Pse jeni kundra ligjit për importin e mbetjeve?
Importi i plehrave ashtu siç është përshkruar edhe nga qeveria dhe të tjerë pranë saj ka anë pozitive dhe ato janë mundësi punësimi dhe të ardhura të mira, por ajo ç’ka është më e rëndësishme dhe që duhet të ndalojë këtë import është rsiku i lartë i ndotjes. Është deklaruar një “listë e gjelbër” nga ku do importohen 50 lloje mbetjesh, por nga këto mundet të futen mbetje të tjera, të cilat mundet të jenë me një rrezikshmëri tepër të lartë. Shteti Shqiptar nuk do mundet kurrë të siguroj një monitorim të plotë. Për më tepër, këto mbetje që do importohen përveç se do përpunohen ato kanë disa teprica, të cilat duhet të groposen në ato “Landfill-et” e famshme, por do ketë mbetje të ndryshme të cilat duan relativisht një kohë të gjatë asgjesimi, kështu që natyra do të degradojë. Askush nuk do të dëshironte një ujë dhe tokë të helmuar nga plehrat dhe askujt nuk i intereson më shumë të ardhura se siguria e jetës. Për më tepër është anormale tek Kryeministri shpall Shqipërinë si një destinacion turistik, ndoshta në të ardhmen do ndryshoj dhe do bëhet një destinacion turistik për plehrat.
Çfarë kërkesash përmban peticioni që keni përgatitur kundër importit të plehrave?
Kërkesa e peticionit është që në projekt-ligjin aktual për menaxhimin e integruar të mbetjeve të shtohet një paragraf, “Në Republikën e Shqipërisë ndalohet importi i çfarë do lloj mbetje për 20 vitet e ardhshme”. Ne nuk jemi kundër ligjit në tërësi por duam që kjo pjesë të shtohet pasi, pas 20 vitesh do shohim se si do jetë pjekur politika vëndase dhe nëse ky import do të ishte pa pasoja negative për Shqipërinë. Ne zgjodhëm këtë rrugë meqënëse janë njerëzit ata, të cilët i zgjedhin këta politikan dhe si të tillë normalisht duhet t’i dëgjohet zëri të gjithëve.
Kur do ta dorëzoni peticionin?
Më datë 3 nëntor. Kjo do të jetë data që forumi Rinia Aktive ka vendosur për dorëzimin e peticionit. Ai përkon edhe me datën që Kuvendi do të rishqyrtojë këtë ligj. Forumi Rinia Aktive do ta nisë protestën e saj në orën 11 përball Ministrisë së Mjedisit dhe më pas do të spostohet drejt Kryeministrisë për të dorëzuar peticionin.
Cili ka qenë qendrimi i qytetarëve në këtë drejtim?
Ishin të shumtë ata që e kanë mbështetur dhe firmosur këtë peticion. Kanë qënë qytetarë, të cilët përtej përkatësisë politike kanë firmosur të gjithë peticionin, përveç asaj pjese të vogël, e cila është e djathtë ekstremiste. Megjithatë duhet vlerësuar fakti që peticioni është firmosur edhe nga punonjës të administratës shtetërore, të cilët përtej kamerave thonin që nuk duhet të identifikoheshin pasi mundet ti hiqnin nga puna. Ky peticion pritet të ketë edhe një mbështetje nga pjesa e politikës së vendit dhe nga njerëz të tjerë publik. Por duhet nënvizuar dëshira e drejtuesve të forumit për të mos bashkëpunuar me parti politike kjo pasi: Nuk duam një mbështetje nga ana e partive politike apo forcave të ndryshme politike pasi do të politizohej çështja dhe do të humbiste vlerat, ne duam që kjo çështje të jetë tërësisht e qytetarëve. Kemi pasur një informim që në Vlorë për shembull peticioni ishte firmosur nga policia bashkiake vendase, megjithatë firmosja varet edhe nga kalimtarët, kush rastisë në ato momente.
Po nëse peticioni nuk merret parasysh..?
Atëherë ne do të vijojmë “luftën” tonë, duke ndjekur 2 rrugë, njëra është dërgimi i çështjes në gjykatën kushtetuese dhe e dyta është vijimi i protestave deri në fund. Ne do vazhdojmë deri fund, madje edhe nëse ligji miratohet ne do të bllokojmë portin për të mos lejuar plehrat e importuara të kalojnë. Unë shpresoj që qeveria ta pranoj këtë peticion përndryshe do të shohin reagimin e një rinie të rrebeluar.