektimit, por edhe në ankesat e herëpashershme të banorëve rreth tregut, sipas të cilëve as nuk mund t’i shesin dot banesat e tyre për shkak të ndotjes dhe zhurmës akustike që shkaktohet gjatë ngarkim-shkarkimeve. “Prefekti i Qarkut Tiranë i ka ndjekur me shqetësim protestat e sotme (djeshme) të subjekteve private. Për këtë arsye, Task-Forca dhe organet kompetente nuk e kanë ekzekutuar vendimin në mënyrë të menjëhershme, por u kanë lënë kohë tregtarëve që të marrin masa për t’u larguar.
Ky vendim nuk është një surprizë për subjektet private, të cilët janë informuar nga grupet e punës në terren prej dy muajsh mbi gjendjen e papranueshme në të cilën i shesin produktet ushqimore. Në media është aluduar madje sikur tregtarët po imponohen të zhvendosen në një treg tjetër. Unë ju garantoj se as Prefekti dhe asnjë institucion tjetër nuk mund t’i diktojë një zgjidhje alternative një subjekti privat për të vajtur në një treg privat. Megjithatë, ka ardhur koha të reflektojmë dhe të kuptojmë se mbyllja e këtij tregu ku janë punësuar 5 mijë vetë siç pretendohet, do t’i shërbejë minimalisht 1 milion banorëve të kryeqytetit për të qenë më të sigurt në produktet që konsumojnë”, - tha zëdhënësi i Prefektit të Qarkut Tiranë, Ardit Rada. Nga ana tjetër, ai sqaron se vendimi i Task- Forcës ka qenë unanim, ku për herë të parë edhe Bashkia e Tiranës bëhet pjesë e një nisme të tillë, të iniciuar nga qeveria.
Udhëzimi
Udhëzimi nr. 11 i dalë më 4 korrik të këtij viti nga Ministria e Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave përcaktonte mënyrën sesi duhet të funksiononin tregjet me shumicë, si edhe vendndodhjen e tyre. Sipas udhëzimit të Ministrisë, tregjet me shumicë duhet të jenë jashtë vijës së verdhë të qyteteve në distancë jo më pak se 500 metra.
Këto tregje duhet të jenë në zona të miratuara për t’u zhvilluar ky aktivitet dhe të jenë pranë rrugëve kryesore dhe lehtësisht të aksesueshme. Sipas këtij udhëzimi, tregjet duhet të ndërtohen jo më pak se 1 km larg zonave të kontaminuara, ose me ndotje mjedisore. Në udhëzim thuhej se, në tregjet me shumicë duhet të kenë ambiente frigoriferike, të jenë të rrethuar dhe të jenë të pajisur 24 orë me ujë dhe energji elektrike. Këto subjekte duhet të kenë gjithashtu edhe ambiente të veçanta për punonjësit e tyre.