Rindfleischetikettierungsüberwachungsaufgabenübertragungsgesetz është një fjalë e vetme në gjuhën gjermane, ka 63 germa dhe dje zyrtarisht ka reshtur së ekzistuari. Ishte tejet e vështirë për t’u prononcuar edhe për ata që e kanë gjuhën e tyre të lindjes. Emri i përbërë ka të bëjë me një rregull për mishin e viçit. Ai do të thotë “rregullorja për delegacionin e monitorimit të etiketimit të mishit të viçit”. Gjermania shquhet për emrat e gjatë e të përbërë, shumë prej të cilëve janë shkrirë me kalimin e kohës për arsye prakticiteti të përdorimit. Eksperti i linguistikës, profesor Anatol Stefanovitsh, nga Universiteti i Lirë i Berlinit, tha për agjencinë gjermane DPA se kjo ishte fjala më e gjatë autentike e gjuhës gjermane. Fjala njihet nga linguistët, pasi është pjesë e teksteve zyrtare, por nuk ka hyrë kurrë në fjalorin gjerman.